Parahistoria e lëvizjes së fundit të Angela Merkelit

Analizë Opinion

Kancelarja gjermane Angela Merkel duket se po sheh shenja se diçka e keqe do të ndodhë në të ardhmen. Marrëveshja e saj për një fond rimëkëmbjeje prej 500 miliardë eurosh sugjeron se pandemia COVID-19 ka bërë atë që nuk bënë dot borxhet e fundit, kriza e refugjatëve dhe ajo e politikës së jashtme: të përurojë një fazë të re të projektit europian.

Autor: Harold James

Gjatë gjithë kohës që ka qenë kancelare e Gjermanisë, Angela Merkel ka treguar vazhdimisht se ajo është gjithmonë gati për surpriza. Tani ajo e ka tejkaluar veten.

Në vitin 2010, Merkel i tejkaloi pritshmëritë duke këmbëngulur që Fondi Monetar Ndërkombëtar të përfshihej në përpjekjet për të shpëtuar Greqinë. Pas viti 2011, ajo mbylli termocentralet e Gjermanisë, pas katastrofës Fukushima në Japoni. Pastaj, në vitin 2015, ajo hapi kufijtë e Gjermanisë për më shumë se një milion refugjatë sirianë. Dhe tani, ajo ka rënë dakord për një propozim për një fond rimëkëmbjeje prej 500 miliardë eurosh (556 miliardë dollarë) për të ndihmuar ekonomitë kombëtare të Bashkimit Europian të goditura nga kriza e COVID-19.

Secili nga këto vendime ka shkaktuar zemërim në Gjermani, si dhe stres tek europianët e tjerë që nuk kanë dëshirë të lejojnë që Gjermania të ketë një rol të madh udhëheqës. Por çdo herë, Merkel ka këmbëngulur që nuk kishte asnjë alternative tjetër. Megjithatë, kjo surprizë e fundit është deri më tani nga më të guximshmet. “Shteti-komb më vete nuk ka të ardhme,” deklaroi ajo gjatë një konference për shtyp me presidentin francez Emmanuel Macron.

Perspektiva e një fondi rimëkëmbje ka bërë që shumë vëzhgues të pyesin nëse BE-ja po i afrohet përfundimisht “momentit të saj Hamiltonian”. Në vitet e para të republikës amerikane, sekretari i parë amerikan i thesarit, Alexander Hamilton, argumentoi se qeveria federale duhet “të marrë përsipër” borxhet e shkaktuara nga shtetet gjatë Luftës së Pavarësisë. Ai e fitoi debatin, sepse përvetësimi i borxhit dukej i domosdoshëm për të zgjidhur urgjencën në fjalë.

Por do të ishte gabim të mendosh se çdo krizë mund të largojë pengesat për integrim më të thellë. Kur shpërtheu kriza e euros një dekadë më parë, federalistët shpresuan se ajo do t’i jepte vrull projektit europian. Në vend të kësaj, vendet anëtare të veriut dhe ato të jugut u ndanë akoma më shumë në lidhje me borxhin. Në vitet e ardhshme, Rusia dhe Kina kanë joshur shtete anëtare të BE-së në orbitat e tyre, Mbretëria e Bashkuar është tërhequr zyrtarisht nga blloku dhe presidenti amerikan Donald Trump ka hequr dorë nga aleanca transatlantike.

Ashtu si kriza e borxhit dhe ajo e refugjatëve, këto zhvillime gjeopolitike kanë thelluar të gjitha ndarjet veri-jug dhe lindje-perëndim të Europës. Kushtet kryesore historike që do të lejonin një shtytje të guximshme përtej shtetit-komb kanë munguar gjithmonë. Atëherë çështja tani është se përse COVID-19 duhet të pritet të bëjë atë që nuk mundën të bënin dot presidenti rus Vladimir Putin, presidenti Trump, Brexit dhe mosmarrëveshjet në lidhje me borxhin e mëparshëm.

Ka dy arsye për të menduar se kriza aktuale është me të vërtetë ndryshe. Si fillim, pandemia është në thelb një krizë e lindur nga globalizimi, që kërkon një përgjigje bashkëpunuese globale. Së dyti, krahasimet e vdekshmërisë dhe niveleve të infeksionit midis vendeve dhe rajoneve, dhe thellësia dhe shkalla e tmerrshme e ndikimit ekonomik të pandemisë kanë vendosur një çmim mbi qeverisjen kompetente për pjesën më të madhe të publikut. Nuk është sekret pse Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe Brazili kanë kaq shumë raste infektimesh dhe shifra të mëdha të vdekurish. Secili prej këtyre vendeve ka një qeveri të paaftë, ideologjike dhe të pa koordinuar.

Presidenti Trump apo presidenti brazilian Jair Bolsonaro janë shumë ndryshe nga Merkel dhe Macron. Dy të fundit krenohen se janë menaxhues të aftë që marrin vendime të bazuara në prova. Dhe provat nga pandemia COVID-19 sugjerojnë se shteti komb nuk është i pajisur mirë për krizën në fjalë; nevojat më të menjëhershme janë ose lokale ose mbikombëtare.

Çështja e “përgjigjeve të nevojshme” është veçanërisht e ashpër në Gjermani, e cila, ashtu si Italia, ishte një krijim i nacionalizmit të shekullit XIX. Para Otto von Bismarkut (dhe ekuivalentit të tij italian, Camillo Cavour), ajo që ne tani e quajmë Gjermani përbëhej nga shtete të shumta të vogla. Secili shtet kishte ndjenjën e tij të pasur të identitetit lokal, por asnjëri nuk ishte i zoti në përmbushjen e sfidave teknike dhe ekonomike të paraqitura nga një botë tregjesh dhe tregtie në rritje dhe formash të reja komunikimi dhe transporti. Kur këto njësi më të vogla u bashkuan, gazetari liberal Ludwig August von Rochau vuri re se kjo nuk ishte nga “dashamirësia”, por ishte thjesht si një “çështje biznesi”.

Me fjalë të tjera, shteti komb u çua përpara si çështje praktike. Para Paqes së Vestfalisë në vitin 1648, kishte 3,000-4,000 njësi të pavarura territoriale të cilave u duhej dhënë llogari, shumica i nënshtroheshin vetëm një juridiksioni perandorak. Deri në shekullin e XXVIII, ai numër ishte zvogëluar në 300-400 dhe pas vitit 1815, të gjithë ishin anëtarë të Konfederatës Gjermane. Nga fundi i shekullit XIX, kishte vetëm tre shtete me popullsi të madhe gjermano-folëse: Perandoria Gjermane, Perandoria Austro-Hungareze dhe Konfederata e Zvicrës.

Me fjalë të tjera, numri i shteteve në Europën qendrore ra me një faktor dhjetë çdo shekull. Kjo nuk do të thotë se së shpejti do të ketë vetëm 0.3 shtete në Europën qendrore – historia ndjek ligjet matematikore. Megjithatë, është e qartë se shtetet kombe të stilit të vjetër po detyrohen të rishikojnë vendin që ata kanë në botë.

Në fakt, vendimi i fundit kundër Bankës Qendrore Europiane nga Gjykata Kushtetuese Federale e Gjermanisë përfaqëson shtytjen përfundimtare drejt një niveli më të thellë të integrimit në BE. Edhe pse nominalisht ai vendos një kufi në pjesëmarrjen e Bundesbankës në programet e blerjes së bonove të BQE-së, efekti i tij nuk do të jetë të ndalojë projektin europian, por përkundrazi të detyrojë krijimin e një baze legale dhe politike mbi të cilën të mund të mbështetet ai projekt.

Për më tepër, kushtetuta e asnjë vendi europian nuk i kushton një theks më të madh idesë së Europës sesa ajo e Gjermanisë. Ligji Themelor i vitit 1949 thotë se populli gjerman është “i frymëzuar” nga “vendosmëria për të promovuar paqen botërore si një partneri barabartë në një Europë të bashkuar”. Akoma më shumë në lidhje me këtë, Neni 24 i këtij dokumenti parashikon në mënyrë të qartë heqjen e të drejtave sovrane për hir të “një rendi paqësor dhe të përhershëm” në Europë.

Në shekullin XIX, shtetet kombe u krijuan nga gjaku dhe hekuri. Sot, diçka e re po krijohet nga mjekësia dhe politika ekonomike.

/Project Syndicate

Share: