Shkruan: Jolanda LILA, Tiranë
“Në qoftë se më vrisni, ruajeni gjakun tim, që me të fëmijët të shkruajnë gjuhën shqipe” ishte deklarata e Petro Nini Luarasit ndaj autoriteteve të Patrikanës greke në vitin 1910. Kjo nuk është një deklaratë patetike ose legjendë urbane, por është thirrja e shpirtit të njeriut që parashënjoi fundin e vet, fund që do t’i vinte pikërisht një vit më pas (më 1911), si pasojë e helmimit nga grekët. Ai mori mallkimin e Dhespotit të Kosturit, sepse e shfrytëzoi detyrën e tij si mësues në shkollat greke të Ersekës e Kolonjës, për të përhapur gjuhën shqipe. Gjatë 30 vjetëve aktive në veprimtari atdhetare dhe si mësues i palodhur i grupmoshave e i shtresave të gjëra të popullit shqiptar, ai arriti të hapte 7 shkolla të ndryshme në gjuhën shqipe (mes tyre rihapi edhe “Mësonjëtoren e Korçës, në vitin 1888) dhe të mësonte me qindra e mijëra shqiptarë, deri në ditën që dha shpirt.
Sot, pas 132 vjetësh nga hapja e shkollës së parë shqipe, të ndërmenden intelektualë si Petro Nini Luarasi, që u burgos dy herë derisa ia morën jetën me anë të helmimit; pastaj Papa Kristo Negovani, që ia dogjën shtëpinë dhe e vranë barbarisht në moshën 30-vjeçare me thika e sëpata, duke ia tërhequr zvarrë trupin e pajetë, së bashku me atë të vëllait të vet dhe të katër veprimtarëve të tjerë të Kishës së Negovanit, ku të gjashtët përhapnin gjuhën shqipe dhe meshën e mbanin po ashtu në shqip; të njëjtin fat tragjik e patën edhe Koto Hoxhi, Papa Llambro Ballamaçi, Spiro Kosturi e shumë të tjerë, që u vetëmohuan për përhapjen e gjuhës shqipe.
Mbetesh e mahnitur, teksa njihesh me biografinë e secilit prej këtyre mësuesve shëtitës, që të pangrënë e me trastat plot libra lëviznin sa në njërin vend në tjetrin, për t’u mësuar shqipen fëmijëve e pleqve. Kërcënimet nga autoritet shtetërore e klerikale vetëm sa ua shtonin ngarendjen për ta plotësuar sa shpejt dhe sa më gjerësisht misionin e tyre.
Këta mësues të parë të shqipes nuk i përkisnin kategorisë së intelektualëve, që për ca interesa e privilegje personale, ta braktisnin misionin e lartë të përhapësit të dijes dhe të viheshin në shërbim të të huajve. Të mëkuar me frymën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, ata bënë gjithçka që të sillnin “pranverën shqiptare”, e cila zyrtarisht erdhi më 7 mars të vitit 1887. Sigurisht, që historia e shkollës shqipe zë fill qysh në thellësinë e shekujve, por kjo konsiderohet si datë zyrtare për faktin se u njoh institucionalisht si shkollë edhe nga autoritetet e kohës. Për ta përudhur këtë histori të arsimimit shqip është derdhur shumë mund e gjak dhe shumë njerëz me vetëdije të plotë janë flijuar për ta përhapur “dritën e diturisë”.
Mes korifenjve të arsimit shqip ishte edhe Pandeli Sotiri, i cili vetëm një vit pasi shërbeu si mësues dhe ishte drejtor i parë i “Mësonjëtores së Korçës”, u vra në pabesi nga grekomanët, me synimin që shkolla e parë shqipe të mbyllej. Ashtu ndodhi. Shumë herë u mbyll e u rihap kjo shkollë, ashtu si shumë të tjera nëpër Shqipëri dhe çdoherë fati i patriotëve që punonin nëpër shkollat shqipe qe i njëjtë: e vulosën me gjakun e vet historinë e arsimit kombëtar, me një kurajë e trimëri të pashembullt dhe të paimagjinueshme për ne shqiptarët e ditëve të sotme, që jetojmë në një tjetër shekull e me të tjera kushte e me një botëperceptim të ndryshëm.
Paradoksalisht, sot pas 132 vjetësh, jo vetëm që thuajse janë harruar këto figura të arsimit shqip, por po përdhoset autoriteti e prestigji i vetë shkollës dhe i gjuhës shqipe në përgjithësi. Etja e madhe e dikurshme për dije është zëvendësuar me indiferentizmin e skajshëm dhe nacionalizmin fals, e duket sikur koordinatat e analogjisë mes dy periudhave janë zhdukur pa lënë asnjë gjurmë.
Lufta e patriotëve mes maleve, burgjeve, varfërisë, shtegtimit mes kurbeteve për të gjetur fonde për hapjen e shkollave shqipe dhe martirizimi i tyre për një ideal të vetëm, është këmbyer me mësues që luftojnë të sigurojnë jetesën përmes një rroge mujore dhe që shumë rrallë e ndjejnë me shpirt peshën e madhe që ka profesioni i tyre. Ata që kanë në dorë vetë jetën intelektuale e shpirtërore të fëmijëve, nuk e vlerësojnësiç duhet misionin e tyre, por e e kryejnë punën për ta kaluar radhën.
Ky vlerësim për veten është rrjedhojë edhe e vlerësimit që u bëhet prej të tjerëve, konkretisht nga instancat shtetërore, ku përveç pagesave të ulëta, për profesionin më të rëndësishëm rekrutohen studentët që përfundojnë studimet me rezultatet më të dobëta. Konkurset bëhen mbi baza të bindjeve partiake dhe angazhimeve elektorale dhe jo mbi bazën e parametrave profesionale.
Ky përçudnim i figurës së mësuesit e ka zvetënuar ndjeshëm edhe figurën e atyre që e meritojnë vërtet mbajtjen e pishtarit të dijes. Prestigji i mësuesit është zbehur edhe përpara nxënësve, të cilët e tregojnë në forma të panumërta mungesën e respektit për ta.
Teksa arsimi në Shqipëri rrënohet çdo ditë, askush nuk shqetësohet për bombën sociale që pritet të shpërthejë nga dita në ditë, por presin të gjezdisin edhe një tjetër 7 Mars. Si simbol për “sakrificën e madhe” të mësuesve të tanishëm organizohen festa e mbushen me dhurata dhe rrallëkush mendon për 7 marsin e shkollës së parë shqipe. Moskokëçarja ndaj këtij kontrasti të zi, të shkaktuar në zanafillë nga të huajt e tani nga vetë ne, po pjell një martirizim të ri, por kësaj here jo të mësuesve për shkollës shqipe, por të vetë shkollës shqipe.