Në mediat shqiptare koncepti i armëve bërthamore nuk trajtohet sa duhet, thjesht gjen vend në mënyrë indirekte në pasqyrimin e lajmeve nga bota, duke u paraqitur telegrafikisht dhe përmes klisheve gjuhësore, ku kryesori mbetet togfjalëshi “rreziku i armëve bërthamore”. Ndërgjegjësimi mbi këtë rrezik mungon plotësisht dhe informacioni mbi energjinë bërthamore e rrezatimin mbetet i paqartë për masat e gjera të popullsisë. Mungesa e saktë e informacionit sjell si rrjedhojë indiferentizmin e njerëzve ndaj një rreziku që na kanoset në çdo çast, njëlloj si shpata e Demokleut. Mungojnë fjalorët shpjegues në lidhje me terminologjinë nukleare, nuk pasqyrohen historitë mjekësore mbi efektet e rrezatimit tek njerëzit dhe nuk paraqiten raporte mbi reaktorët apo analiza për studimet e rrezatimit. Kjo “djerrinë” informative krijon iluzionin e rremë se Shqipëria është larg vijës së rrezikut dhe janë vetëm disa shtete që rrezikohen nga shpërthimi i armëve bërthamore.
Dikujt mund t’i duket çështje e terminologjisë ushtarake apo e luftërave dhe i duket absurde që, në kohë paqeje, t’u bihet këmbanave të alarmit për rrezikun e armëve të shfarosjes në masë. Faktet tregojnë të kundërtën, sepse mjafton të përmendim argumentin se në vetëm 10 sekonda epiqendra e zjarrit, prej një shpërthimi bërthamor arrin madhësinë e saj maksimale, një valë e madhe goditëse arrin në qindra kilometra në orë. Shpërthimi, vret njerëzit në pikën fillestare dhe shkakton dëmtime të mushkërive, të dëgjimit etj. Rrezatimi termik është aq intensiv saqë pothuajse gjithçka afër pikës fillestare të tokës zhduket. Përdorimi i më pak se 1% të armëve bërthamore në botë, mund të prishë klimën globale dhe të kërcënojë në mënyrë afatgjatë nga uria deri në dy miliardë njerëz në planet. Sikur edhe një shpërthim i vetëm bërthamor në një qytet modern, do të reduktonte burimet ekzistuese të ndihmës ndaj katastrofave deri në pikën minimale; një luftë bërthamore, do të kolapsonte çdo sistem mbështetës që ne kemi ndërtuar paraprakisht. Zhvendosja e popullsisë prej një luftë bërthamore, do të prodhonte një krizë refugjatësh, të një madhësie, përmasat e të cilës nuk i kemi provuar ndonjëherë.
Përpos kësaj, në një skenar hipotetik të një sulmi bërthamor midis Pakistanit (zotërues i 150 armëve bërthamore) dhe Indisë (zotërues i 100 armëve bërthamore) në shënjestra urbane dhe nëse dy shtetet përdorin një sasi të shtuar prej 85 armësh bërthamore në zonat jo urbane, në hapësirën kohore të një jave, rezultati do të kishte qenë në këto nivele katastrofike:
- Deri në 125 milion vdekje të menjëhershme, 2.5 herë më shumë të vrarë sesa vdekjet e shkaktuara gjithsej në Luftën e Dytë Botërore.
- Tymi prej zjarreve do të shkaktonte ndryshim masiv të klimës, duke reduktuar ndriçimin diellor me 20-35% dhe papritmas rritjen e temperaturës globale të tokës me 4~8˚C .
- Reshjet do të uleshin globalisht me 15-30%.
- Rënia e ndriçimit diellor dhe reshjeve do të prekte thellësisht prodhimet primare dhe më tej të gjithë zinxhirin global ushqimor.
Përmendja e këtyre fakteve, mjafton për të kuptuar se në asnjë cep të botës nuk ka siguri, në rast të përdorimit të armëve bërthaore. Për këtë arsye, u ndërmor një fushatë ndërkombëtare për çarmatimin bërthamor (ICAN)- ‘International Campaign to Abolish Nuclear Weapons’ me seli në Gjenevë. Ajo u miratua në korrik 2017 nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara me votat e 122 vendeve. Më shumë se 80 vende kanë aderuar në traktat. ICAN mori edhe Çmimin Nobel për Paqe në vitin 2017. Kështu, prej 22 janarit 2021 ka hyrë në fuqi Traktati i Kombeve të Bashkuara për Ndalimin e Armëve Bërthamore.
Shqipëria është vendi që nuk e ka firmosur apo ratifikuar ende Traktatin për Ndalimin e Armëve Bërthamore. Ajo mbështet mbajtjen dhe përdorimin e mundshëm të Armëve Bërthamore, siç tregohet nga disa deklarata të dorëzuara në Organizatën e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), ku është anëtare. Qëndrime të tilla është koha të rishihen, sepse pasojat humanitare, mjedisore, ekonomike janë të pallogaritshme nga ekzistenca e armëve bërthamore. Përmasat e këtij rreziku janë të paimagjinueshme dhe nëse do të vlerësoheshin si dhe sa duhet, do të ndryshonte tërësisht qasja, por edhe qëndrimi ndaj kësaj shpikjeje të krijuar nga vetë njeriu me rrezikun potencial për të shfarosur gjithë njerëzimin.
Përgatiti: Jolanda LILA