A jemi robër të ekspertëve për ndikimin e Rusëve?!

Analizë Opinion

Nga Ben Andoni

Ditët e fundit ka një përshkallëzim të asaj që thuhet në përgjithësi për rrezikun rus. Pa marrë përsipër të vërtetën apo jo, një gjë dihet mirë: Shqipëria ia ka mbyllur derën Rusisë për të mos ia hapur më (ose për një farë kohe) sa i përket intensifikimit të marrëdhënieve. Vetë, superfuqia sllave është e vetëdijshme për këtë fakt dhe më kot ambasadorët e saj në Tiranë apelojnë se vendi i tyre nuk ka asgjë me Shqipërinë dhe se presin nga vendi ynë që të hedhë hapin për të intensifikuar marrëdhëniet.

Shqipëria, qysh nga ardhja e Sekretarit Amerikan të Shtetit, James Baker në vitin e largët 1991 ka treguar një proamerikanizëm të hapur dhe madje në nota shumë më të larta se disa prej aleatëve të saj më jetëgjatë. Është kjo politikë por më shumë prirje e shqiptarëve, që i ka stepur ndërkombëtarët ose më saktë ata që konfliktohen me SHBA-në. Kuptohet se gjatë historisë sonë të re në Demokraci kemi pasur edhe devijime si në rastin e votimeve në OKB apo së fundmi për Armët Kimike, por Shqipëria i është bindur gjithçkaje që i është servirur nga Ëashington-i zyrtar.

Në kohët tona ka shumë ekspertë të çështjeve të përbotshme dhe jo pak nga ata që mëtojnë se njohin çështjen amerikane, por duket se vullneti i tyre për të treguar më shumë është bërë tmerrësisht lodhës. Kjo për faktin se një pjesë jo e vogël këtej dhe matanë nuk e njohin realisht marrëdhënien mes të dy vendeve tona, por nga ana tjetër as nuk e kuptojnë realisht ndikimin e egër rus. Që ky ndikim të ketë rrezikshmëri, këtë një nga deputetët e PS-së e konfirmoi me të dhënat në gjykatë, duhet parë nga provat por fakti është se Shqipëria me atë nivel që e ka Sigurinë mund të jetë lehtësisht e shantazhueshme. Nga ana tjetër, kuptohet se interesi rus për Shqipërinë nuk duket kaq i madh, ashtu si ndërfutja e tij në punët e brendshme për një vend ku nuk ka interesa.

Të bëjnë përshtypje prodhimet e shumë specialistëve të shoqërisë civile apo mediatikë, që ashtu si kolegët e tyre jashtë flasin për problematika të vendeve që nuk i njohin, që nuk dinë gjuhët e tyre, ku mund të konsultojnë ide, që nuk i kanë shkelur kurrë këto vende dhe më shumë akoma që nuk kuptojnë interesat e tyre reale në rajone të veçanta. Është për të ardhur keq që ky trend tashmë është edhe në vendet shumë më me zhvillim se Shqipëria dhe qoftë dhe vetë tek ne. Por, kjo është një temë tjetër, sepse pas lajmeve të tilla qeveria jonë shkëput vëmendjen reale për t’iu derdhur agresionit rus me ndikimin e saj.  (Javanews)

Share: