Nga Brizida Gjikondi
Mendoj që askush nga Partia Socialiste nuk ka moral kombëtar, ndaj nuk duhet ti shkel varrezat e dëshmorve në këtë të trishtë 5 Maj.
Dymbëdhjetë mijë lek kushton libri i Çelo Hoxhës (nuk është i Agron Tufës) me titullin “Krimet e Komunistëve gjatë luftës 1941-1945”, libër i cili është botuar nën siglën e Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, dhe skish si të ish ndryshe ndërkohë që Çeloja është edhe Drejtor Arkive i këtij institucioni (rrogtar domethënë) dhe njëkohësisht Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Balli Kombëtar (konflikt i hapur interesi për librin që ka shkruar si ballisto-historian), plus dhe shkrimtar që paguhet ekstra për kësi veprash.
Instituti në fjalë është një institucion buxhetor i krijuar në 2010’ën i cili paguhet me lekët e shqiptarve dhe që veprimtarinë e tij me ligj duhet ta shtrij përgjatë viteve 1944-1991.
Kam kohë që i bluaj këto rrjeshta në mëndjen time, i dhashë kohë kohës dhe prova mendimit. Për së pari sigurova një kopje të këtij libri, i cili tashmë është një provë shumë e fortë gjyqësore, pasi në të mishërohen të gjitha llojet e veprave penale me penalitetet e tyre civile, financiare dhe ligjore por edhe një shkelje e hapur e Kushtetutës, Nenit 30 të saj etj.
Kurajoja e Çelos edhe pse në kurriz mban dy arrestime në vitin 2007 dhe 2010 për veprën penale të falsifikimit, nuk është e rastësishme, kurajoja e tij vjen pasi toka ku ai hedh farën e helmit, përcarjes dhe nëpërkëmbjes është toka pjellore e Partisë pa moral Socialiste. Parti e cila përbëhet nga njerëz të emëruar, ndaj pa identitet por me interesa vdektare, tejet personale (për capën e bukës kur i thonë fjalës), njerëz që flirtojnë (dhe atë e bëjnë në mënyrë bashibozuke) me të majtët por nuk janë të majtë, asnjë ligj, projekt, vizion, arsimor-historik-ligjor ekonomik, nuk është i tillë. Partia Socialiste është një vegël shërbimi në dorë të kastës financiare që drejton vëndin, për mos thënë që shumë ish ministra të saj tashmë janë pjesë e kësaj kaste. Në 30 vjet ajo si shushunjë makiaveliste nuk ka bërë asgjë për brezin e idealistëve të Luftës së Dytë Botërore, absolutisht asgjë. Ata janë ose thënë në kohën e duhur ishin në këto 30 vjet njerzit më të nëpërkëmbur, më të braktisur dhe më të keqtrajtuar, moralisht-financiarisht në shëndetësi e në cdo hall dhe traumë që ju desh të përballonin në këtë kohë pa moral dhe pa mirënjohje.
Lufta Nacional Clirimtare pati një rol vendimtar në clirimin e vëndit nga pushtuesit nazi-fashist. Ndryshe nga shumë vënde të tjerë, Shqipëria falë luftës së partizanëve të saj arriti që prezencën e aleatëve në luftë ta kishte ndihmuese por jo decizive.
Vlera e rezistencës partizane të popullit shqiptar përgjatë luftës së dytë botërore është sidomos tek imazhi i Shqipërisë që i ofroi botës, sidomos Forcave Aleate që ishin hezituese ndaj Shqipërisë dhe fuqisë së saj shpirtërore, e cila diti të dilte përtej prapambetjes së saj arsimore dhe ekonomike dhe të bashkohej me botën përparimtare në kahun e duhur të historisë.
Se sa me vlerë dhe sa e cmuar ishte lufta partizane këtë e provon edhe Konferenca e Paqes e mbajtur në Paris në 1946, ku pavarësisht intrigave të Greqisë zyrtare, Shqipërisë ju njoh kontributi i madh i rezistencës dhe u dëmshpërblye për dëmet që pësoi.
Unë nuk do doja të zgjatesha në vlerat e luftës partizane, pavarësisht se ndjehem e trishtuar me këtë vakum injorues 30 vjecar, me këtë histerizëm dhe gjykim të sipërfaqshëm të asaj lufte dhe atij shpirti kombëtar që përfshiu, cdo student, nxënës, punëtor, fshatar, të pasur dhe të varfër, vajza dhe djem duke i marrë armët dhe duke luftuar me shpirt, në acar dhe në territore tejet të vështira për një ideal suprem, atë të clirimit të atdheut. Rrallë, prej kohës së Skënderbeut, shqiptarët ishin bërë bashkë dhe sidomos, njësoj si atëherë, në kahun e duhur të historisë, sa për tradhëtarë dihet që kish shumë si atëherë por edhe përgjatë luftës së dytë botërore, në cdo shtet dhe në cdo luftë ka të tillë. Të gjithë vëndet aleate ashtu si dhe Shqipëria i shpallën kolaboracionistë bashkëpuntorët e fashizmit dhe nazizmit tradhëtarë të Atdheut, dënimet mbi ta ishin të ashpra, tradhëtia përherë dënohet. Edhe vëndet si Italia që mbanin në të njëjtën tokë dhe fashistët dhe partizanët (dhe as ata nuk e quajtën luftë civile ) i dënuan egërsisht tradhëtarët e tyre, si një ndëshkim sidomos me fuqi prapavepruese.
Tani është kollaj të shkruash, të engledisesh, të trillosh, të përcash, por përgjatë luftës së dyte botërore nuk bëhej shaka. E bardha ishte e ndarë qartaz nga e zeza, e kuqja gjithashtu.
Një nga emrat e listës së Çelos është dhe gjyshi im Komandant Teki Kolaneci, dhe si për të konfirmuar nivelin e tij intelektual të ferrit emrin në listë ja ka bërë me të zezë të theksuar, se sipas shpjegimeve që jep thotë që në këtë listë me 265 “kriminelë” ata me të zezë të theksuar janë më kriminelë se të tjerët.. në fillim pa patur librin në duar isha paksa jo e qetë, por kur e shfletova, më kapi një gaz i hareshëm dhe po mendoja.. që Çelua dhe ballistët asnjëherë nuk zhgënjejnë.. dhe ndoshta i faktorizojmë që i përfillim tani. Kush kish për të luftuar për Atdheun, luftoi në 1941-1944, kush kish për të rënë për Atdheun ra me shpirtin zjarr, pavarësisht se Çelua edhe heronjtë martirë si Mustafa Matohiti, Hysen Çeno, Skënder Çaci, Myslym Shyri etj etj i ka listuar tek “kriminelët” asgjë nuk kthehet mbrapsht, lufta nuk zhbëhet, aq më pak nga një si Çelua dhe eunukët e heshtur të Partisë Socialiste.
Në Shqipërinë e ceremonisë qeveritare të krye ballistit Mithat Frashëri dhe shtatores së Ahmet Zogut, për pak janë zgjedhjet lokale ndoshta dhe parlamentare, dhe Partia e pa moral dhe tejet e lodhur Socialiste si një plakë e konsumuar nga imoraliteti i saj, sërish do heq zvarrë këmbët drejt varrezave të dëshmorëve, i duhen votat jo shaka, dhe jo vetëm aq, por ndoshta kryetari i saj pa busullë të kolauduar vlerash, sërish do mbaj një fjalim idiotesk pa kohë dhe pa mesazh.. dhe dihet, nuk ka gjë më të shpifur se kur politikanët bëhen edhe historianë, dhe jo vetëm aq, por të imponojnë vizionin e tyre imoral si vizion kombëtar. Ndër këto rrjeshta të fundit më vijnë ndër mëndje vec dy gjëra, e para që Çelua njeriun e kryeministrit në listën e “kriminelve” nuk e kish bërë me të zezë të theksuar (pasi ka mirënjohje për dorën e pushtetit që i jep bukën, ballistët përherë e kanë patur”.. dhe e dyta duke dashur ta mbyll dua të përmënd dicka… kreu i rezistencës franceze Mark Blok, që ish dhe ndër historianët më të shquar të 900’ës mbasi u pushkatua nga nazistët, i gjetën ndër letrat e tij amanetin kur kërkonte që ti shkruhej në epitaf aty ku do të prehej këto fjalë, fjalët e tij ishin .. “dilexit veritatem” e donte të vërtetën..