Kisha pak kohë që isha emëruar ipeshkëv në Rrëshen, rreth gjashtë muaj, dhe një ditë më bie telefoni.
– Dom Gjergji?
– Po – i them – kush është?
– Unë jam N.M. nga Mirditia dhe jetoj në Itali. Ketë verë martohem dhe kam dëshirë të konsultohem për diçka të rëndësishme me ty.
– Po më thuaj!
– Jo jo në telefon. Më mirë po vij me babën dhe të fejumen e flasim nga afër.
Në përgjithësi në këto raste konsultat janë çështje dokumentash, pagëzimi, orari i Kishës etj etj. Por isha gabuar. Konsulta kishte të bënte me diçka tjetër. Ata erdhën një ditë dhe u takuam.
– Dom Gjergji – ia nisi i ati – jemi në një dilemë të madhe. Djali thotë se nuk don që në dasëm, gjatë banketit, në valle, të hidhin lekët, as kur të kërcejë çifti e as në moment të tjera. Unë nuk di çfarë të them. Djalit nuk dua t’ia prish, por nuk e di si do të përballem me njerëzit dhe fjalët e tyre. Çfarë mendon ti?
Pasi u mendova pak u thashë:
– Kjo nuk është një gjë me të cilën merret Kisha. Këto janë probleme të familjes dhe mënyra se i zgjidhni është një vendim i juaj. Por ndoshta për t’ju ndihmuar në zgjedhjen më të mirë po ju them dy gjëra.
E para që hedhja e parave në dasma nuk është zakon i joni, por një shpikje që nuk e dimë se nga ka ardhë.
Dhe e dyta mund t’ju them se çfarë kam bërë unë dhe familja ime.
Para një viti pak a shumë, unë kam martuar motrën dhe sikurse e don zakoni të mërkurën para dasmës mblodhëm kushrinjtë për të ndarë thirrsat. Pasi ndamë ftesat dhe detyrat e secilit, unë me vëllanë e motrën hodhëm për diskutim, me të gjithë kushërinjtë tanë, këtë ide që po thoni ju. E diskutuam gjatë. Kishim bërë shumë dasma në fis. Nëse do të vendosnim për jo do të ishte një shkëputje nga ajo çka ishte bërë deri tani. E kështu do të përballeshim me opinionin. Pothuajse të gjithë kushërinjtë e mbështetën idenë dhe motivi ishte ky: lekët që fitojmë janë frut i djersës dhe është një gjë e padrejtë që këto lekë të shkelen me këmbë. Prandaj ne nuk do ta lejojmë që kjo të ndodhë në dasmat tona. Nëse dikush do të falsë është i lirë, por kjo është zgjedhja jonë. Dhe familja ime e vendosi këtë gjë, pa ditur se si do të reagonin njerëzit.
Mund të them se pas dasmës, ndërsa pëcillnim njerëzit, të gjithë ishin të entuziazmuar nga kjo zgjedhje dhe se do të donin ta bënin edhe në dasmat e tyre.
Tani si ipeshkëv unë nuk mund t’ju them asgjë, e dini vetë. Por nëse kjo dëshmi personale e imja ju ndihmon atëherë ecni përpara e do të keni mbështetjen time.
Aty e mori fjalën djali dhe tha:
– Dom Gjergj unë punoj në Itali prej vitesh dhe e di se sa na kushton paraja që marrim me punë. Prandaj kam menduar që të marr këtë vendim dhe të mos lejoj të hidhen para gjatë banketit. Kush ka ardhur e ka sjellë dhuratën e tij e nuk ka nevojë më të nxjerrë para.
U ndamë. Pas disa kohësh e takoj të atin e djalit dhe i them:
– Hë si shkoi?
– Për bukuri dom Gjergj. Bëmë ashtu si kishe bërë edhe ti. Në fund të dasmës vetëm njëri nga të ftuarit (kisha rreth 270 vetë) më tha: “Heu er burrë po ta kishim dijtë se nuk hidhen lek t’i kishim fut në zarf” , “A ke nevojë për zarf – i thashë duke qeshur?” Qeshi edhe ai dhe kështu përfundoi puna. Po ty të faleminderit për fjalën”.
Qesha edhe unë e u ndjeva mirë që ndoshta dalëngadalë fillojnë e hiqen disa teprime dhe gjëra të panevojshme që na kanë mbetur nga kushedi se nga.