“S’na duhet” Reforma, mjafton të mos e shesim e blejmë votën!

Analizë Opinion

Nga Ben Andoni

Reforma Zgjedhore duhej të mbaronte më 31 Maj. Do të ishte një ogur i mirë për burokracinë e BE-së për të justifikuar protokollin e integrimit të Shqipërisë. Në fakt, nuk ndodhi, ndërsa prej ditësh ambasadorët e radhës së SHBA-së, Anglisë dhe Delegacionit të Bashkimit Europian bëjnë rrugëtime sa nga një seli në tjetrën për t’u mbushur mendjen palëve. Për shqiptarët e thjeshtë është krejt e pakuptimtë kjo energji e çuar dëm në një vend që po mbijeton me vështirësi pas tërmetit dhe pandemisë së Covid-19. Më thjeshtë, reforma nuk na duhet, sepse në thelb nuk ndryshon asgjë. Vota vidhet pa u futur në kuti. Manipulimi ka filluar të bëhet që tani.

Por turpi nuk mbaron këtu. Në sallën e takimeve, anëtarët e Këshillit Politik thërriteshin me radhë e me gisht si nxënës të pabindur nga zyrtari amerikan. Pak orë më parë, ambasadorja Kim, që po përballet për herë të parë realisht me realitetin shqiptar, deklaroi se marrëveshja është shumë afër dhe ngërçi mbetet vetëm tek depolitizimi i administratës zgjedhore pasi mazhoranca dhe opozita paraqesin skena të ndryshme por vendimin ajo ia la në dorë Lulzim Bashës. Për të shtendosur peshën që ka mbi vete dhe presionin e shumëfishtë, Lulzim Basha ka filluar orët e fundit takimet në kuadër të procesit të negocimit dhe konsensusit për Reformën Zgjedhore. Dhe, një nga një, Kryemadhi, Idrizi dhe Mediu, që kanë më peshë mes aleatëve të vegjël, kanë shkuar të diskutojnë  për marrëveshjen. Në Parlament kryeministri i vendit ka dhënë një shpjegim, duke dashur që t’ua lërë në dorë gjithçka opozitarëve e jashtë parlamentit. Sipas tij, demokratëve u është propozuar të kenë në dispozicion postin e zv/kryetarit të KQZ-së,  i cili do ketë detyrë ekskluzive që të krijojë dhe të mundësojë sistemin e identifikimit biometrik të zgjedhësve dhe pak atribute të tjera. Por, është për të ardhur keq, pasi që në shpjegimin e tij të gjatë tregohet se i gjithë procesi, kërkon një kohë tejet të gjatë. Kuptohet se gjithkush, që është aty, e di shumë më mirë se Rama se procesi është i gjatë, por pse reforma nuk u bë shumë kohë më parë. Për këtë kinse nuk kemi përgjigje. Ashtu si nuk kishim dhe përpara zgjedhjeve të tjera e kështu me rradhë. Megjithatë, edhe këtu e kemi nga një justifikim për seicilin: Opozita la parlamentin! Pozita vodhi dhe u provua nga përgjigjet e medias së huaj.

Me pak fjalë, për një gjë duhet të bindemi: reforma është në dorë të dy partive kryesore dhe lufta e vërtetë është se cili do jetë më i zoti t’i administrojë ato. Që do të thotë sesi do të dalin faqebardhë për vete në kurriz të të tjerëve, aleatëve dhe kundërshtarëve.

Neve, na mbetet një gjë, mua atë që e bëjmë fare lehtë po të duam: Të bëjmë më të thjeshtën në një reformë edhe kështu si është. Edhe kaq e politizuar si është. Edhe me këta njerëz që janë. Edhe me të gjithë këtë mekanizëm shit-blerje votash që ekziston para syve tanë. Pra, të mos ua japim votën dhe të mos na blejnë ata që nuk e meritojnë. Mos të shitemi për një thes me miell, paçka se jemi të varfër. Të përballim presionin e vendit të punës, edhe pse na duhet tejet ai vendi të mbijetojmë. Kinse reformën le ta bëjë PS dhe PD bashkë me partitë e tjera nën vëzhgimin e sikletshëm që nuk na lë më as edhe një grimë dinjiteti në kinse sovranitetin tonë. T’i dënojmë me votë. Të paktën njëherë t’i përballim të fortët dhe megalomaninë pafre të krerëve politikë. Me votën tonë. Dinjitetin tonë, deri tani të nëpërkëmbur. (Javanews)

 

Share: