OBSH: Vaksina kundër COVID-19 mund të prodhohet në fund të vitit

Aktualitet Kryesore Rajon/Botë Sociale

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka shpresë së miliona doza të vaksinës kundër Covid-19 mund të prodhohen që në fund të këtij viti, e personat më të cenueshëm nga virusi do të jenë të parët që do ta marrin atë.

Ende nuk ka një vaksinë të konfirmuar, por shkencëtarja e OBSH, Soumya Swaminathan tha se ekspertët rreth botës po punonin mbi 200 variante të mundshme. 10 prej tyre kanë filluar të testohen tek njerëzit.

“Kam shpresë dhe jam optimiste. Por krijimi i vaksinës është një proces kompleks që shoqërohet me shumë pasiguri. Gjëja pozitive është se kemi shumë variante dhe platformë, kështu edhe nëse njëra dështon nuk duhet të demoralizohemi. Nëse jemi me fat do të kemi një ose dy vaksina të mundshme para fundit të vitit”, u shpreh Soumya Swaminathan.

Ekspertja e shëndetësisë tha se po punonin për arritjen e një marrëveshje për shpërndarje të drejtë të dozave në të gjithë botën, pavarësisht faktit se cilat shtete kanë investuar më shumë për vaksinën.

Koronavirusi vijon të përhapet me shpejtësi në zona të caktuara të globit, me Amerikat që janë kthyer në epiqendër të re të pandemisë. Brazili numëron mbi 1 milion raste dhe rreth 50 mijë vdekje nga Covid-19.

Pavarësisht përmirësimit të situatës në shtetet amerikane të prekura më rëndë, të tilla si Nju Jorku, niveli i infektimit në të gjithë vendin mbetet i lartë.

E megjithatë, eksperti më i lartë i sëmundjeve infektive, Anthony Fauci bëri një hap prapa në qëndrimin e tij, duke thënë se izolimi nuk është më i nevojshëm.  Njeri që kundërshtonte vazhdimisht Donald Trump për rihapjen e nxituar të vendit, thotë tani se do të përpiqeshin të kontrollonin më mirë ato zona ku është shënuar shpërthim rastesh.

Share: