Me miratimin e Traktatit të OKB-së për Ndalimin e Armëve Bërthamore (TPNW) më 7 korrik 2017, shumica e botës ndërmori një hap vendimtar drejt bёrjes realitet të njё të ardhmeje pa armë bërthamore.
Fushata Ndërkombëtare për Asgjёsimin e Armëve Bërthamore (ICAN) u themelua në vitin 2007 dhe iu desh një dekade punë e palodhur dhe përkushtim për të mobilizuar aktorët shtetërorë dhe joshtetërorë për të arritur miratimin e traktatit nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.
Armët bërthamore janë armët më çnjerëzore të krijuara ndonjëherë. Ato kanë pasoja katastrofike humanitare dhe mjedisore që kapёrcejnё dekada dhe breza tё tёrё. Ato ushqejnë frikë dhe mosbesim midis kombeve. Kostoja e lartë e prodhimit, mirëmbajtjes dhe modernizimit të tyre devijon fondet publike nga kujdesi shëndetësor, arsimi, ndihma ndaj fatkeqësive dhe shërbime të tjera jetike.
Traktati për Ndalimin e Armëve Bërthamore ka hyrë në fuqi më 22 janar 2021 pas ratifikimit të 50 shteteve, siç parashikohet në tekstin e traktatit. Këtë vit shënjohet një vit nga hyrja në fuqi e traktatit dhe gjatë kёtij viti kanë ndodhur shumë zhvillime të rëndësishme. Aktualisht 86 vende e kanë nënshkruar traktatin dhe 56 e kanë ratifikuar atë. Për më tepër, institucione të rëndësishme financiare kanë ndaluar investimin në armatimin bërthamor si rezultat i traktatit.
Takimi i parë i shteteve palë në Traktatin për Ndalimin e Armëve Bërthamore do të zhvillohet në Zyrën e Kombeve të Bashkuara në Vjenë nga data 22 deri më 24 mars 2022.
Në këtë takim inaugurues, shtetet palë në TPNW do të mblidhen për t’u angazhuar në veprime konkrete për zbatimin e detyrimeve sipas Traktatit, duke përfshirë sigurimin e ndihmës për viktimat e përdorimit dhe testimit të armëve bërthamore, fillimin e riparimit të mjediseve të kontaminuara (neni 6) dhe universalizimin e traktatit. (neni 12). Ky takim i parë i shteteve palë është gjithashtu një mundësi për shtetet që të diskutojnë disa nga detajet teknike të traktatit, si përcaktimi i një afati përfundimtar për eliminimin e armëve bërthamore për shtetet e armatosura bërthamore që i bashkohen atij (neni 4).
Shqipëria nuk e ka nënshkruar apo ratifikuar traktatin dhe ka votuar kundër rezolutës për miratimin e traktatit nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara. Duke qenë anëtare e NATO-s, Shqipëria ende bën rezistencë ndaj këtij Traktati.
Megjithatë, Norvegjia një anëtare themeluese e NATO-s dhe Gjermania kanë deklaruar se do të marrin pjesë në takimin e parë të shteteve palë në Traktatin për Ndalimin e Armëve Bërthamore si vëzhgues. Kjo do të thotë se ata po mendojnë të bëjnë hapa më të informuar më vonë drejt asgjёsimit të armëve bërthamore dhe nënshkrimit të traktatit.
Sërish, Shqipëria ftohet të marrë pjesë në takimin e parë të shteteve palë si vëzhguese dhe t’u bashkohet atyre vendeve që janë në anën e duhur të historisë.