Nga Enver Robelli
Kosova nuk ka nevojë për kurrfarë revolte politike në këto momente kritike. Përkundër mesazheve inkurajuese nga qeveria (tashmë e shkarkuar), situata me pandeminë do të shkojë drejt përkeqësimit, disa pacientë tashmë janë në gjendje të rëndë, të tjerë, fatkeqësisht, do të infektohen në ditët në vijim. Sistemi shëndetësor qëndron në këmbë të qelqta dhe mund të kolapsojë.
Në këtë gjendje kushdo që hedh benzinë në zjarr, është i papërgjegjshëm. Se ku çon papërgjegjësia e fjalës publike e kemi parë më 1997 në Shqipëri. Në ditët dhe javët në vijim, fatkeqësisht, acarimi i gjendjes politike në Kosovë mund të thellohet. VV do të përpiqet të qëndrojë në pushtet deri kur të krijohen kushtet për zgjedhje të reja parlamentare. Këto kushte mund të krijohen ndoshta tek vitin e ardhshëm. Askush nuk e di se si do të rrjedhë rreziku i pandemisë. Gjasat që njerëzit të dalin në zgjedhje sërish më 6 tetor janë iluzore.
Nga ana tjetër presidenti do të përpiqet që me atë pjesë të klasës politike që e ka nën kontroll, të krijojë një qeveri të re pa shkuar në zgjedhje. Beteja për interpretimin e Kushtetutës dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese tanimë ka nisur të marrë përmasa të luftës religjioze. Faktorët bashkëvendimmarrës ndërkombëtarë (SHBA-ja sidomos) favorizojnë një zgjidhje brenda Kushtetutës, domethënë pa zgjedhje parlamentare.
Në skenën e politikës kosovare do të shtyhen kryetari dhe kryeministri, dy personalitete me ego që i tejkalon fuqitë e tyre reale. Për Kosovën ky vit do të mbahet në mend si vit fatlum nëse përfundon pa trazira e tensione që do të ishin një bombë me sahat në kohën e pandemisë. Në kohë të një krize të madhe që Kosova nuk e ka përjetuar në dy dekadat e fundit, klasa politike e Kosovës ka treguar luks të madh, tepër të madh duke e futur vendin në qorrsokak politik.
Ndërkohë krahas gjendjes së rënduar me pandeminë, Kosova rrezikohet edhe nga zhvillime të tjera si pasojë e pandemisë: falimentimi i bizneseve, mbyllja e ndërmarrjeve të vogla, zejtarive, mbyllja e restoranteve e kafeterive, ku punojnë mijëra njerëz, rënia e investimeve private, tkurrja në sektorin e ndërtimtarisë, e mundshme është edhe rënia e remitencave, pra parave që dërgon diaspora, për shkak se nëse vazhdon me muaj kriza me pandeminë, shumë njerëz në Perëndim do të mbesin pa punë.
Një klasë e përgjegjshme politike do t’i kishte parasysh këto halle të vërteta. Kjo klasë politike ka vendosur ndryshe. Debati se kush e nisi i pari ngacmimin që çoi në zhvillimet e fundit dramatike në dhe jashtë parlamentit, mund të jetë dobiprurës për njerëz që kanë halle përtej pandemisë: zgjedhjet parlamentare, agjendat politike për “zgjidhjen e konfliktit me Serbinë” etj. Qytetarët e thjeshtë të Kosovës që në javët e muajt e ardhshëm do të përballen shpesh me probleme ekzistenciale, nuk e kanë luksin t’i bashkohen politikanëve të papërgjegjshëm me agjenda aventuriere. Ata qytetarë që mendojnë se e kanë këtë luks, rrezikojnë të marrin në qafë shumë njerëz që sinqerisht janë të brengosur jo vetëm për shkak të pandemisë, por edhe të ardhmes së Kosovës.