Gruaja tregon tmerrin, dëshmia rrëqethëse në gjyq: Si ma vranë burrin grabitësit

Aktualitet Sociale

Në Gjykatën e Tiranës është duke u zhvilluar procesi gjyqësor në ngarkim të dy autorëve të dyshuar të vrasjes së tregtarit Agim Buci, rreth një vit më parë në Kamzë.

Ndërkohë, procesi ndodhet në marrjen e provave të Prokurorisë. Kujtojmë se të pandehurit, Vladimir Kurti dhe Ruzhdi Hoda, u arrestuan pak ditë pas ngjarjes së rëndë që tronditi kryeqytetin, në prill të 2018-s, ndërsa para Gjykatës kanë dhënë dëshminë e tyre bashkëshortja e viktimës dhe vajza e tij, të cilat kanë treguar për momentin e ngjarjes.

Vetëm pak minuta do të zgjaste tmerri i përjetuar dhe jeta e tyre do të ndryshonte, ndërsa do të humbitnin njeriun e tyre të dashur në ambientet e biznesit privat. Kujtojmë se, grabitja në Kamzë vinte pas një tjetër grabitjeje me armë të ndodhur në qytetin e Fierit, ku mbeti i vrarë Agur Vrenozi, duke u përpjekur të ndihmonte një tregtar.

SEANCA

Bashkëshortja e viktimës Agim Buci u plagos me një plumb gjatë grabitjes me armë në marketin e familjes, ndërsa në sallën e gjyqit u paraqit e emocionuar dhe mbajtur me anë të një paterice. Ndërsa e pyetur në lidhje me atë çfarë ajo mbante mend nga grabitja me armë që do t’i merrte jetën e bashkëshortit, është përgjigjur se kanë qenë të dy në fillim brenda marketit, ndërsa ajo vetë është hasur me ta, fillimisht jashtë, ku tregon se është trembur pasi i kishte parë të armatosur.

Ndërkohë, Prokuroria si provë kundër të rinjve ka edhe pamjet filmike të biznesit. Aty rindërtohet e gjithë skema e krimit të rëndë, ku duket se të dy autorët janë të veshur sportivë, me kapuç në kokë dhe fytyrën komplet të mbuluar. Ata fillimisht kërkojnë në sirtar dhe në ambient për vlera monetare, kjo gjatë kohës që bashkëshortja e viktimës ishte në pjesën e magazinës. Ndërkohë, në vendin e ngjarjes ka qenë edhe djali i vogël i familjes, për të cilin, bashkëshortja e të ndjerit thotë se Buci ka reaguar për ta mbrojtur.

AKUZA DHE SIGURIA

Dy të rinjtë në cilësinë e të pandehurve, Kurti dhe Hoda, janë vënë para akuzave të “Vjedhjes me armë me pasojë vdekjen” e kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi e mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”. Seancat e zhvilluara në Dhomën Penale të Gjykatës së Tiranës zhvillohen me masa të larta të sigurisë, kjo për shkak të shmangies së ndonjë përplasjeje të familjarëve të autorëve të dyshuar me ata të viktimës.

Kujtojmë se edhe pas ngjarjes, për shkak se familjet ishin në afërsi të njëra-tjetrës, familja Kurti i trembej një hakmarrjeje të mundshme, ndërsa familja Buci kërkoi dënimin maksimal të autorëve të ngjarjes. Kujtojmë se gjatë vlerësimit të masës së sigurisë për dy të dyshuarit, as njëri, as tjetri nuk e pranoi se kush kishte qëlluar mbi Agim Bucin dhe bashkëshorten e tij, por, sipas Policisë, ai ka qenë Vladimir Kurti.

“Vladimir Kurti ka kryer vrasjen e Agim Bucit dhe plagosjen e Merita Bucit. Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar makina ‘Volklsvagen’ e përdorur nga autorët. Policia është shprehur e vendosur për bllokimin me forcën e ligjit të çdo akti kriminal”, shkruante Policia.

DËSHMIA

Çfarë kujtoni nga ngjarja e datës 25 prill 2018?

Kemi qenë të dy në market në mbrëmjen që ndodhi ngjarja. Pak më vonë në dyqan erdhi djali i vogël dhe me kërkoi që ta ndihmoja për detyrat. Në momentin që ishim gati duke mbyllur qepenat, bashkëshorti im Agimi më thirri në magazinë, ku ishte duke bërë disa sistemime të mallit.

Kur i keni parë grabitësit? Pasi shkova në magazinë, mora disa portokaj që ishin të prishura për t’i hedhur. Në momentin që dola në dyqan, përpara meje ishin dy persona të maskuar.

Si ishin ata, mund të na i përshkruani?

Të dy personat që kisha përballë, ishin të maskuar dhe njëri kishte pistoletë në dorë, ndërsa tjetri m’u duk se kishte thikë, por nuk jam e sigurt sepse nuk arrita ta shikoja mirë. Në ato momente më zuri frika se aty ishte edhe djali i vogël, kam hedhur gjëra në drejtim të tyre.

Çfarë ndodhi më pas?

Mua më kanë qëlluar me pistoletë në këmbë dhe më pas aty erdhi Agimi. Ai erdhi menjëherë dhe u përlesh, pasi njëri nga personat e maskuar kishte kapur djalin te supi. Në këtë moment, njëri prej tyre e qëlloi me armë. Ata janë larguar me shpejtësi nga aty, ndërsa ne kemi qenë të shtrirë në tokë. Në dyqan erdhi vajza, e cila ishte e frikësuar dhe mes ulërimash më pyeti çfarë ndodhi. I kam thënë se na vranë hajdutët. Goca thirri xhaxhain, bashkë kanë ngritur Agimin dhe mua dhe na kanë nisur për në spital, por Agimi nuk arriti të shpëtonte dot.

Arritët të njihnit ndonjë nga personat që tentuan të kryenin grabitjen në dyqan? Ata ishin të maskuar dhe unë nuk arrita t’i shikoja se kush ishin.

/panorama

Share: