E megjithatë, po ia zgjasni jetën Edi Ramës!

Analizë Opinion

Nga Ben Andoni

“Nuk keni parë asgjë akoma” është një shprehje që e kemi dëgjuar shumë ditët e fundit nga politikanët shqiptarë. E ka përdorur në parlament kryeministri Edi Rama, ndërsa e kanë përcjellë me të njëjtën sintaksë mëtuesi për kryeministër Lulzim Basha dhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, përveç Berishës.

Zhvillimet e ditëve të fundit, po e provojnë realisht faktin se ne nuk e kemi parë akoma se çfarë mund të ndodhë. Që do të thotë: Tashmë kemi një djegie mandatesh nga komuniteti i partive të Opozitës në Parlament, që nëse procesi do të shkojë deri në fund dhe nuk është një blof, atëherë shënon një risi, por edhe një cak, ku deri më sot nuk është arritur ndonjëherë.

Deklaratat e OSBE-së, Ambasadës Amerikane dhe përfaqësuesve të kancelarive të huaja për braktisjen e dhunës, jo thjesht janë të padëgjueshme për veshët e Opozitës, por duket sikur janë një harxhim fryme në një realitet që ata nuk e kuptojnë. Në fakt, të huajt e kuptojnë shumë mirë realitetin shqiptar, por i vetmi shqetësim i tyre mbetet angazhimi dhe harxhimi i kohës me një çështje, që ata do e zgjidhin me siguri dhe si zakonisht për pak javë.

Përfundimi do të jetë që standardet demokratike nuk do të arrihen, kurse opozita me çfarëdo që të arrijë me gjuhën e forcës dhe demaskimin e Edi Ramës do të zërë vendin e vet, por me më shumë hapa më pas dhe madje edhe më shumë e diskretituar. E provoi së fundi në vitin 2017 kur mori disa ministri dhe madje i certifikoi Zgjedhjet, madje edhe kryetari i KQZ-së erdhi nga radhët e saj, që më vonë do të zbuloheshin se ishin jo pa probleme.

Historia e marrëdhënieve të tendosura me të huajt është e zakonshme për politikanët shqiptarë. Përmendja e organit më prestigjioz amerikan mediatik si letër higjienike nga ana e Berishës dhe atakimi i ashpër që i ka bërë ai disa ambasadorëve apo kundërshtimi në vitin 1996 i FMN dhe Bankës Botërore të vlerësimit të tyre mbi piramidat, shtuar me gjuhën përdredhëse të Lulzim Bashës ndaj deklaratës së Përfaqësisë së SHBA-së tregon se Shqipëria është në një qerthull të rrezikshëm. Njësoj mund të thuhet për deklaratat me ekuivokë të Edi Ramës por edhe gjuhën e përdorur prej tij. Ndërkohë që situata e Shqipërisë ka treguar se edhe të huajt e njohin fare pak vendin, në mënyrë që të mundohen të japin këshilla.

Për habi është fakti se: Edi Rama në ditët e fundit po rimbledh kreditet që ka humbur me drejtimin e tij me shumë dobësi të vendit, por edhe me humbjen e madh të besimit në popull.

E gjithë kjo lëvizje e opozitës, që duhet përshëndetur për masivitetin, ka marrë kritika të arsyeshme për dhunën (dhe justifikimin e saj) dhe pritet që të mos e bëjë të reflektojë  qeverisjen socialiste, e cila në mandatin e dytë, njësoj si paraardhëset e saj pothuaj është fashitur. Nëse për fatin e saj, kreditet nuk do ia falte Basha me ndjekësit e tij apo veprimet e ish-kryeministrit me diskursin e tij tejet agresiv, krejt të huaj për botën demokratike.

Njerëzit frikësohen jo më për rrëmujën, me të cilën jemi mësuar tashmë, por sepse kryeministri Rama po del gjithnjë e më i fortë duke e kalcifikuar pushtetin e tij. Nuk është çudi që nëse do të realizonte zgjedhjet shpejt (një skenar krejt i pranueshëm në këto momente), ai do të merrte po aq vota sa do t’i duheshin për të drejtuar sërish, për të lënë me gisht në gojë Lulzim Bashën por edhe popullin, që është realisht i zhgënjyer prej tij dhe ligjërimit prepotent të tij. Dhe, ky paradoks i bie që vërtetë njerëzit të konkludojnë: “Vërtetë, nuk kemi parë asgjë akoma”. (Javanews)

Share: