Vota e Diasporës, Pandeli Majko tregon modelin e propozuar: Po shihet ideja të votohet vetëm në një qark, sipas modelit kroat

Aktualitet Kryesore Politikë

Çdo shqiptar që jeton jashtë vendit, qoftë verior apo jugor, votën do ta japë për deputetët e qarkut të Tiranës.

Por pse u zgjodh kryeqyteti? Ministri për Diasporën, Pandeli Majko, tregon në një intervistë për A2 se modeli i propozuar është ai kroat.

“Bazuar në këtë sistem që kemi, ekspertët po shikojnë disa diskutime. Për shembull, propozimi që erdhi nga grupi ndërinstitucional, i krijuar nga ekspertët e institucioneve të qeverisë shqiptare, ka qenë që të votohet në 12 qarqe. Por, në propozimet e komisionit të reformës zgjedhore, mbase mund të ecim me idenë që të votohet në një qark, siç është modeli kroat”, shprehet Majko.

Të drejtën e votës e gëzojnë vetëm ata që janë në regjistrin e gjendjes civile, por zarfi nuk do t’u shkojë të gjithëve. Shqiptarët e diasporës duhet të shprehin dëshirën për të votuar, njësoj si në SHBA.

“Lista e votuesve jashtë vendit do të jetë bazuar mbi regjistrin e shtetasve që banojnë jashtë vendit, por kjo nuk do të jetë automatikisht listë votuesish. Kjo, për një arsye shumë të thjeshtë, sepse duhet të shprehet vullneti”.

Nëse Damian Gjiknuri flet për 20-30 mijë votues, Pandeli Majko ka në mendje shifra më të larta, në nivelin e Kosovës.

“Janë më shumë, por zoti Gjiknuri ka parasysh një mesatare të interesit. Për shembull, në Kosovë në këto shifra lëviz.

A është menduar se ku do të numërohen votat dhe si do të numërohen? “Padiskutim që nuk do të bëhet në godinën e PS-së, por në KQZ. Këto dy godina e ndan një bahçe, por nuk mendoj se bahçja do të jetë një arsye për të manipuluar zgjedhjet”.

Share: