Pse pakënaqësinë ndaj Shqipërisë e lidhin me Ramën?

Analizë Opinion

Nga Ben Andoni

Retorika e gjatë e kryeministrit shqiptar në Kosovë mbushur me figuracionin e tij të zakonshëm dhe diskursin parabolik kuptohet se nuk do përcillej mirë në Kosovë. Më mirë nga të gjithë këtë e ka kuptuar vetë Edi Rama, që e di qartë se kreditet e tij nuk janë njësoj nga ato që kishte në kohën e pas vizitës historike në Beograd.

Ashtu si ndodh rëndom me politikën e shqiptarëve, ne nuk vlerësojmë ngjarjet dhe kulmet por detajet. Është e vërtetë që djalli fshihet në detajet. Është e vërtetë që detajet tregojnë shumë, por një gjë është edhe më e qartë: Historia e pushtetarëve, që kërkojnë vend në histori, i referohet datave dhe vendimeve në kohën e duhur. Shqipëria përballë Kosovës e ka bërë këtë me të gjithë peshën e saj. Fjala dhe artikulimi i kryeministrit shqiptar në Beograd tregon shumë por ajo nuk është vlerësuar si duhet. E para se stafi i kryeministrit i frustruar nga hija dhe prepotenca  e tij nuk i ka dhënë peshën e duhur. Kurse, nga ana tjetër, kundërshtia në Shqipëri dhe Kosovë tashmë është kaq e madhe saqë për çdo gjë përgjegjës është vetë Rama. Ashtu si edhe është qoftë për ato vendime që kanë ndikuar për të mirë dhe ato që po e rëndojnë si Eurobondi e me rradhë, që sot ka pak vend tek ne.

E fundit, Rama u anatemua në Kosovë edhe kur tërhoqi në mënyrë shumë civile padinë nga ish-kryeministrit Haradinaj për diçka që ai besonte se akuza nuk qëndron e nuk e ka bërë ose ka ditur për ndërrimin e territoreve dhe momentalisht koha po e vërteton. Madje ndërrimi i territoreve Kosovë-Serbi është një nga diskurset që ndan sot e kësaj dite ekipet e presidentit Trump me njëri-tjetrin. Kryeministri po përflitet edhe në të gjithë mbështetjen e tij patetike për Kosovën, paçka se mendimi më i ftohtë është që të pritet nëse Gjykatësi do e marri përsipër padinë ndaj presidentit Thaçi apo jo.

Por Kosova me Shqipërinë ka pakënaqësinë e marrëveshjeve të firmuara dhe të pa vëna në punë, ashtu si mbi kryeministrin Shqiptar “rëndon” marrëveshja tre palëshe Shqipëri-Serbi-Maqedoni e Veriut për Shengenin Ballkanik që nuk u përcoll aspak mirë në Prishtinë, paçka se kohë më parë Kosova ishte pjesë e këtij institucioni.

Është e pamundur që Rama të mos marrë mbi vete të gjithë anatemën e gjendjes së vështirë ekonomike, e cila është shtuar nga pasojat e tërmetit dhe pandemia, por duket se është e padrejtë që e gjitha të lidhet me të. Opozita jashtë parlamentare  i ka dhënë një dorë me paqartësinë e saj gjendjes së vendit, duke e mbajtur në pushtet, kurse ajo brenda parlamentit me dobësinë dhe pafuqinë e vet për të artikuluar ide. Ndaj, Rama po administron një pushtet që i ka mbetur dhe që ai po e menaxhon me kujdes por edhe me shumë sfilitje drejt një mandati tjetër, që do të ishte aspak i mirë për shqiptarët dhe mbi të gjitha ndryshimin e kërkuar. Tek e fundit, ai mbetet përgjegjës për të gjithë këtë gjëndje, pasi ai ka marrë përsipër të administrojë vendin dhe madje të kërkojë sërish një mandat të tretë.

Share: