Nga Urim Tusku
Në Shqipëri ndërtesat e institucioneve nuk janë aq madhështore, sa ta manifestojnë edhe simbolikisht vlerën e tyre. Ato nuk përfaqësojnë kushedi se çfarë, krahasuar me simotrat e tyre në Evropën perëndimore ose edhe më gjerë, ku pushteti është i skalitur në arkitekturë, si tregues i qartë i institucioneve të forta, që vijnë nga shekujt, të ngulur aty fort për ta administruar pushtetin e deleguar nga qytetarët.
Këtu ndodh e kundërta: institucionet e shpërfaqin dobësinë e tyre edhe me formën arkitektonike. Ato nuk ngrihen aq madhështore sa t’i ngulisin çdo qytetari një mbrojtje dhe barazi për të gjithë përpara ligjit. Nuk e personifikojnë aspak shtetin e së drejtës, edhe pse janë të vendosura në kushtetutë për këtë gjë. Të ndërtuara përgjatë viteve kur Shqipëria nuk ka qenë në ditë aq të mira, ato janë në këmbë edhe sot, por që nuk spikasin kushedi se çfarë.
Pushteti në Shqipëri i ngjitet pas trupit individit, ashtu si individi pushtetit që e ushtron atë. Këtij realiteti do i shkonte përshtat shprehja e filozofes Hanah Arend se “një gram pushtet peshon me shumë se një tonelatë intelekt”. Kapardisur kudo që shkojnë, shfaqen në publik porsi perënditë e Olimpit, a thua se janë të pavdekshëm. Flasin me fjalë të mëdha dhe patetike e krekosen me poza të fryra. Qytetarët u duken inferiorë dhe kështu i trajtojnë në pavetëdijen e tyre, sepse i shohin gjithnjë nga lart-poshtë.
Një dukuri e tillë haset kudo. Në parlament, nga ku buron çdo pushtet tjetër, duke qenë se Shqipëria është Republikë parlamentare. E njëjta tipologji sjelljeje shfaqet edhe në kabinetin qeveritar, duke zbritur poshtë në formë piramide. Të gjithë ndihen të paprekshëm, për aq kohë sa kanë një “karrige” ku të ulen. Me të njëjtën krekosje e përjeton pushtetin edhe trupa gjyqësore, që është aty për të dhënë drejtësi, po shpesh e trafikon drejtësinë, duke ia dhënë atij që hedh shumën më të madhe në para. Ka edhe përjashtime nga rasti, njerëz me integritet dhe profesionistë, që nuk bëjnë kurrë kompromise me padrejtësinë. Për disa virtyti është më i fortë sesa tundimi i maskarallëkut. Por, disa shembuj tipikë e ilustrojnë më së miri dukurinë që e trajton ky shkrim.
Njerëzit e veshur me pushtet shfaqen hijerëndë, me fjalë të pakta dhe përshëndetje të vakëta. Kushdo që u troket në derë për ndonjë problem, reflektojnë një bezdi, sikur t’u ketë mbërritur lebrozi. Kjo sjellje e ka një shpjegim, kjo metamorfozë njerëzore vërteton thënien: “nëse doni të njihni mirë një njeri, jepini atij pushtet!”. Këta njerëz janë të kapur fort pas pushtetit ose ofiqeve, sepse nuk jetojnë dot pa to. Gjithçka shkërmoqet nga qenia e tyre që në ditën kur nuk janë më në pushtet. Në vendet e tjera, me demokraci dhe institucione të konsoliduara, profilet e larta publike, të cilët kanë një kontribut të vlefshëm në fushat e tyre, i bashkëngjiten politikës për t’i dhënë asaj nga një impuls të ri me vizonin e tyre në shërbim të qytetarëve. Në vendet në tranzicion dhe demokraci të brishtë, individi sheh te pushteti vetë ekzistencën e tij. Pa të ai as nuk e përfytyron dot veten, sidomos kur ka ndenjur gjatë në një pozicion të caktuar, deri në mumifikim. Edhe pse nuk i japin asgjë shoqërisë, por vetëm privilegjohen prej saj, sërish janë aty të palëkundur e me ambicie të pakufishme. Po të gjykoheshin nga formimi profesional, pjesa më e madhe e tyre nuk i meritojnë ato pozicione. Përzgjedhja e tyre është bërë në mënyrë klanore dhe me një logjikë të tillë e ushtrojnë edhe pushtetin.
Vendi kthehet vetvetiu në një moçalishte që nuk ndryshon asgjë, ku dëgjohen të njëjtat kuakje “bretkosash”, që në korin e tyre të idiotësisë nuk i ndalin krekosjet. Asfiksohet konkurrenca, ndërsa nismat e reja janë të destinuara të dështojnë ende pa nisur. Edhe kur ka rotacion, ai ndodh ndërmjet të njëjtëve, me ngjyra të ndryshme.
Në çdo palë zgjedhjeje numri i atyre që votojnë vjen në ulje. Ky është tregues i qartë i zvogëlimit të përfaqësimit. Voton më pak se gjysma e popullsisë për fatin e pjesës tjetër, ndërsa nëse pjesëton ende për forcën që është votuar, totali i votave ngushtohet sërish. Ky është një mekanizëm i krijuar enkas, që privilegjet e pushtetit t’i gëzojnë të njëjtët njerëz. Që ata të jenë përherë aty, për të na bërë karshillëkun e radhës.
Qytetarët nuk kanë një mekanizëm imponues, sepse ata shpesh gjenden pa alternativë kur shohin se lëvrijnë të njëjtët njerëz. Premtohet ndryshimi kurdoherë, për aq kohë sa një forcë është në opozitë, por asnjë ndryshim nuk vjen. Përpos formës, përmbajtja mbetet e njëjtë. Gjithë kjo situatë (zallamahi) i bën që qytetarët të dekurajohen dhe të rrinë e të vështrojnë parakalimet e radhës nga fytyrat e pushtetit.