Nga Fatos Tarifa
I nderuar z. Cakaj,
Krejt pa dëshirë, por i shtyrë nga ndërgjegjja profesionale dhe një sens i pakompromentuar angazhimi publik, detyrohem t’ju shkruaj edhe këtë herë – për të dytën herë në Dita gjatë dy muajve të fundit, që personit tuaj i është deleguar detyra për drejtimin e Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme – me një vërejtje miqësore për metodën me të cilën po e kryeni këtë detyrë dhe gjuhën me të cilën i flisni publikut.
Dëgjova deklaratën për shtyp që ju dhatë dy ditë më parë dhe nuk mund të rri pa ju vënë në dukje se mbeta sërish i zhgënjyer nga mesazhi që i komunikuat publikut dhe nga gjuha me të cilën e parashtruat atë mesazh.
Në një kohë si kjo e sotmja (dhe kjo është një kohë shumë e vështirë, që brenda dhe jashtë vendit perceptohet si një periudhë krize politike), unë prisja nga ju, si drejtuesi më i lartë i dikasterit që përpunon dhe zbaton politikën e jashtme të Republikës së Shqipërisë, të flisnit për strategjinë e integrimit në Bashkimin Europian dhe marrëdhëniet diplomatike dy dhe shumëpalëshe me shoqërinë ndërkombëtare, që ta informonit publikun shqiptar për ato çfarë ka bërë ministria që ju drejtoni në këta dy muaj dhe për angazhimin e atij institucioni për të përballuar sfidat e mëdha me të cilat ndeshemi.
Ju nuk e bëtë këtë dhe, ndoshta, nuk mund ta bëni dot. Ju folët vetëm për një çështje, të cilën edhe unë, njëlloj si ju, e konsideroj shumë shqetësuese – cilësinë profesionale të trupit diplomatik. Por, edhe për të, ju folët jo si një diplomat i rangut të lartë, por si një punëtor partie, ose – për të evituar çdo keqkuptim – si një teknokrat që Ministrinë e Jashtme dhe shërbimin diplomatik i sheh si një korporatë.
Një diplomati në pozicionin tuaj nuk i shkon – dhe nuk i lejohet të flasë – për një “Shqipëri të miqve, të kushërinjve politikë apo të klaneve e të krushqive të kujtdo qoftë”. Ky është një ligjërim politik, jo diplomatik; ai mund t’i shkonte kryeministrit të vendit dhe çdo politikani, por jo një diplomati.
Një ligjërim i tillë mund të ishte i pranueshëm, ndoshta, edhe për drejtuesin e çdo dikasteri apo institucioni tjetër shtetëror, fjala vjen për kreun e Ministrisë së Shëndetit dhe Mbrojtjes Sociale, apo për kreun e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, por jo për drejtuesin e shërbimit diplomatik të vendit.
Ndërsa ju flisnit për “miq”, “kushërinj”, “klane” e “krushqi” në Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme dhe në misionet diplomatike përfaqësuese të Shqipërisë në organizata ndërkombëtare ose në shtete të tjerë, unë i “përktheja” fjalët tuaja siç mund të tingëllojnë ato në veshët e ambasadorëve të huaj në Tiranë, ose në veshët e zyrtarëve të huaj me të cilët komunikojnë dhe negociojnë ambasadorët tanë në vendet e Bashkimit Europian dhe kudo gjetkë në botë.
Ministri i jashtëm është fytyra e shtetit të vet jashtë kufijve territorialë të tij dhe çdo fjalë e shprehur (e thënë ose e shkruar) prej tij është një mesazh, të cilin e marrin, në radhë të parë, diplomatët e huaj që përfaqësojnë qeveritë e vendeve të tyre në Tiranë, ose ata që përfaqësojnë organizatat ndërkombëtare në të cilat Shqipëria është palë.
Shqetësimet tuaja të drejta lidhur me mangësitë profesionale të një pjese të trupit diplomatik shqiptar, “emërimet nepotike, me lidhje familjare” në Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme apo në misionet diplomatike jashtë vendit, si dhe me nevojën e ndryshimeve në shërbimin diplomatik janë shqetësime të brendshme të sistemit, të dikasterit dhe të kulturës politike që i ushqen ato dhe, ipso facto, duhen adresuar së brendshmi, nga vetë dikasteri që juve u është besuar të drejtoni. Pa zhurmë, pa tam-tame dhe, sidomos, pa i përcjellë publikut shqiptar dhe misioneve diplomatike në Tiranë mesazhin e pavërtetë e të gabuar se ajo ministri, që sot e drejtoni ju, para jush ka qenë një çerdhe praktikash të korruptuara e të politizuara emërimi në shërbimin diplomatik.
Ky është një mesazh jo vetëm aspak diplomatik, por edhe i pavërtetë në përmasat që përshkruani ju.
Prudenca dhe sensi realist në trajtimin e çështjeve janë cilësi esenciale për çdo individ me përgjegjësi shtetërore, sidomos për titullarin e Ministrisë përgjegjëse për marrëdhëniet e vendit të vet me shoqërinë ndërkombëtare. Kjo prudencë dhe ky sens realist nënkuptojnë edhe një qëndrim dialektik në vlerësimin e përvojave të shkuara, jo një ndarje drastike me to.
Ju nuk e gjetët Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme, në të cilën ishit punësuar edhe vetë për pak kohë, në funksionin e zëvendësministrit, një shkretëtirë, apo një institucion të molepsur me “miqësira e krushqira”, por një terren të begatë dhe një institucion me arritje të pamohueshme në përpunimin dhe zbatimin e politikës së jashtme të qeverisë shqiptare. Ajo ministri nuk ka ekzistuar vetëm këto 77 ditë që e drejtoni ju, por ka qenë e do të jetë – edhe pas jush – një ndër institucionet më të rëndësishëm të shtetit, i destinuar t’i kryejë shtetit dhe shoqërisë shqiptare një prej shërbimeve më jetikë.
Paraardhësi juaj, z. Ditmir Bushati, ndaj të cilit ju, edhe pse nuk ia përmendët emrin, adresuat kritika të ashpra, ka bërë për atë ministri, për qeverinë dhe për vendin e tij një punë që juve u përket ta vazhdoni, jo ta anatemoni. Ky do të ishte një qëndrim prudent dhe realist nga ana juaj – të vazhdoni punën e mirë të paraardhësve tuaj, të përfitoni nga përvoja e tyre, por edhe të mësoni nga gabimet e tyre, që ju të punoni më mirë e të gaboni më pak.
Dhe, nëse diçka nuk shkon mirë në “shtëpinë” tuaj, në ministrinë që ju drejtoni, ndreqeni atë pa vënë tellallin, pa bërë deklarata të bujshme dhe pa na thënë ne, shqiptarëve dhe misioneve diplomatike në Tiranë se sa prej punonjësve të Ministrisë së Jashtme dhe diplomatëve në misioniet tona diplomatike do të pushoni nga puna, si persona non grata për shërbimin diplomatik shqiptar.
Kjo nuk përbën një çështje me interes publik (edhe nëse ju e bëni për të qenë “transparent” me publikun) dhe aq më pak bën kuptim që t’u ofrohet për konsum diplomatëve të huaj.
Së fundmi, dëshiroj t’ju shpreh rezervimin tim ndaj dëshirës suaj për t’i plotësuar vendet e lira në organikën e ministrisë së jashtme me “studentë të ekselencës”. “Ekselenca” vetë është një koncept dhe një term aspak ekselent, sa kohë që, si çdo gjë tjetër në këtë botë, të qenurit “ekselent” s’është veçse relativ.
Përveçse diplomat me një karrierë të gjatë e të rëndësishme, unë kam qenë dhe jam për më shumë se tri dekada edhe një profesor universiteti, brenda e jashtë vendit, dhe nga këto dy perspektiva – ajo e diplomatit dhe e pedagogut – kam arritur të kuptoj se notat e shkëlqyera në shkollë nuk e bëjnë këdo domosdoshmërisht “të shkëlqyer”në profesionin e tij të ardhshëm. Kjo është edhe më e vërtetë në sferën e diplomacisë, në të cilën, përveç aftësive teorike në fushën e teorisë së shtetit, të së drejtës e të marrëdhënieve ndërkombëtare, kërkohen shprehi, aftësi dhe një kulturë diplomatike që nuk mësohen në shkollë, aq më tepër kur shkollat tona, edhe ato më të mirat, ofrojnë thuajse asgjë në këtë drejtim.
Me respekt,
Prof. Fatos Tarifa
(Gazeta Dita)