Kreu i PD-së, Lulzim Basha, akuzoi qeverinë se nuk ka asnjë projekt konkret për nxjerrjen e biznesit të vogël nga kriza ekonomike e shkaktuar nga pandemia e COVID-19.
Nga njësia nr.8 në Tiranë, ku takoi drejtuesit e disa bizneseve, kryeopozitari tha se ata nuk kanë marrë asnjë ndihmë.
“Ndërkohë që qytetarët janë në pamundësi, RAMAVIRUSI i dha vetëm dje 727 mijë euro inceneratorit të Tiranës.
Kjo qeveri dhe ky kryeministër janë sot barra më e rëndë dhe e keqja më e madhe për qytetarët shqiptarë”, shkruan mes të tjerash Basha.
Postimi i plotë:
Basha takon bizneset në Njësinë nr 8 në Tiranë: Ekonomia shqiptare po vuan nga RAMAVIRUSI.
Gjendja në njësinë Nr. 8 në Tiranë ku qytetarë dhe biznese po përballen me një krizë të thellë ekonomike është e dhimbshme: varfëri, papunësi dhe shumë biznese që falimentojnë.
Qytetarët nuk kanë marrë asnjë ndihmë të premtuar nga Rama. Nuk ka asnjë projekt konkret për të nxjerrë nga kriza e pandemisë ekonomike biznesin e vogël.
Shfaqjeve me regji të propagandës së Edi Ramës ju ka dalë boja. Situata e vështirë ekonomike, xhepat e boshatisur, tavolinat e zbrazëta dhe papunësia alarmante janë e vërteta e hidhur që nuk mund të fshihet.
Ndërkohë që qytetarët janë në pamundësi, RAMAVIRUSI i dha vetëm dje 727 mijë euro inceneratorit të Tiranës.
Kjo qeveri dhe ky kryeministër janë sot barra më e rëndë dhe e keqja më e madhe për qytetarët shqiptarë.