Nga Enver Robelli
Si dështoi përpjekja e Aleksandër Vuçiqit për të futur nën kontroll Institutin për filozofi dhe teori shoqërore në Beograd? Kundër planeve të qeverisë serbe protestuan madje edhe intelektualë me rang botëror si Jürgen Habermas, Judith Butler, Timothy Snyder, Yuval Noah Harari. Megjithatë, Vuçiq mbetet një autokrat i rrezikshëm dhe një popullist shumë fleksibël. Këtë e tregoi edhe me zgjedhjen e Ivan Vejvodës në krye të institutit në fjalë. Vejvoda, ish-këshilltar për politikë të jashtme i Zoran Gjingjiqit, është një personalitet me lidhje të fuqishme ndërkombëtare dhe varësisht nga momenti politik ka përkrahur herë ndarjen e Kosovës, herë “autonomi për serbët”, përfshirë edhe një lloj “republike të murgjve serbë” në Kosovë.
1.
Një politikan kontrollon një shtet. Ky është rasti edhe në Serbi. Për pothuaj gjithçka vendos Aleksandër Vuçiqi, president dhe mbret i pakurorëzuar i Serbisë. Ai vendos se kur do të mbahen zgjedhjet, kur dhe sa herë do të dalë në televizionet që i kontrollon drejtpërdrejtë, ndërkohë që fletushkat e verdha pothuaj çdo ditë etiketojnë opozitën (edhe ashtu të dobët) me lloj-lloj akuzash. Para disa vitesh në Serbi u shfaq një spot elektoral: një avion i “Air Serbia” u ballafaqua me turbulenca, gjë shpesh e zakonshme gjatë fluturimeve. Befas si supermen aty u shfaq Vuçiqi dhe mori drejtimin e avionit. Mesazhi ishte ky: pa kapiten Vuçiqin Serbia do të rrëzohet e fundoset. Me kapiten Vuçiqin Serbia do të përparojë, sepse Vuçiqi është shpëtimtari. I vetëshpallur. Para zgjedhjeve të vitit 2017 televizioni më i madh publik i vendit “Pink” raportoi 267 herë më shpesh për Vuçiqin se për kundërshtarët e tij politikë. Më 21 qershor në Serbi do të mbahen zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Para tyre Vuçiqi i është drejtuar serbëve me një spot televiziv. Kësaj radhe presidenti gjithësundues i premton një të ardhme të ndritur një vajze të vogël, me të cilën bisedon për Serbinë. Muhabeti kulmon me pyetjen e Vuçiqit: “Babai yt punon në botën e jashtme, apo jo?”. Vajza: “Po, punon në Gjermani”. Vuçiq: “Nëse do të thosha se kam ide dhe plan për të kthyer babanë tënd dhe krejt baballarët në Serbi…”. Vajza: “Kjo është dëshira ime më e madhe në botë”. Këtë spot Vuçiq e postoi në profilin e tij në Instagram. Protestat e zërave kritikë se kështu ai po keqpërdorë fëmijët në fushatën elektorale, nuk patën efekt.
2.
Në një rast protestat patën efekt, megjithatë. Por ngjarjen duhet treguar nga fillimi. Në janar të vitit 2019 disa punëtorë të Institutit për filozofi dhe teori shoqërore në Beograd nënshkruan një peticion me të cilin përkrahnin protestat kundër regjimit të Vuçiqit. Në peticion Vuçiq akuzohej për shkelje të pandërprerë Kushtetutës dhe për rrëmbim të institucioneve demokratike, të cilat nuk po punojnë më për interesin publik. Qeverisja e Vuçiqit, vazhdonin shkencëtarët, vë në pyetje ndarjen elementare të pushtetit, ndërsa qytetarët shtyhen të besojnë se partitokracia është model i duhur i qeverisjes dhe se modeli autoritar është i vetmi mekanizëm “efikas” për zgjidhjen e problemeve shoqërore. “Poshtërimi publik, demonstrimi se ligji nuk vlen njëjtë për të gjithë, përmendja e vazhdueshme e ‘armikut’ dhe pamundësimi i hapur i çdo debati, sugjerojnë se çdo mendim ndryshe, çdo kritikë dhe veprimtari alternative është e padëshirueshme dhe potencialisht e rrezikshme”, thuhej në protestën e shkencëtarëve nga instituti, ku dikur kishte punuar edhe Zoran Gjingjiqi, kryeministri properëndimor serb i vrarë në vitin 2003.
3.
Afërsisht dy muaj pas peticionit të shkencëtarëve kundër Vuçiqit, regjimi i tij kundërgoditi. Në krye të Këshillit Drejtues të Institutit u vendos një sociolog që ishte shquar për simpati ndaj kriminelit të luftës Vojislav Sheshel, babait ideologjik të Vuçiqit. Pastaj në postin e drejtorit të Institutit u caktua një person që nuk ishte i punësuar fare në Institut. Por anëtarët e Institutit, i cili ka mjaft lidhje në qarqet akademike anembanë botës, nuk u dorëzuan. Së fundi më shumë se 400 intelektualë me prestigj ndërkombëtar publikuan një apel për mbrojtjen e Institutit për filozofi dhe teori shoqërore në Beograd. Mes nënshkruesve janë edhe filozofët Jürgen Habermas dhe Judith Butler, historiani Timothy Snyder, publicisti Yuval Noah Harari, politologët Francis Fukuyama dhe Antonio Negri etj. Si çdo popullist i shkathtë edhe Vuçiq e kuptoi se do të humbte më shumë nëse e fut nën kontroll institutin në fjalë. Andaj qeveria e tij bëri një kthesë të papritur, duke e emëruar në krye të Këshillit Drejtues të Institutit Ivan Vejvodën, një politolog, i cili ka një karrierë të gjatë në shoqërinë civile (Fondi për Shoqëri të Hapur, German Marshall Found, Balkan Trust for Democracy). Vejvoda ka qenë këshilltar për politikë të jashtme i Zoran Gjingjiqit. Së fundi Vejvoda ka punuar si hulumtues në Institutin për studime humanistike në Vjenë. Vejvoda ka lidhje të fuqishme ndërkombëtare.
4.
Emërimi i Ivan Vejvodës tregon se sa fleksibël është Vuçiq kur përballet me kritika të ashpra. Kur më 2012 Vuçiq i fitoi zgjedhjet në Serbi, ai nuk u bë kryeministër. Këtë post i besoi Ivica Daçiqit, ndonëse “socialistët” serbë ishin parti relativisht e vogël. Vuçiq u bë zëvendëskryeministër dhe nga prapavija punoi në shumë drejtime: periudhën deri kur u bë kryeministër më 2014, Vuçiq e shfrytëzoi për të ndërtuar te ndërkombëtarët imazhin e një politikani që është penduar për poshtërsitë e tij (kancelaren gjermane Angela Merkel e entuziazmoi duke u shtirur se tani i interesonte vetëm etika protestante e punës e Max Weberit), njëkohësisht Vuçiq fitoi përkrahjen e shumë figurave publike në Serbi që konsideroheshin properëndimorë, por ishin dëshpëruar me të ashtuquajturit demokratë të Boris Tadiqit. Nuk është rastësi që disa nga këto figura si Jelica Miniq janë përkrahës të zjarrtë të planeve të Vuçiqit për ndarjen e Kosovës. Në favor të “shkëmbimeve territoriale” është shprehur edhe Ivan Vejvoda. Ai ka thënë se për këtë duhet të jetë dorëzane bashkësia ndërkombëtare. Vejvoda po ashtu ka nënvizuar se “ideja që po vjen nga Kosova” (prekja e kufijve) dikur ka qenë një nga skenarët e Zoran Gjingjiqit. Sipas Vejvodës sa i përket statusit të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë si shembull mund të merret Mali i Shenjtë Atos, i cili është një republike autonome e murgjve. Këto zgjidhje, thotë Vejvoda, “gjenden në tavolinë”, por edhe për “pronat e bashkësisë serbe” dhe “lidhur me Gazivodën”. Në vitin 2011 Vejvoda ishte shprehur skeptik sa i përket ndarjes. Dhe këtë e kishte bërë pas vizitës së kancelares gjermane Angela Merkel në Beograd, e cila hapur kishte kundërshtuar planet serbe për ndarjen e Kosovës. Për shkencëtarët serbë të Institutit për filozofi dhe teori shoqërore zgjedhja e Ivan Vejvodës në krye të Këshillit Drejtues është lajm i mirë. Ai së paku nuk do të tentojë të kufizojë lirinë akademike dhe mendimin kritik në këtë institut, siç u përpoq Vuçiq dhe në fund u dorëzua pak.