Garantimi i aksesueshmërisë për personat me aftësi të kufizuar, një detyrim për Postën Shqiptare

Sociale

Personat me aftësi të kufizuar në vendin tonë, por edhe personat e moshës së tretë, që i drejtohen Postës Shqiptare për të kryer shërbime të ndryshme pranë këtij institucioni, shpesh janë të detyruar të kthehen duarbosh, ose të rendin rrugëve duke i marrë me radhë filialet e postës, në kërkim të hapësirës së përshtatshme nga ku mund të hyjnë brenda për të marrë shërbim.

Edhe pse garantimi i aksesueshmërisë është një detyrim ligjor për institucionet shtetërore, ende në ditët e sotme, vijon që kjo problematikë të shpërfillet nga institucionet shqiptare, madje ky indiferentizëm viher re edhe nga institucione që lidhen drejtpërsëdrejti me veprimtarinë e shërbimeve mbi këtë kategori individësh. I tillë është institucioni i Postës Shqiptare, ku personat me aftësi të kufizuar marrin pagesat mujore dhe ku personat e moshës së tretë marrin pensionet.

Ndërtimi i një shoqërie që respekton të drejtat dhe liritë themelore të njeriut dhe shpangia e diskriminimit është ndër aspektet themelore të komunitetit. Përvecse në Konventën Ndërkombëtare kundër Diskriminimit dhe në Konventën mbi të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar, edhe në legjislacionin shqiptar janë parashikuar në detaje kriteret dhe mënyra se si duhet të ndërtohen rrugët, ndërtesat, godinat e intitucioneve etj. Kështu, në ligjin nr. 107/2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, shprehet qartazi në nenin 45/1 se, “Të gjitha ndërtimet për banesa, hapësira dhe shërbime për publikun, përfshirë parqet, sheshet dhe rrugët, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, duhet të plotësojnë kërkesat dhe standardet e përshtatshmërisë për personat me aftësi të kufizuara, sipas dispozitave të përcaktuara në rregulloren për shfrytëzimin e hapësirave nga ana e personave me aftësi të kufizuara”. Po ashtu, në pikën 3 të të njëjtin nen theksohet se, “Autoritetet përgjegjëse të institucioneve që ofrojnë shërbime për publikun janë të detyruara të sigurojnë një nivel bazë të përshtatshmërisë ndërtimore në mjediset ekzistuese në administrim të tyre”.  A gjen zbatim ky ligj në vendin tonë? Sigurisht, që jemi ende shumë larg standardeve të zbatueshmërisë, edhe pse disa përpjekje kanë bulëzuar, sidomos në kryeqytet.

Në një vëzhgim të bërë në disa pika të zyrave postare mbi situatën e aksesueshmërisë në Tiranë rezultojnë ende probleme serioze në këtë drejtim. Pikat postare janë ngritur nëpër vende të sajuaja, kryesisht në katet e para të ndërtesave dhe nuk janë filiale të projektuara qysh në fillim për këtë qëllim.  Për pasojë, në shumë raste, ekzistojnë barrierat me shkallë, të cilat e bëjnë të pamundur marrjen e shërbimit nga personat me aftësi të kufizuar.

Në fotot vijuese, tregohet qartë gjendja aktuale në disa pika postare, të cilat janë në zonat përreth qendrës së Tiranës dhe jo në periferi. Kur në zemër të kryeqytetit paraqitet kjo panoramë, imagjinoni sesi është gjendja në zona të tjera të kryeqytetit, apo në Shqipëri në përgjithësi:

(Filiali i postës në fillim të rrugës së Elbasanit)

(Fililali i Postës nr. 10 shfaq të njëjtën problematikë me shkallën e papërshtatur për Personat me Aftësi të Kufizuar)

(Filiali i Postës nr. 5 e bën akoma më shumë të pamundur ofrimin e shërbimit për PAK, për shkak se duhen ngjitur pesë shkallë për të hyrë brenda institucionit)

 

Personat me aftësi të kufizuar, por edhe të moshuarit, apo nënat e reja që shkojnë me karrocë me fëmijë në këto pika postare e kanë të pamundur marrjen e shërbimit. Kjo nuk mund të ndodhë në një shoqëri të zhvilluar, përderisa të gjithë paguajmë tarifat përkatëse për çdo shërbim që kryejmë në postë. Ky është një shërbim për të cilin ne paguajmë dhe nuk duhet të ketë diskrimin dhe përjashtim. Në kushte të tilla, njerëzit janë të detyruar të sorollaten nëpër filiale të tjera postare.

Për fat të mirë, vitet e fundit ka nisur të ketë njëlloj ndërgjegjësimi në këtë aspekt dhe disa pika postare kanë ndërtuar rampa, ose janë ngritur në mjedise pa barriera. Fotot e mëposhtme tregojnë disa praktika të mira të shërbimit, i cili është gjithëpërfshirës. Ky lloj shërbimi duhet të ofrohet në çdo pikë postare, sepse vetëm kështu e ndiejmë veten të gjithë të barabartë dhe me të njëjtat mundësi aksesimi në shërbimet bazike.

(Posta Qendrore ka ndërtuar rampë në hyrjen kryesore dhe kjo e mundëson marrjen e shërbimit prej të gjithë qytetarëve)

(Zyra Postare nr. 29 është ngritur në një mjedis pa barriera dhe gjithëpërfshirës.)

Këto shembuj pozitivë, duhet të shërbejnë si një prakitikë e vlefshme për t’u shtrirë në të gjitha filialet e Postës Shqiptare, në mënyrë që secili ta marrë shërbimin postar në pikën më afërt dhe të mos sorollatet në kërkim të vendit që i ofron infrastrukturën e nevojshme, sepse kjo lëvizje sjell kosto shtesë për secilin, kosto ekonomike, psikologjike dhe sociale. Pjesëmarrja e plotë dhe efektive në shoqëri është e mundur vetëm nëse kemi mjedis, transport dhe mjete komunikimi të përshtatura për të gjithë anëtarët e shoqërisë.

 

Përgatiti: Jolanda Lila

Share: