Nga Jolanda LILA
Gjatë tre viteve të fundit, Shqipëria është kthyer në një nga destinacionet më të lakmuara prej vizitorëve të huaj. Bukuritë natyrore dhe çmimet e lira kanë ndikuar në rritjen e numrit të turistëve të huaj nga viti në vit, saqë në vitin që po lëmë pas, ky numër e ka kapërcyer shifrën e mbi 10 milionë vizitorëve. Turistët janë prej të gjitha grupeve shoqërore, duke përfshirë persona të moshës së tretë, persona me aftësi të kufizuara, prindër me fëmijë të vegjël, minoritete etj. Ky fluks i madh lëvizjesh, kërkon edhe rritjen e standardeve të ofrimit të shërbimeve, në mënyrë që turizmi të jetë gjithëpërfshirës për të gjitha kategoritë sociale dhe jo privilegj i një grupi të kufizuar njerëzish. “Gjithëpërfshirja” nënkupton domosdoshmërinë për përshtatjen e të gjithë zinxhirit të strukturave që lidhen me turizmin, duke filluar nga transporti, tek akomodimi, muzetë dhe atraksionet e tjera, në mënyrë që të ofrohen mundësi të barabarta dhe akses edhe prej personave me aftësi të kufizuara. A ekziston një ndërgjegjësim shoqëror dhe institucional në këtë drejtim dhe a kanë nisur hapat konkretë të punës në arritjen e këtij synimi? A merret parasysh “gjithëpërfshirja” si një mënyrë që nxit shtimin e numrit të turistëve dhe ndikon në rritjen e treguesve ekonomikë në vendin tonë? Në kërkim të këtyre përgjigjeve, do të paraqesim në vijim disa të dhëna e perceptime mbi qasjen që ka vendi ynë ndaj sektorit të turizmit në përgjithësi. Po ashtu, do të identifikojmë disa nga nevojat kryesore që lipsen për t’u marrë në konsideratë, në mënyrë që të përmirësohet niveli i shërbimeve dhe ofrimi i mundësive të barabarta, të cilat luajnë një rol shumë të rëndësishëm mbi imazhin e vendit tonë si një alternativë e denjë turistike.
Nga mungesa e traditës së turizmit, tek rritja galopante e vizitorëve të huaj
Shqipëria, që sot po tërheq gjithnjë e më tepër vëmendjen e të huajve si një nga destinacionet e mrekullueshme dhe të paeksploruara nuk ka një traditë të konsoliduar në sektorin e turizmit, për shkak të kontekstit social e politik të vendit. Ky destinacion shpesh është identifikuar si një vend ish-komunist dhe vetëm kohët e fundit kanë dalë në dritë resurset dhe magjitë natyrore e kulturore që bart.
E gjendur për gati 50 vjet nën regjimin izolues komunist, Shqipëria u ekspozua më tepët si një faktor propagandistik, ku derën e hapi vetëm për vendet e ish-kampit socialist, sesa si një vend me potenciale turistike të dukshme e të zhvilluara prej shumë shekujsh. Vlen të kujtojmë udhëpërshkrimet dhe veprat e autorëve të mirënjohur botërorë mbi Shqipërinë për të kuptuar mbresat që lë ky vend tek gjithkush që e shkel. Kujtojmë për shembull kryeveprën e letërsisë angleze “Shtegtimet e Çajld Haroldit” e autorit Xhorxh Bajron, që ka 360 vargje për bukuritë shqiptare; mbresat e udhëtimit në veri të Shqipërisë nga antropologia Edit Durham etj. Megjithatë, regresi në pikëpamje të politikës izoluese komuniste jo vetëm për sektorin e turizmit, por edhe për jetën e shqiptarëve në përgjithësi, bëri që pas viteve ’90 ky vend të ishte thuajse i panjohur për të huajt.
Sot, pas më shumë se tre dekadash demokraci, situata është krejt ndryshe, sepse turistët e huaj po shtohen nga viti në vit. Sipas statistikave zyrtare të INSTAT dhe Eurostat, gjatë vitit 2023, mbi 10 milionë vizitorë të huaj kanë hyrë në vendin tonë dhe ky numër pritet të rritet akoma më tepër gjatë muajve në vijim.
Mediet më prestigjioze ndërkombëtare vijojnë t’i bëjnë jehonë atraksionit turistik që ofron Shqipëria, duke e konsideruar si “perlën e Ballkanit”, “Greqia e ardhshme në turizëm”, “destinacion fantastik ku mund të gjesh gjithçka” etj.
Sipas revistës “Monitor”, në një analizë që i bën të dhënave të Eurostat, rezulton se Shqipëria kishte rritjen më të lartë të net-qëndrimeve në Europë në vitin 2023. Të dhënat e Eurostat-it bëjnë të ditur se për treguesit e rritjes, Shqipëria ka lënë pas të gjithë vendet e tjera të Europës, ku vetëm në tremujorin e tretë, net-qëndrimet në njësitë akomoduese turistike u rritën me 60.6% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2022.
Kjo rritje e shumëfishuar e numrit të turistëve kërkon edhe rritjen e standardit të ofertës turistike, në mënyrë që turizmi të këtë vijimësi e progres dhe të mos jetë një “flluskë” momentale, që të prodhojë më shumë zhgënjim sesa kënaqësi tek ata që zgjedhin për të vizituar vendin tonë. Ndërgjegjësimi dhe puna konkrete për ofrimin e turizmit githëpërfshirës është “thembra e Akilit”, që siguron jo thjesht vijimësinë, por edhe konturon imazhin e vendit tonë. Shqipëria ka tashmë mundësinë e artë për t’i prezantuar botës vlerat më të larta të civilizimit, të cilat, padyshim, nisin dhe mbarojnë në një pikë: Në ofrimin e mundësive të barabarta për të gjithë.
Standardet që duhet të plotësohen për të pasur turizëm të aksesueshëm
Turizmi i aksesueshëm nënkupton ofrimin e kushteve të duhura për të gjitha kategoritë, ku edhe të moshuarit apo personat me aftësi të kufizuar të mund të marrin lehtësisht shërbimet e nevojshme dhe të lëvizin lirisht e pa barriera.
Rrjeti Evropian për Turizëm të Aksesueshëm (ENAT) i ka përmbledhur në 5 pika kryesore, elementet që duhet të ekzistojnë për të pasur turizëm të aksesueshëm:
Së pari, destinacione pa barriera në infrastrukturë. Kjo nënkupton që çdo destinacion turistik të sigurojë kushtet e përshtatshme infrastrukturore në të gjitha hallkat e udhëtimit, që nga udhëtimi, akomodimi në hotel e deri tek vizitat nëpër pikat turistike.
Së dyti, transport ajror, detar dhe tokësor të përshtatshëm për të gjithë. Në terma më konkretë, kjo pikë parashikon që cdo mjet transporti (autobus, minibus, taksi e dedikuar, etj.) të ketë të paktën një hyrje të aksesueshme për karriget me rrota, të cilat janë të përcaktuara me ngjitëse në derë dhe dyshemenë e platformës. Po ashtu, të kenë edhe sinjalistikën e nevojshme me audio dhe video për personat me aftësi të kufizuar në dëgjim apo shikim.
Së treti, shërbime cilёsore të servirura nga staf i trajnuar. Kjo do të thotë që përveç mungesës së pengesave fizike në planin infrastrukturor, çdo pikë turistike duhet të ofrojë ciceronë apo personel të trajnuar për t’ua thjeshtëzuar njohjen dhe aksesin personave me aftësi të kufizuar në çdo destinacion.
Së katërti, aktivitete, ekspozita dhe atraksione që lejojnë pjesëmarrjen e të gjithë turistëve. Kjo nënkupton që cdo veprimtari sociale, kulturore apo atraksion turistik duhet të krijojë lehtësi për aksesueshmërinë fizike, ndijore, digjitale etj, duke siguruar elemente bazike si: ofrimin e broshurave braille ose të shtypura me shkronja të mëdha, udhëzuesve audio dhe hartave të prekshme për personat me aftësi të kufizuara në shikim. Sinjalet duhet të jenë të qarta, të vendosura mirë dhe të përfshijnë simbole që njihen botërisht.
Së pesti, udhëzime, sisteme rezervimi dhe website me informacion të aksesueshëm për të gjithë. Kjo do të thotë që çdo faqe interneti me informacione mbi turizmin në Shqipëri duhet të marrë parasysh thjeshtimin e komunikimit, jo vetëm përmes informacioneve të qarta e të përditësuara, por edhe paraqitjes teknike, me elemente të tilla si: ndryshimi i ngjyrave, nivelet e kontrastit dhe madhësia e shkronjave, të jetë lehtësisht e lexueshme edhe nё celular, mundësia e zmadhimit të informacionit pa mbivendosje të tekstit, mundësia e lundrimit në uebsite edhe me gjuhën e folur, si edhe materiale informuese për të ndihmuar në kuptimin dhe zbatimin e aksesueshmërisë në faqe.
Pse është i rëndësishëm turizmi i aksesueshëm për të gjithë?
Turizmi është një e drejtë themelore për të gjithë dhe kjo parashikohet edhe në legjislacionin ndërkombëtar, ku mes të tjerave në nenin 9 të Konventës së OKB-së për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara mbi aksesueshmërinë u kërkohet shteteve palë të marrin masat e duhura për të siguruar që personat me aftësi të kufizuara të kenë akses të barabartë në mjedisin fizik, informacion, transport dhe objekte dhe shërbime të tjera publike. Ky nen gjithashtu kërkon eliminimin e pengesave dhe barrierave, duke përfshirë transportin dhe objektet.
Po ashtu, neni 30 parashikon pjesëmarrjen në jetën kulturore, rekreative, kohën e lirë dhe sportin. Këtu kërkohet gjithashtu që shtetet palë të marrin të gjitha masat e duhura për të siguruar që personat me aftësi të kufizuara “të gëzojnë akses në materiale kulturore në formate të aksesueshme” dhe “të gëzojnë akses në vende për shfaqje apo shërbime kulturore, si teatro, muze, kinema, biblioteka dhe shërbime turistike dhe, sa më shumë që të jetë e mundur, të kenë akses në monumente dhe vende me rëndësi kulturore kombëtare.
Shqipëria e ka ratifikuar Konventën e OKB-së për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara që nga viti 2013 dhe në këtë pikëpamje, e ka detyrim ligjor ta respektojë këtë praktikë ligjore.
Përveç aspektit ligjor, turizmi i aksesueshëm është një mundësi biznesi për destinacionet dhe kompanitë që të përqafojnë të gjithë vizitorët dhe të rrisin të ardhurat e tyre.
Praktika të mira në vendin tonë
Fondacioni “Së Bashku” është promovues i kauzës së aftësisë së kufizuar dhe për herë të parë në Shqipëri, ka ndërmarrë nismën për të pasur turizëm të aksesueshëm sikurse është krijimi i plazheve të aksesueshëm për personat me aftësi të kufizuara, ndërtuar në plazhin e Golemit në vitin 2022. Këtë praktikë të mirë, synon ta shndërrojë në model pune për ofrimin e turizmit gjithëpërfshirës dhe të lobojë në hartimin e politikave dhe strategjive duke u bazuar në moton “Asgjë për ne, pa ne”.
Në këtë kuadër, ka nisur edhe puna me implementimin e një projekti me Bashkinë e Tiranës “Turizëm i aksesueshëm për personat me aftësi të kufizuar në Tiranë”, ku synohet që të gjitha destinacionet turistike që ofron kryeqyteti shqiptar të përshtaten në pikëpamjen infrastrukturore dhe të bëhen të aksesueshme për të gjitha kategoritë sociale të turistëve të huaj.
(Plazhi i aksesueshëm për personat me aftësi të kufizuara në Golem)