Leftistët përgjojnë në Prishtinë

Analizë Opinion

Nga Frrok Çupi

Çfarë po ndodh në Prishtinë? Ajo çfarë pritet:

Po krijohet një qeveri shumice; por përmes frikës. Frika është e dyanshme: Sa pse mund të mos e lejojnë kundërshtarët në pakicë, sa se mund të ketë plane ogurzeza për përplasje ku pastaj të fitojë Lindja kundër Perëndimit me Shtetet e Bashkuara.

Mund të krijohet një moçal politik, që krijon kërkesën  e ‘kujdestarisë’ ruse. Qeveria e ekstremit të majtë e Kurtit ka rënë, por nuk e pranon ‘pa luftë’. Bota, ajo që do, po vë pikëpyetje mbi aftësinë qeverisëse të shtetit më të ri ballkanik. Qeveria majtiste e Kurtit, e cila nuk e ka njohur republikën e Kosovës, as pavarësinë e shtetit të Kosovës, edhe pse e rënë mund të sjellë trazira të mëdha edhe pas rënies, duke i shkuar në rrënjë dilemës së ekzistencës së Republikës.

Sot duket se ka heshtje, por në fakt është një heshtje si e ciklonit…

Tri ngjarje ‘kapitale’ të ditës, që lidhin njëra tjetrën:

E para,

ish- presidenti i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, sapo ka zbritur në Aeroportin e kryeqytetit, ka deklaruar se ‘nuk e di ku po më çojnë…, kam frikën e akteve terroriste’ të shtetit. Qeveria, tashmë e rënë e Kurtit, me anë të një ‘ministri’ të stilit 1943-45, deklaroi se ‘nuk do ta lejojë politikanin Pacolli që të hyjë në Kosovë. Behgjet Pacolli, politikan dhe sipërmarrës famoz i njohur në mbarë botën, u ndodh në Zvicër kur ra epidemia. Frika se çfarë do t’i bënte qeveria sikur të të zbriste në Prishtinë, e bëri që parmbrëmë të kthejë avionin dhe të zbresë në Tiranë… Pastaj guxoi t’i drejtohet Prishtinës, por me frikën e akteve terroriste qeveritare. Qeveria majtiste Kurti, edhe pse e rënë, ka për mision të mos lejojë ngritjen e qeverisë tjetër; vota e Pacollit ‘duhej prerë’ për këtë qëllim. Por kush garanton se ‘për pushtetin e humbur’ qeveria e rënë nuk do të krijojë terror dhe turbullira në shtet?

E dyta,

në rrugët automobilistike të Pejës po shfaqet portreti i madh i presidentit të Rusisë, Vladimir Putin. Qeveria e rënë e Kurtit ka hapur rrugët për politikanët serbë dhe kamionët me portretet e mëdha të Putinit që të kalojnë nëpër Kosovë. Lajmet e mediave të Kosovës kanë 24 orë që buçasin se ‘lejohen politikanët serb, por nuk lejohet Behgjet Pacolli’. Kjo nuk është kaq e thjeshtë sa një ‘tradhti kombëtare’, ose një ‘pro- serbizim’- siç jemi mësuar të dëgjojmë ‘patriotët folklorikë’ për kësi rastesh. Jo, ky është manifestimi i provës nëse në tokën ‘e pa qeverisëshme’ të Kosovës mund të sfidohet Amerika!? Sfida bëhet  nga Rusia e të tjerë… Rezistenca e qeverisë së rënë Kurti për ‘të mos rënë’, nuk ka thjesht një ‘naivitet’ ose një ‘kapricio’. Jo, po të mendohej kështu do të ishte naive. Ideja e një shteti ( Kosova) si me qeveri si  pa qeveri- kjo ishte baza e politikës së VV të Kurtit. Që në fillim, edhe pse u ngarkua me mandat, e zgjati lëngatën 90 ditë pa marrë përgjegjësi për qeverisje. Edhe 51 ditët e qeverisjes, veçse kundërshtoi Amerikën dhe Evropën. Klima e ‘pas- rënies’ është kapur si klima më e mirë për të mbajtur Kosovën pa qeveri. Taktika e ‘tokës së pa qeverisëshme’ mund të sjellë destabilizimin e shtetit dhe të rajonit.

Ngjarja e tretë:

Media pro- VV po ‘gjëmon’ nga një lajm sikur Evropa po mbështet ‘qeverinë Kurti’ edhe pas rënies. Prova është kjo: 10 politikanë të Evropës kanë nënshkruan një kërkesë për të mos larguar Kurtin. Absurdi i parë: Si vallë politikanë të Evropës kërkojnë të mbahet një qeveri e rrëzuar në Parlament?…

Absurdi i dytë…, por jo veç absurd: Në listën e politikanëve evropian që mbështesin qeverinë e rënë, që nga i pari deri te i fundit, janë anëtarë të celulave majtiste (leftiste) në Evropë. Kryesojnë ‘të Gjelbërit’- anëtarët e zonjës  Viola von Cramon-Taubadel, e cila prej ditësh është ngulur në Prishtinë dhe bën deklarata të egra kundër një qeverie tjetër, veç Kurtit. ‘Të Gjelbërit’ e Gjermanisë tashmë e kanë emrin ‘Aleanca90’, për shkak se në vitin 1990 u bashkuan me majtistët e Gjermanisë Lindore dhe krijuan këtë majtizëm ekstrem. Që votohen kryesisht nga të papunët.

A do të kishte vlerë të marrim një për një mbështetësit lefitstë të Evropës? Ndoshta po:

Nezahat Baradari, poltikanne me origjinë turke, anëtare e social- demokratëve gjerman.  Cédric Wermuth, politikan zviceran, president i Rinisë socialiste. Tanja Fajon, social-demokrate sllovene. Knut Fleckenstein (ish), social- demokrat, ish lider i rinisë komuniste në Hamburg. Romeo Franz, muzikant dhe anëtar i Aleancës90. Metin Hakverd, social- demokrat i Hamburgut. Evin Incir, politikan kurd i Suedisë, social- demokrat. Ueli Leuenberger, zviceran, i degës së Aleanca90. Zonja Kati Piri, hungarezë në Hollandë, anëtare e Partisë së Punës. Thomas Ëaitz, Austri, anëtar i ‘Aleanca90.

Këta, në emër të Evropës, i kërkojnë Prishtinës një qeveri jashtë- parlamentare. Edhe nga Tirana, qeveria e rënë Kurti mbështetet me zjarr nga revolucionarët, marksistët dhe kontraversët. Ndoshta, me siguri ia vlente të dihet cilët janë që e duan Kosovën ‘me qeverinë e rënë’ , domethënë një shtet të pa qeverisshëm.

Thelbi këtu është, në tre pjesë: Pse dynden leftistët drejt Prishtinës?!- Për të krijuar tymtajën se Kosova i ka lidhjet me majtizmin e ri dhe të vjetër. Kurti vetë është një leftist i ithët i llojit të militantëve. Pamja e dytë: Në pikun e epidemisë, kur pritet që ‘bota të mos jetë siç ishte’, Kosovën ta drejtojnë për nga pjesa e vjetër, atje ku ishte, nën kontrollin leftist të Lindjes.

Share: