A do mundet Basha ta bashkojë PD-në?!

Analizë Opinion

Nga Ben Andoni

Janë thënë e stërthënë shumë gjëra për PD-në, por ndërsa po afron numërimi mbrapsht për zgjedhjet e përgjithshme, një gjë dihet qartë: PD vazhdon të jetë e përçarë dhe e mbushur me hatërmbetje të mëdha. Po e nisim nga kryetari i nderit Sali Berisha, që me shumë gjasa nuk do jetë në parlamentin e ardhshëm dhe që kjo parti nuk i përgjigjet më frymës së tij, paçka se në publik ish-kryeministri jep idenë me njerëzit e tij përreth se ai mbetet aktiv. Kryetari i ri Basha po përsërit të njëjtin ritual para zgjedhor, që në këto kushte është i arsyeshëm, duke pyetur njerëzit, duke mbledhur vërejtjet dhe ankesat e tyre. Dhe, duke dhënë premtime. Por në dialogun e tij disi pa entuziazëm, një sërë deklaratash duken hapur konfuze. Si për ironi, më në fund, PS-ja kuptoi se duhet të jetë më dashamire me biznesin e vogël dhe këtë po e manifeston në praktikë. Pak ditë më parë Rama premtoi se:”… shumë shpejt do ta ligjërojmë që biznesit të vogël, çdo shqiptari që krijon punë me një biznes të vogël deri në 140 mijë dollarë xhiro do t’i heqim taksat deri në vitin 2029. Ne do të heqim tatim fitimin deri në vitin 2029 dhe heqjen e tatimi fitimit do ta bëjmë tani”.

Ndërkohë që nga ish-kryetarja e Kuvendit, Topalli dhe me radhë të gjithë të larguarit e tjerë VIP vetëm e qesëndisin Bashën dhe njerëzit e tij duke shpalosur të metat, që PS-ja ia shumëzon dyfish. Forca e Patosit dhe e pak njerëzve si ai as nuk merret parasysh jo më të respektohet.  Kurrë PD nuk ka qenë kaq e lëngët dhe kaq pa formë sesa kjo PD, që drejtohet nga kryetari Basha, i cili nuk e merr dot formën e një institucioni në vetë partinë e vet. Është e tepërt që e vetmja strategji që përdoret dhe të cilës ai i beson verbërisht është: Largimi i Ramës. Kjo, për faktin e thjeshtë, pasi njerëzit tashmë nuk bëjmë më shumë dallime mes Ramës, që është në pushtet absolut prej tetë vitesh dhe të tjerët pa pushtet si ai, që jetojnë njësoj dhe në mos më me luks sesa kryeministri. Vetë Basha është shembull jo i mirë për këtë, por më shumë për njerëzit e bazës që po vuajnë një qeverisje aspak të mirë.

E megjithatë, njerëzit duan një frymë të re dhe Bashës po i afrohet një mundësi e vyer, që shkon me bjerrjen e frymës së kryeministrit për të sjellë diçka ndryshe. Për fat të keq kjo mungon, ashtu si mungon dhe predispozita e sinqertë për të hapur partinë, paçka se “baza do të propozojë dhe përzgjedhë emrat e atyre që do të mbushin listën e kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike, ne do ti fitojmë zgjedhjet”. Deri më tani, njësoj si PD dhe PS kanë treguar se me listat janë aspak të drejta, duke vendosur konjukturat e tyre në vende të mira dhe të tjerët jashtë. Në fund dihet, zgjedhja bëhet në limitet e kërkuara në orën 12.00 të mesnatës, ku  partitë PD dhe PS janë mjeshtre që t’i përfundojnë konfigurimet e listave, në mënyrë që askush të mos marrë vesh si duhet se çfarë bëhet realisht. Por tashmë mbi PD-në s’ka më kërkesë të reformohet në bazë dhe në struktura, por ajo duhet ta tregojë dhe në formë, që është PD-ja e cila i ka munguar Shqipërisë në këto vite. Për fat të keq nga zhvillimet dhe prurjet profesionale të PD-së nuk ka shenja pozitive dhe kjo i bën kundërshtarët e saj të fërkojnë duart me kënaqësi…për zgjidhjen e kryetarit të PD-së. (Javanews)

Share: