Gati tre muaj pas vendimit, Gjykata e Lartë ka zbardhur arsyet që prishi vendimin e Gjykatës së Apelit për vulën e Partisë Demokratike të Shqipërisë. Në vendimin prej 36 faqesh, Kolegji i Gjykatës së Lartë vlerëson se rekursi i paraqitur nga pala kërkuese në këtë gjykim, Partia Demokratike e Shqipërisë, përfaqësuar nga Komisioni i Rithemelimit përmban shkaqe të cilat, e bëjnë të cenueshëm vendimin e dhënë nga Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm.
Kolegji thekson se vendimi i dhënë nga ana e Gjykatës së Apelit, është rrjedhojë e moskuptimit dhe mosidentifikimit të qartë të natyrës së mosmarrëveshjes, ndërkohë që gjykimi i zhvilluar për shqyrtimin e saj, është rrjedhojë e moskryerjes së një hetimi të plotë dhe të gjithëanshëm të çështjes, si dhe i interpretimit të gabuar të normave të ligjit procedural. Gjithashtu, Kolegji vlerëson se arsyetimi i vendimit nga Gjykata e Apelit nuk plotëson standardet e arsyetimit të një vendimi gjyqësor, të përcaktuara tashmë nga jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ). Gjykata e Lartë vlerëson se në rastin kur padia apo kërkesa paraqitet nga një person që i mungon zotësia për të vepruar, Gjykata e Apelit vendos mospranimin e gjykimit të padisë ose pushimin e gjykimit të padisë. Në vendimin e zbardhur të Gjykatës së Lartë rreth vulës së Partisë Demokratike, Kolegji thekson se Gjykata e Apelit, përpara se të kalonte në fazën e shqyrtimit të çështjes dhe të merrte në shqyrtim vendimin e dhënë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor, duhet t’i kishte dhënë përgjigje faktit nëse, vendimi i marrë sipas një gjykimi gracioz, a mund të ankimohet në një shkallë më të lartë gjykimi, nga një palë, e cila nuk ka qenë e legjitimuar as nga pikëpamja formale dhe as nga pikëpamja procedurale si palë ndërgjyqëse në procesin gjyqësor të zhvilluar në Shkallë të Parë.
Gjithashtu, Gjykata thekson se rezulton i provuar fakti se, Komisioni i Rithemelimit është krijuar dhe miratuar nga mbledhja e Kuvendit të Partisë Demokratike të datës 11.12.2021, i thirrur sipas parashikimeve statutore nga ¼ e anëtarëve/delegatëve të Kuvendit Kombëtar. Në këtë kuvend, është pretenduar se një nga vendimet e marra prej tij është edhe vendimi për shkarkimin nga detyra të Kryetarit të PDSH, z.Lulzim Basha, i cili, ka si funksion përfaqësimin e subjektit PDSH tek të tretët. Megjithatë, pavarësisht se kërkesa është paraqitur nga Komisioni i Rithemelimit dhe gjykata është investuar në një gjykim gracioz, ankimi ndaj vendimit të dhënë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë është ankimuar në shkallë të dytë gjykimi, nga Kryetari i PDSH Lulzim Basha, përfaqësuar me autorizim nga deputeti, Enkelejd Alibeaj.
“Në arsyetimin e vendimit të saj, Gjykata e Apelit ka arritur në konkluzionin se z.Lulzim Basha vijon të jetë kryetar i PDSH, duke e kufizuar arsyetimin e saj ligjor në faktin se, kërkesa për heqje dorë nga funksioni i Kryetarit të PDSH nga ana e z.Lulzim Basha nuk është formalizuar me shkrim, si dhe nuk është depozituar në regjistrin e partive politike. Megjithatë, kjo gjykatë nuk ka vlerësuar dhe nuk ka marrë në analizë të detajuar faktin nëse ndryshimet statutore të miratuara nga Kuvendi Kombëtar i datës 17.07.2021, në të cilin z.Lulzim Basha është rizgjedhur Kryetar i PDSH janë regjistruar në regjistrin e partive politike apo jo, si dhe nëse kanë prodhuar efekte juridike këto ndryshime. Gjithashtu, gjykata e apelit nuk ka vlerësuar dhe nuk ka konkluduar nga pikëpamja e faktit dhe e ligjit se, çfarë efekti ligjor dhe rëndësie nga pikëpamja juridike ka mbledhja e jashtëzakonshme e Kuvendit Kombëtar të PDSH, si dhe vendimet e marra në këtë Kuvend, ku disa prej këtyre vendimeve kanë të bëjnë me shkarkimin e organeve drejtuese të PDSH (një prej të cilëve Kryetari i PDSH z. Lulëzim Basha) dhe krijimin e organeve të reja drejtuese, sikurse është edhe Komisioni i Rithemelimit”, thuhet në vendim.
Kolegji vlerëson se, në kushtet kur gjykata e apelit ka legjitimuar dhe ka pranuar të marrë në shqyrtim ankimin e paraqitur nga PDSH e përfaqësuar nga deputeti Enkelejd Alibeaj sipas autorizimit të lëshuar nga kryetari z.Lulzim Basha, nuk ka pasur asnjë shkak të arsyeshëm ligjor që të kthente shqyrtimin e çështjes për rigjykim, duke i lënë detyrë gjykatës së shkallës së parë që të verifikojë dhe të konkludojë se kush e përfaqëson ligjërisht subjektin politik PDSH. Me disponimin e kthimit të çështjes për rigjykim në shkallë të parë, si dhe me detyrat e lëna për zbatim, gjykata e apelit ka ndryshuar natyrën (ritin) e gjykimit të mosmarrëveshjes, pra nga një gjykim gracioz me palë kërkuese, në një gjykim kontencioz me palë kundërshtare. Në këtë rast, gjykata ka krijuar një çështje të re, e cila, nga pikëpamja procedurale ka devijuar tërësisht nga çështja që është shqyrtuar në Shkallë të Parë.
Kolegji vlerëson se, në arritjen e konkluzionit se kush është organi kompetent që përfaqëson në këtë rast PDSH, gjykata e apelit nuk duhet ta kufizonte dhe ngushtonte shqyrtimin gjyqësor, duke vlerësuar faktin nëse dorëheqja e kryetarit të PDSH z. Lulzim Basha është kryer në formën shkresore dhe a ka gjetur pasqyrim në regjistrin e partive politike. Për të pasur një gjykim të drejtë dhe të gjithëanshëm të çështjes, si dhe për të kuptuar drejtë natyrën e këtij gjykimi, Gjykata e Apelit duhet të merrte në shqyrtim dhe të analizonte nga pikëpamja e ligjit dhe e faktit se, çfarë vlere provueshmërie dhe juridike kanë: (i) aktet e miratuara në Kuvendin Kombëtar të PDSH në datën 11.12.2021 në lidhje me organet drejtuese të PDSH, për të cilat kërkohet regjistrimi në regjistrin e partive politike; (ii) aktet e prodhuara nga organet zgjedhore KQZ dhe KAS për aq sa ato mund të konsiderohen se ndikojnë në mosmarrëveshjen objekt shqyrtimi; si dhe (iii) vendimet e marra nga Kolegji Zgjedhor Gjyqësor, i cili është gjykatë dhe vendimet e dhëna prej tij janë vendime gjyqësore të formës së prerë. Vetëm pasi të merren në analizë të gjitha faktet dhe provat e nevojshme të administruara në dosje, gjykata do të kishte mundësi për të konkluduar definitivisht se kush është organi që përfaqëson juridikisht tek të tretët PDSH-në, i cili është subjekti juridik që tërheq të drejtat në këtë gjykim.
Kolegji, vlerëson që pavarësisht faktit se sa ka arsyetuar më sipër në këtë vendim janë argumente të mjaftueshme ligjore për të justifikuar prishjen e vendimit të Gjykatës së Apelit dhe kthimin e çështjes për rigjykim, për efekt të rëndësisë jurisprudenciale, e vlerëson të arsyeshme që të ndalet dhe të analizojë se edhe shkaqet e tjera që Gjykata e Apelit ka cituar në vendimmarrjen e saj, kur ka vlerësuar cenimin e vendimit nr. 3, datë 25.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe kthimin e kësaj çështje për rigjykim, me një tjetër trupë gjykuese.