Déjà vu: Një profeci e vjetër për një situatë të re

Analizë Opinion

Nga Fatos Tarifa

Pjesa I

Më 15 prill të këtij viti, revista The Economist, në një rubrikë të saj titulluar “Bota pas covid-19” (The world after covid-19), botoi një opinion të diplomatit dhe studiuesit të njohur nga Singapori, Kishore Mahbubani, i konsideruar si një “global thinker”. Siç edhe prisja, autori merr shkas prej situatës së krijuar nga përhapja globale e virusit covid-19 për të shtjelluar një teori të vjetër, të cilën ai e ka parashtruar edhe më parë (pa qenë ai i pari) në vitin 2008, në librin Hemisfera e re aziatike: Zhvendosja e parezistueshme e fuqisë globale drejt Lindjes. Në këtë libër, i cili u botua një vit pasi kandidatura e tij për postin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-në nuk gjeti asnjë mbështetje (së pari në Uashington), Mahbubani i revizionoi qëndrimet e tij të mëparshme, publikisht të njohura përmes shumë artikujve të botuar prej tij në vitet 1990 dhe në gjysmën e parë të viteve 2000, për të “argumentuar” se, tashmë, Shtetet e Bashkuara po e humbisnin rolin e fuqisë hegjemone të globit dhe se këtë rol, këtej e tutje, do e luanin vendet e Azisë Lindore, veçanërisht Kina, e cila “do t’i marë Amerikës mantelin e lidershipit global”. Komenti i tij në The Economist mund të konsiderohet një rast tipik Déjà vu.

* * *

Çfarë thotë Mahbubani në komentin e tij? Ai përsërit me shumë zell një tezë të vjetër, atë se “epoka e dominimit perëndimor po merr fund”, dhe se “rizgjimi i Azisë në çështjet dhe në ekonominë globale, që kish nisur para fillimit të pandemisë covid-19, do të konsolidohet pas krizës me krijimin e një një rendi të ri botëror”. Sipas tij, kjo pandemi mund të shënojë “fillimin e shekullit aziatik”.

Çfarë ka ndryshuar, sipas tij me këtë pandemi? Kriza që solli ajo, thotë Mahbubani, dëshmoi dallimin e thellë që ekziston mes qeverive perëndimore dhe atyre të vendeve të Azisë Lindore “jo thjesht në kapacitetet mjeksore” dhe në reagimet e tyre ndaj kësaj krize por, veçanërisht “në cilësinë e qeverisjes”. Ndërsa gjysmë shekulli më parë një pandemi si kjo do të ishte menaxhuar mirë nga vendet perëndimore dhe do të kishte shkaktuar mjaft vuajtje në vendet në zhvillim të Azisë Lindore, sot, pohon Mahbubani, janë këta të fundit që kanë vendosur një “standard të ri global” në cilësinë e qeverisjes.

Ky autor deklaron se bota që do të krijohet pas covid-19 do të jetë e tillë, ku vendet e tjerë do të shohin tek Azia Lindore një “rol model” jo vetëm se si të menaxhojnë një krizë si kjo e sotmja, por, përgjithësisht, se si të qeverisen. Përballë “delegjitimimit të vazhdueshëm dhe demoralizimit të shërbimeve publike në Amerikë”, të cilat “presidenti Trump i agravoi më tej”, ky autor deklaron se Kina—dhe vendet e tjerë të Azisë Lindore—po dëshmojnë se, që të zhvillohet me sukses, një shoqëri “ka nevojë si për dorën e padukshme të tregut të lirë, ashtu dhe për dorën e dukshme të një qeverie të mirë”, siç është edhe qeveria kineze, e cila, sipas tij, sot për sot është “qeveria më meritokratike në botë”. “Balanca mes tregjeve të fortë dhe një qeverie të mirë”, siç dëshmon rasti i Kinës, shkruan Mahbubani, do të bëhet një “model joshës për vendet e tjerë”. Ai vijon më tej: “Kina i kupton fare mirë rreziqet e një qeverie të dobët dhe, për shkak se psiqika kineze i trembet kaosit më shumë se sa çdo force tjetër, populli [kinez] e mirëpret një shtet të fortë”.

Pas këtij qendrimi hapur apologjetik dhe në përkrahje të qeverisjes autoritariste të partisë-shtet në Kinë, Mahbubani vjen në konkluzionin se, “aftësitë dhe konfidenca e Azisë Lindore do ta ribëjnë rendin botëror”. Ai pohon se, pas krizës së sotme, bota do të shohë “një Perëndim të hutuar dhe një Kinë më të guximshme”. Madje, përfundon Muhbabani, “paradoksalisht, një rend [i ri botëror], i udhëhequr nga Kina, mund të jetë një rend më demokratik”, pasi “Kina nuk synon që ta eksportojë modelin e saj; [ajo] mund të jetojë me një botë shumëpolare diverse” dhe, prandaj, “shekulli i ardhshëm aziatik nuk do të jetë i padëshiruar [as] për Perëndimin dhe për pjesën tjetër të botës”.

* * *

Ky është me pak fjalë deduksioni që Kishore Mahbubani i servir revistës The Economist si “teorinë” e tij për “botën pas covid-19”. Situata që po kalon shoqëria e sotme ndërkombëtare mund të jetë e re (edhe pse pandemi globale shumë të rrezikshme janë njohur edhe më parë), por “teoria” që na servir ky autor është e vjetër. Unë dëshiroj ta kundërshtoj autorin e saj, duke përsëritur, ndoshta, edhe ndonjë argument që kam zhvilluar në polemika të ngjashme me autorë të tjerë të huaj, ose në kundërshtim me teori të ngjashme me këtë.

E para gjë që dua të vë në dukjse është se edhe njerëzit më të talentuar dhe ekspertët më të mirë të shkencave shoqërore e të marrëdhënieve ndërkombëtare përgjithësisht gabojnë në prognozat e tyre mbi zhvillimet e ardhshme, madje, shumë herë, janë të paaftë që të dallojnë edhe afrimin e ngjarjeve epokale, siç ishte, fjala vjen, shembja e Bashkimit Sovjetik dhe përmbysja e rendit të socializmit shtetëror në atë vend dhe në Europën Lindore. Asnjë nga ekspertët sovjetologë, në Perëndim dhe në Lindje, nuk mundi ta parashikonte dot përmbysjen e atij sistemi dhe, sidomos, mënyrën paqësore të shembjes së tij, jo vetëm në fillim të viteve 1980, por as edhe në fund të asaj dekade. Edhe akademikë nga më të shquarit, si historiani Richard Pipes në Harvard, e quajtën shembjen e komunizmit dhe shpërbërjen e bllokut sovjetik një ngjarje “të papritur”. Martin Malia, një ndër ekspertët amerikanë më të njohur për Bashkimin Sovjetik dhe autor i librit të famshëm Tragjedia sovjetike, e konsideroi “befasinë dhe tërësinë” e shembjes së sistemit sovjetik si “surprizën më të madhe të fundit të shekullit të 20-të”.

Në një artikull të botuar disa vite më parë, kam shkruar se, në qoftë se studiuesit e shkencave shoqërore dhe ata të marrëdhënieve ndërkombëtare, me teoritë në të cilat mbështeten, nuk mundën ta parashikonin dot shembjen e sistemit të socializmit shtetëror, shpërbërjen e bllokut sovjetik dhe, bashkë me të, shembjen e “Botës së Dytë”, si mund të pritet që ata, të “armatosur” me të njëjtat teori dhe metodologji, të jenë në gjendje që të parashikojnë ndryshimet në nivel makroshoqëror, ose tendencat e zhvillimeve globale në shoqërinë e sotme apo ato të nesërme?

Karl Popper vinte në dukje se, kur një paradigmë nuk përputhet më me realitetin, kur probleme “anormale” i heqin një teorie aftësinë për t’i shpjeguar ato, do të thotë se ka ardhur koha për të adaptuar një këndvështrim i ri. Për kohën e sotme, nëse huazoj fjalët e ekonomistit të shquar amerikan Thomas Schelling, nevojitet “një teori mbi antagonizmin e paplotë dhe mbi partneritetin e papërsosur” për një botë që është bërë njëherësh “më shumë asimetrike nga pikëpamja e perceptimeve dhe e pasioneve dhe më pak asimetrike nga pikëpamja të fuqisë”.

Ka shumë autorë, të cilët, njëlloj si Mahbubani, nuk ngurojnë të bëjnë prognoza specifike mbi zhvillimet e ardhshme. Një ndër ta, fjala vjen, George Friedman, në librin e tij Njëqind vitet e ardhshëm, botuar më 2009, parashikonte se, në vitin 2020, pra pikërisht këtë vit, Kina do të shpërbëhej, se aty rreth vitit 2050 Shtetet e Bashkuara, Turqia, Polonia dhe Japonia do të jenë fuqitë më të mëdha të planetit, të përfshira në një luftë globale mes tyre, dhe se, në fund të shekullit të 21-të, Meksika do ta sfidojë Amerikën. Pa as më të voglin hezitim, profeci të tilla unë i quaj tërësisht science fiction.

Ajo që mund të thuhet me një farë sigurie është se, sot jetojmë në fillimet e një epoke të re historike, tipari themelor i të cilës ende nuk është definuar. Shumë intelektualë dhe studiues në Perëndim po bëjnë një karrierë të shkëlqyer duke pretenduar se definicionet që ata ofrojnë si, për shembull një “botë pa kufij”, “ngritja e gjigandëve të Azisë”, “bota postmoderne”, “bota pa Perëndimin” etj., janë më të saktët për të shprehur karakterin e epokës së re. Të njihesh me pretendimet e tyre është diçka e dobishme, sidomos nëse mbajmë parasysh historinë e dështimeve të shumë intelektualëve të njohur gjatë shekullit të 20-të në parashikimin e kursit të zhvillimit shoqëror në plan global.

* * *

Vetëm gjatë këtyre njëzetë viteve të fundit, ideja se “shekulli amerikan” ka mbaruar dhe se Kina, Bashkimi Europian ose ndonjë fuqi tjetër e madhe do t’i zërë vendin Amerikës si fuqia hegjemone e globit është shtjelluar në qindra libra dhe në mijëra artikuj të botuar në revista akademike. Të shumtë janë librat që parashikojnë dhe përshkruajnë një botë “post-amerikane”, shumëpolare, si rezultat i rënies së fuqisë amerikane. Disa prej titujve të botuar vitet e fundit, madje edhe në vetë Shtetet e Bashkuara, dëshmojnë se ideja mbi shekullin e 21-të “post-amerikan” është përhapur si një epidemi ndër intelektualët e sotëm. Tituj të tillë janë: Fundi i epokës amerikanePse Europa do të sundojë shekullin e 21-tëFuqizimi për të sfiduar: strategjia e madhe e Kinës dhe siguria ndërkombëtareBota post-amerikaneShtetet e Bashkuara të Europës: Superfuqia e re dhe fundi i supremacisë amerikaneKufijtë e fuqisë: fundi i eksepcionalizmit amerikanPas perandorisë: lindja e një bote shumëpolareFundi i rendit botëror amerikan e shumë të tjerë.

Është për t’u habitur se si, në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare e të politikës globale, nisur nga disa zhvillime të ditës, edhe pse të rëndësishme, mund të krijohet kaq lehtë bindja se struktura e këtyre marrëdhënieve dhe prirjet e politikës globale mund të ndryshojnë brenda një periudhe relativisht të shkurtër. Sidoqoftë, duhet theksuar se pikëpamja e sotme mbi rënien e supremacisë amerikane në politikën globale, sidomos tani, në kushtet e krizës së krijuar nga pandemia covid-19, siç përpiqet të argumentojë Mahbubani, nuk është diçka e re. Më poshtë, unë përpiqem të argumentoj pikërisht këtë.

* * *

Shekulli i 20-të ka dëshmuar shumë herë se sa e mundur është që edhe ntelektualë nga më të shquarit të gabojnë në parashikimet e tyre për zhvillimet e ardhshme globale. Miopia e tyre në ndonjë rast është e habitshme. Fjala vjen, në villim të viteve 1910, Norman Angell, në librin e tij Iluzioni i madh (The Great Illusion), besonte lufta ishte bërë tashmë një fenomen që i prkiste së shkuarës dhe se forcat e kapitalizmit—teknologjia, tregtia e lirë dhe racionalizmi liberal—po krijonin një botë paqësore, pa kufij dhe pa luftë. Vetëm pak muaj më vonë, kur Europa u bë arenë e një luftë të përgjakshme, e para luftë botërore në histori, u provua se optimizmi i këtij intelektuali nuk kishte asnjë mbështetje në realitetin shoqëror të kohës, edhe pse kjo nuk e pengoi atë që, në vitin 1933, të merrte Çmimin Nobel për Paqe.

Po kështu, Depresioni i Madh i viteve 1930 krijoi te shumë intelektualë europianë bindjen se kapitalizmi dhe liberalizmi po jetonin ditët e tyre të fundit, se ky sistem “i dështuar” po “vetëshkatërrohej” për shkak të “kontradiktave të tij të brendshme” dhe se ai do të zëvendësohej nga një “luftë për pushtet që po afrohej” (The Coming Struggle for Power), nëse përdor titullin e njërit prej librave më me influencë në vitet 1930, shkruar nga John Strachey, me çka ai kuptonte një luftë për jetë a vdekje midis Fashizmit dhe Komunizmit. Kjo pikëpamje dominoi në radhët e intelektualëve europianë deri në fundin e viteve 1940. Më 1945, për shembull, A.J.P. Taylor, një ndër historianët anglezë më në zë, i siguronte dëgjuesit e tij të BBC-së se “Askush në Europë nuk beson më në modelin amerikan, që është ndërmarrja e lirë private. Nëse ka njerëz që akoma besojnë në të, ata i përkasin një partie të humbur”. Të gjitha këto thuheshin në një kohë kur Perëndimi ishte në vigjilje të prosperitetit më të madh ekonomik që kishte njohur deri atëherë historia e njerëzimit, prosperitet të cilin e solli po ai sistem kapitalist që intelektualët europianë e konsideronin si një sistem në kalbëzim e që po jepte shpirt.

* * *

Edhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur Amerika u bë fuqia dominuese e globit, profecitë mbi finis Americae janë përsëritur thuajse çdo dekadë. Për herë të parë, kjo ndodhi në fundin e viteve 1950, kur Bashkimi Sovjetik lëshoi Sputnikun e vet në hapësirën kozmike dhe, me këtë, u besua se ai vend do ia kalonte Amerikës në çdo drejtim. Kjo ngjarje u pasua më vonë nga paniku, mjaft i përhapur në fillimin e viteve 1960, se Bashkimi Sovjetik e kishte lënë pas Amerikën si në teknologjinë e armëve bërthamore, ashtu dhe në numrin e tyre.

Për herë të dytë, kjo ndodhi në vitet 1970, pas rënies së Saigonit dhe stagflacionit në Shtetet e Bashkuara. Edhe atëherë, pikëpamja që sundoi në radhët e intelektualëve europianë ishte ajo, sipas të cilës, sistemi komunist ishte bërë i pashkatërrueshëm dhe Bashkimi Sovjetik po e fitonte Luftën e Ftohtë, të cilën Amerika—e mundur nga një ushtri fshatarësh në Vietnam, e lodhur nga konfliktet e brendshme dhe me një imazh të dëmtuar rëndë nga Skandali i Uotergejtit—po e humbiste. Madje, edhe në fillim të viteve 1980, ekonomisti më i preferuar i intelektualëve perëndimorë, John Kenneth Galbraith, vazhdonte të insistonte se “sistemi sovjetik [kishte] arritur një progres të madh material”, duke e konsideruar atë si një model ekonomik “të suksesshëm”. Në fakt, ai sistem provoi se ishte një dështim i madh, një sistem, i cili, sipas një ekonomisti të njohur rus, Stanislav Menshikov, “riprodhonte gjendje defiçiti”, “gjendjen e një oferte të pamjaftueshme dhe të kërkesave në rritje”. Në mesin e viteve 1970, edhe vetë Henry Kissinger besonte se sistemit dypolar i kish ardhur fundi dhe se në atë kohë po krijohej një bote shumëpolare, që do të drejtohej nga pesë fuqi të mëdha. Kjo, gjithashtu, nuk ndodhi. As atëherë, as sot, afro gjysmë shekulli më vonë.

Për herë të tretë, pikëpamja se Amerika po e humbiste rolin e saj dominues në botë u bë shumë e përhapur në vitet 1980, kryesisht si rezultat i sfidës ekonomike të Japonisë. Në atë kohë, shumëkush besonte se Japonia do të bëhej sunduesja ekonomike e globit. Disa blerje spektakolare që bënë kompanitë japoneze në Shtetet e Bashkuara—përfshirë edhe blerjen e qendrës së famshme “Rockefeller Plaza”, në zemër të Manhatanit, si dhe “Pebble Beach” në Kaliforni—krijuan paranojën dhe mitin se “Japonia po e blen Amerikën” dhe u bënë, për një kohë, simbol i të ardhmes së Japonisë. Më 1991, Chalmers Johnson formuloi tezën e tij të famshme: “The Cold War is over, and Japan won” (Lufta e Ftohtë ka mbaruar dhe Japonia fitoi), e cila u bë një ndër sloganet më popullorë në Europë, në Azi dhe në Amerikën Latine. “Paniku” që u krijua në atë kohë, sidoqoftë, mori fund shpejt kur u provua se blerjet prej kompanive japoneze ishin bërë për një vlerë shumë më të madhe sesa vlera reale e industrive të shitura. Edhe pse përfundimi i Luftës së Ftohtë nuk e dëmtoi Japoninë, me mbarimin e saj, ky vend filloi të ndihej “më shumë i shqetësuar, sesa i kënaqur dhe më shumë i kërcënuar, sesa i sigurt”, siç ka pohuar në fillim të viteve 1990 edhe vetë Kishore Mahbubani. Që nga ajo kohë dhe për shumë vite me radhë, ndërsa ekonomia japoneze ka qenë pothuajse në stanjacion, ekonomia amerikane është rritur më shumë se 40 për qind.

/Dita
Share: