Nga Ndriçim Kulla
Emri i Jakov Xoxës u përmend shumë në media, para disa javësh pas më shumë se 30 vjet ësh, saqë do ta kishte pasur zili çdo VIP i njohur i gjallë, në Shqipëri. Por jo për shkakun për të cilin u përmend i tij. Në prag të 100 vjetorit të lindjes së tij (1923), emri i Jakov Xoxës, fatkeqësisht nuk u përmend si shkrimtar, por për shkak se emrin e tij e mban një shkollë e mesme në Fier ku ndodhi një skandal seksual, një mësues abuzoi seksualisht me një nxënëse. Ç’ është më e keqja, mediat, me mënyrën e tyre të të shprehurit “lirshëm” thoshin gjëra të tilla si “Edhe një vajzë tjetër e dhunuar te ‘Jakov Xoxa’ në Fier”.
Kështu dukej sikur ngjarja kishte ndodhur në shtëpinë e Jakov Xoxës në Fier!Ngjarja në shkollën “Jakov Xoxa” në Fier, për shkak të presionit të medias, ua hoqi disi përgjumjen akademikëve tanë të vjetur e të përgjumur, e bëri qeverinë të reagojë, i shkundi institucionet tona të linjës. Shpresoj që kjo ngjarje të ketë pasur edhe një efekt anësor. T’ ju ketë shtënë në mendje që prej Akademisë së Shkencave, qeverisë, disa bashkive,Minisrisë së Kulturës, medias etj., se jemi në prag të 100 vjetorit të lindjes së shkrimtarit të shquar shqiptarë të anashkaluar e të heshtur padrtejtësisht Jakov Xoxës dhe se duhet bërë diçka e rënsësishme për përkujtimin e tij. Dikujt Jakov Xoxa mund t’ i duket i largët në kohë, se ai ka vdekur para kohe në kulmin e moshës krijuese, në 1979.Por mua personalisht jo.
Në gjysmën e dytë të viteve shtatëdhjetë fati më dërgoi që të bëj shërbimin e detyrueshëm ushtarak në fshatin Kryegjat dhe Hoxharë sot (Darëzez ) të Fierit, 1-2 km larg Pojanit (Apollonisë së lashtë) ku Jakov Xoxa bënte jetën e tij krijuese si shkrimtar që në vitin 1970 kur iu njoh e drejta e profesionit si shkrimtar në krijimtari të lirë.
Kjo vajtje e tij në Pojan ndodhi në kohën kur regjimi komunist u bënte thirrje shkrimtarëve dhe artistëve që të shkonin në qytezat e reja industriale dhe në fshat, të jetonin me ritmin e kohës, siç thuhej, të shkriheshin me punëtorët dhe fshatarët kooperativistë, të frymëzoheshin prej tyre dhe të krijonin vepra me përmbajtje të thellë dhe të kulluar ideologjike. A mos ishte vajtja e Jakovit në Pojan si një tallje e maskuar, si një kundërvënie e hollë, ndaj regjimit? Me vajtjen e tij realisht në Apolloninë e Lashtë, Jakovi në fakt dilte nga koha dhe shkonte në një kohë tjetër, atë të qytetërimit antik. A ishte kjo një nevojë e tij si krijues, apo një gjest distancimi ndaj regjimit komunist i cili kërkonte nga shkrimtarët vepra me përmbajtje ideologjike?
Jakovi në Pojan ishte diçka si tragjedianët e vjetër grekë në mërgim.E pakta ishte si Vikto Hygoi I mërguar në Guernsey.
Jakov Xoxa në jetën e tij bëri shumë armiq, për shkak të talentit të tij, jo të sjelljes së tij mjaft njerëzore. Armiqtë e tij qenë ziliqarë, ose të tillë që kërkonin të çanin para në jetë duke goditur njerëzit me vlera për të cilët e ndjenin se regjimi i shikonte me dyshim.
Vitet e fundit të jetës së Jakovit kanë qenë vite të shumë të vështira për të sepse ai e ndjente që laku i regjimit po shtrëngohej për të. Por ai qëndronte stoik ashtu siç kishin bërë filozofët në qytetin e lashtë rrëzë të cilit jetonte tanimë. Pikërisht në këtë periudhë e kam njohur unë Jakov Xoxën.
Ishin muajt e mi të parë në repartin ushtarak, në vendin e përmendur më lart, dhe unë isha zhgënjyer që në vend të ndodhesha auditorëve të Universitetit i apaionuar shumë për dije dhe kulturë gjendesha në Myzeqe si ushtar dhe menjëherë mbas mbarimit të këtij shërbimi i detyruar hyra si puntor në minierën e Valiasit në Tiranë , 400 m nën tokë. E gjitha kjo për shkak se biografia ime familjare kishte një cen të rëndë për regjimin komunist. Dy dajot e mi ishin arratisur dhe gjendeshin në Australi. Kur vajta në repartin ushtarak, u përpoqa ta humb mendjen, si i thonë fjalës, duke lexuar libra, në kohën e lirë. Kështu u bëra frekuentues i rregullt i bibliotekës modeste të repartit, ku pothuajse nuk shkonte askush. Siç rezultoi kisha qenë një nga frekuentuesit më të mirë të bibliotekës së repartit, ndër ushtarët në rang brigade. Për këtë më shpërblyen duke më përfshirë në një grup ushtarësh nga disa reparte të zonës, që do të takoheshin me shkrimtarin Jakov Xoxa, i cili, siç na u tha gjendej për t’ u frymëzuar në mes të masave punonjëse, këtu, afër, në Pojan.
Kjo gjë më gëzoi po aq sa ç’ më habiti shumë. Më gëzoi sepse Jakov Xoxa ishte ndër dy-tre shkrimtarët e mi të pëlqyer shqiptarë, bashkëkohës. Më habiti sepse unë e dija që këto veprimtari kulturore të repartit i organizonte komisari, i cili ishte në dijeni të cenit në biografinë time. A mos do të më kthenin pas kur të nisej grupi i ushtarëve? Apo akoma më keq, mos ndoshta kur të ishim ulur përballë shkrimtarit, do të më thoshin që të dilja jashtë? Nuk ndodhi kështu dhe kur e mendoj sot them që arsyeja është se regjimi e shikonte Jakov Xoxën si një shkrimtar jo të pastër ideologjikisht, pra të tillë që nuk “njollosej” nëse i rrinte pranë dhe e dëgjonte edhe një njeri me biografi të njollosur si unë.
Këto lloj takimesh nisnin me prezantimin e shkrimtarit apo artistit të ftuar, vazhdonin me fjalën e tij, dhe në fund mbylleshin me pyetje nga të pranishmit. Meqënëse nuk më dëbuan siç e prisja, u inkurajova dhe i bëra dy pyetje shkrimtarit. Në këtë pikë dua të them se nuk më pëlqen që të bëj rolin e “mikut të Belulit”, si në atë skeçin e famshëm, ku oratori duke bërë sikur fliste për Belulin, personalitetin të cilin ishin mbledhur ta përkujtonin, në fakt lavdëronte vetveten. Unë, duke sjellë kujtimet e mia për Jakov Xoxën dua që të tregoj se sa mendjehapur dhe pa kufizime ideologjike ishte ai, duke treguar me këtë karakterin e tij të lartë dhe kulturën e tij të madhe.
Nuk e fsheh se u përpoqa t’ i bëj përshtypje shkrimtarit me dy pyetjet e mia. Kaq pyetje mund të bënte maksimalisht një i pranishëm në një takim të tillë në atë kohë. Kuptohet se jo të gjithë të ftuarit bënin pyetje. Madje shumica e të pranishmëve e shikonin si një lloj angarie qënien në takime të tilla. Shumica e shokëve të mi ushtarë nuk bënin përjashtim nga kjo kategori njerëzish.
Në lidhje me pyetjen time të parë, në një nga revistat “Nëntori” të viteve gjashtëdhjetë që kisha gjetur në bibliotekën e shtëpisë, sot për saktësi mund të them se ishte e vitit 1965, nr. 6., kisha lexuar një intervistë të Jakov Xoxës ku ai fliste për planet e tij krijuese. Sipas kësaj interviste qëllimi i tij ishte që të shkruante një roman të llojit epope, siç quhej në atë, kohë, shumëplanësh dhe shumëvëllimësh, ku do të përfshihej edhe romani “Lumi i vdekur”, i vetmi që kishte botuar shkrimtari deri më atë kohë.(1965) Kohështrirja e ngjarjeve të këtij romani do të niste nga vitet njëzet për të vazhduar deri në vitet tetëdhjetë, nëse marr për bazë llogaritë e autorit. Ky roman fatkeqësisht nuk u shkruajt dot për shkak të vdekjes së parakohshme të Jakov Xoxës.
Por unë atëherë nuk mund ta dija këtë, prandaj e pyeta se deri ku kishte arritur procesi I krijimit, sigurisht pa na zbuluar sekrete autoriale.
Ai u befasua nga pyetja, për të cilën siç tha kishte pasur rastin ta dëgjonte nga ndonjë student shumë i mirë i gjuhë-letërsisë(Jakovi ishte edhe profesor i letërsisënë Fakultetin e Filologjisë në Tiranë), ndërsa këtu po e dëgjonte nga një ushtar, gjë që ishte megjithatë një e papritur e këndshme. Pastaj tha se ai i kishte bërë studimet universitare pas Ushtrisë, dhe këtu qeshi e vuri në dukje se me këtë donte të thoshte se u bë student pasi kishte qenë partizan.
Këtu heshti pak, qëndroi disa sekonda duke më parë në sy, si të donte të më jepte një mesazh të heshtur, të cilin unë e kuptova mirë dhe që ishte pak a shumë kështu: “Nuk e di more djalë se përse je këtu si ushtar ti që bën pyetje të tilla, por unë të quaj ty baras me studentët më të mirë të letërsisë që kam pasur. Sidoqoftë mos u ligështo se je ende shumë i ri dhe do të kesh edhe ti një mundësi.”
Pyetja e dytë imja ishte se fakti që shkrimtari po rrinte në Pojan e kishte frymëzuar edhe që të shkruante një roman ngjarjet e të cilit do të vendoseshin në Lashtësi, meqënëse pothuajse nuk kemi fare krijime të tilla. Jakovi qeshi dhe u përgjigj se një shkrimtar nuk mund të rrinte në Apolloni (këtë herë nuk tha “Pojan”, që ishte emri i prejardhur nga fjala “Apolloni”), dhe të mos i shkonte në mendje diçka e tillë. Por ai nuk tha se do ta bënte, dhe unë tani e kuptoj se për të shkruar një roman të tillë autori ishte idetyruar që të kërkonte leje më lart, siç thuhej, dhe kjo leje jepej pasi të kishte shkruar romane me temë nga jeta, puna dhe lufta e punëtorëve, fshatarëve, partizanëve. Jakovi dukej larg kësaj, se ai ende nuk e kishte shkruar romanin e premtuar publikisht në shtypin e kohës, me temë nga industria e naftës dhe as një roman për luftën partizane që dukej si detyrim sidomos për një shkrimtar, ish-partizan, siç ishte ai. Dhe Jakovi nuk shkroi asnjë nga këta dy romane që priste regjimi prej tij.
Nga mënyra se si i shkëlqyen sytë kur foli për një roman, ngjarjet e të cilit zhvilloheshin në Apolloninë e lashtë, kuptohej se një roman i tillë kishte nisur të skicohej në mendjen e tij, por edhe se dyshonte nëse do të mund ta shkruante ndonjëherë.
Kur erdhi koha që të largohemi, dhe shkrimtari na përcolli pak, ai më thirri mua, dhe duke më rrahur supet më tha: “E kuptoj se po vjen rrotull të më thuash diçka. Herën tjetër kur të kalosh këtej sille me vete edhe atë fletoren me krijimet e tua letrare!”
Pikërisht këtë doja të bëja unë, por nuk po e gjeja guximin. Vështirë se gjen shembull më të mirë të taktit me të cilin sillet një shkrimtar i madh me djalë tëri, tek i cili shikon shkëndijat e talentit. Belulizëm! Mund të thërresin disa. Po të mos harrojmë se miku i Belulit që kërkonte të përfitonte nga emri i Belulit të vdekur, nuk kishte krijuar dot një vepër vete. Ndërsa unë që po shkruaj sot këto grimca kujtimesh, nuk kam nevojë për këto gjëra të ndodhura para më shumë se katër dekadash për të promovuar veprën time. Unë tanimë kam krijuar një vepër dhe kam bërë një emër si autor, studiues, botues dhe gazetar. Dhe këtë e kam bërë pa treguar deri më sot këto detaje nga e shkuara ime. Sot, kur ato bëhen të ditura ky është një tregues nderimi dhe mirënjohjeje nga ana ime ndaj Jakov Xoxës, jo se këto kujtime më shërbejnë mua sot për t’ u promovuar.
Si lexues, por edhe si botues, kam një peng, që Jakov Xoxa ndërroi jetë para kohe, në moshën 59 vjeç, në 1979, duke mos na dhënë vepra të tjera që prisnim prej tij. Nëse do të kishte jetuar edhe pas vitit 1990 do të kishte mundësi të na jepte vepra të shkruara sipas dëshirës së tij, pa censurë. Dhe fare mirë mund të kishte jetuar edhe 15-20 vjet pas vitit 1990, duke pasur parasysh sa jetoi Dritëro Agolli, fjala vjen, ose moshën që ka arritur Ismail Kadareja. Dhe nëse do të kishte ndodhur kështu,do të kisha shpresuar edhe unë si botues, që të botoja ndonjë nga veprat e tij. Romanin për Apolloninë e lashtë, ndoshta, për të cilin nuk do të mungoja që ta nxitja që ta shkruante. Rrallë në jetën time kam ndjerë një hidhërim aq të madh sa kur mësova vdekjen e Jakov Xoxës.
Me siguri që lexuesit e këtij shkrimi kërkojnë të dinë se sa herë e takova unë Jakov Xoxën, përveç dy rasteve që jepen të përmendura këtu.Kuptohet se unë kisha dëshirë ta takoja sa më shpesh, por shëndeti i tij që sa vinte dhe përkeqësohej, si dhe puna krijuese të cilën nuk e braktisi deri në fund, përfshi këtu edhe detyrimet e mia në repart si ushtar, bënë që takimet tona të numërohen me gishtat e duarve. Disa prej tyre ishin shumë të shkurtëra, aq sa mund të quhen më shumë si përshëndetje, plus ndonjë batutë të tij për librat që më këshillonte të lexoja, sipas kërkesës sime.Kjo ndodhte kur kishin ardhur njerëz nga larg për ta takuar.
Dhe të tillë vinin jo pak, madje edhe nga përtej kufijve. Ndër ta kishte edhe shumë shqiptarë të Kosovës. Në fund të viteve shtatëdhjetë ishte akoma periudha e një lloj hapjeje mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë sa i përket marrëdhënieve të Shqipërisë me banorët e trojeve shqiptare në Jugosllavi, periudhë që vazhdoi deri në demonstratat e vitit 1981. Kjo bëri që në këtë periudhë shumë shqiptarë të Kosovës të vinin në Shqipëri, në kuadrin e shkëmbimeve dypalëshe kulturore, sportive, arsimore etj. Pothuajse të gjithë donin të takonin Jakov Xoxën. Arsyeja ishte e qartë. Jakov Xoxa ishte i pari shkrimtar nga Shqipëria e periudhës së pasçlirimit të vendit që u bë i njohur gjerësisht në Kosovë dhe në trojet e tjera shqiptare nëpërtej kufirit, madje në moshë të re, 40 vjeç. Kjo falë romanit të tij “Lumi i vdekur”(1964), personazhe të të cilit ishin edhe shqiptarët e Kosovës të vendosur në Myzeqe, në vitet 20-30.
Grupet e ndryshme me shqiptarë të Kosovës që vinin në atë kohë, shënonin Apolloninë ndër destanacionet e kufizuara që mund të vizitonin, vetëm sepse kishin dëgjuar që aty pranë ishte Jakov Xoxa dhe mund t’ i merrnin një autograf në librat e tij. Me këtë nuk dua të them se ata nuk kishin dëshirë ta vizitonin Apolloninë, por duke i pasur destinacionet e kufizuara, kjo mund të quhet një sakrificë e tyre.