Studiuesja e letërsisë, profesoresha Klara Kodra, ka përkthyer në italisht, vëllimin me poezi të poetit të ri të talentuar Elvi Proko, me titullin tepër origjinal “Axis Nullae”. Elvi Proko jeton prej vitesh në Romë dhe dashurinë disavjeçare për fjalën shqipe dhe për poezinë i ka kurorëzuar me botimin e librit dygjuhësh, shqip-italisht. Titulli aq shprehës “Axis Nullae” është një parodizim nihilist i termit “Axis Mundi”, që, në mitologji dhe religjione të ndryshme, simbolizon boshtin, rrugën që lidh botën me përtej botën, mikrokozmosin me makrokozmosin.
Vetë strukturimi i cikleve të poezive ka një bazë mitologjike që shfrytëzohet në funksion të botëvegimit të poetit. “Cikli i Meduzës” simbolizon Tokën (Meduza ishte përbindësh tokësor). “Cikli i Hadesit” shpreh botën e të vdekurve sipas mitologjisë greke dhe përtej tij gjendej një përtejbotë akoma më e errët, Tartari që i jep emrin “Ciklit të Tartarit”.
Sipas prof. Klara Kodra, e cila njëherësh ka përshtatur edhe versionin në italisht të vargjeve, poezia e Elvi Prokos do të mund të vendosej midis hermetizmit dhe pas-hermetizmit, dy prirjeve kryesore të poezisë shqiptare bashkëkohore. Gjithsesi autori parapëlqen hermetizmin dhe në një mënyrë të vetën, për të mos rënë në pasmodernizmin, të cilin e sheh si kurth, meqenëse aty mjet shprehës metaforik bëhet abstraktja, synon të bëjë një sintezë të hermetizmit me simbolizmin, surrealizmin dhe futurizmin.
Poezia për Elvi Prokon i ngjan një katarsisi nëpërmjet të cilit poeti do të yshtë mendimin negativ. Vetmia e heroit lirik nuk buron nga përbuzja apo neveria për njerëzimin, edhe nëse ky hero shfaq dukshëm një farë cinizmi, po nga një dëshirë e zjarrtë për të rigjetur idealet. Në vijim, mund të lexoni disa nga poezitë e tij:
Shkurt në Romë
Trupëzohem
Në zbrazëtinë e paqtë
të një mbrëmjeje të ftohtë shkurti.
Rrugët pa banorë,
Sheshet pa turistë,
Rrugicat pa dashnorë,
Pjalmohen nga tingull shterpë i shiut,
Një prostitutë pret udhëkryqesh
Duke e ditur se s’ka ç’të presë
Dhe Teveri me babëzinë e Akerontit
Gëlltit errësinë që duket se nuk shterr
Dilema e gjarprit
Mes shkëmbinjve të malit mbarset ekzistenca ime,
Ankthet, me gurgullimën mortore të akujve të burimeve,
Derdhen të ftohtë mes mineralesh e kristalesh të kohës
Rrënjë të rënda e të vjetra përpëliten në gurore
ku pesha e llavës është më e lehtë se pesha e qiejve
Dhe një kurorë gjethesh rastësore merr frymë lartësish shkëmbore,
Në sipërfaqen ku kanë shkelur egërsira e gjahtarë-lajmëtarë të fatit,
Apo kanë shlodhur flatrat shpendë mërgimtarë,
që nuk u frikësuan nga babëzia e detrave,
Por në brendësi të malit, veç refreni i mbytur
i zvarritjeve të mia dëgjohet, në pluhur,
E unë nuk di: në marshimi im është zhvendosje
e një pllake tektonike, apo tërmet i saj.
E unë nuk di, si të ngjitem apo të rrokullisem në fund të honit,
Murosur mes stalaktitesh e stalagmitesh të ftohtë
Në shpellë të malit të boshit të zemrës sime,
Ngul dhëmbët në lëkurën time të rregjur
E nuk di, në helmi im do arrijë gjer në zemër.
Buzëmbrëmje nëntori
Njëra pas tjetrës marrin jetë
Dritat e ngrohta buzë rruginave të Lungotevere-s
Nata pështjell ngadalë,
Si një ninullë e herët
Kryet e supet nga fllad i freskët
me shalle mbrothur.
Shpendët lëshojnë të fundmet sfida
Acarit që kërcënues troket portat e qiellit
Dhë gjethet fëshfërijnë si pëshpërima shpirtrash të ligj
Peneluar me nuanca të errëta,
Ndërsa sfumatura të purpurta e të kaltra
Prekin kurmin e horizonteve të njollosura,
I papeshë, pluskimi i shqisave të mia,
Skëterrat e kafkës boshatisur nga mendime,
Ndërsa ekzistenca vërshon
Si harresa në një gote vere
Dëshirë
Dora zgjatet drejt pasqyrës
Për të rrokur një shkëndijë.
Duket sikur pasqyra është e qelqët,
Jo. Sikur ti je sendepërshkues
Zhytet dora ngadalë në të…
Dhe ngec.
Mbetet mes pasqyrës e murit.
Dashuroj
Nën thonj parreshtur gropos
Fragmente të pafund dashurie,
Ndonjë e vjedh këtu,
Ndonjë e vras atje,
Shumë, sa shumë!… Fjalë
të pathëna,
Njerëz të paqënë, ikje
Përgjithmonë…
Rrokullisem, katandisem, batërdisem,
Drejt kësaj paplotmërie të thyer
Tinguj të egër, prej çizmesh
shkelje ngjethëse. Fragmentesh
Me durim, e mundim, e përgjërim,
I kërrusur i mbledh e rimbledh,
Ato pasqyra grimcash
Të reflektuara nga shëmbëlltyra të ndryshme,
Të braktisura nga e njëjta dritë.
I qelqët dashuroj një dashuri prej qelqi
Të thërrmuar e hapërdarë
Në një Univers të copëzuar
Stabat mater
Dëgjoj in progressum pikëzat e linfës
Si lotë malli prej tullave të largëta
Të pikënisjes sime
E kujtimi yt i pambuktë më përqafon
Në bardhësi e trishtim.
Murosur në kështjellën e shtëpisë sonë,
Prej themelesh dredh e përcjell oguret e tua amësore
E unë harrues, konfuz,
Kryqëzohem në fate të pafat,
Që meraku yt s’do të mund t’i përmbledhë.
Harromë, e shtrenjtë, e ndoshta
Shpirti yt prej të krishtere ateiste
Do të gjejë ndopak frymëmarrje,
Ndërsa unë, mosmirënjohës për jetën
Dhe mirënjohës për përtejjetën që më dhe,
Do të të dashuroj gjithmonë.
Requiem
Një komb i zi, më i zi se nata më e zbrazët
Pa yje, ku pezullojnë kërcënueshëm re të kobshme
Stuhish, m’u mblodh në grykën e çjerrë
Nga plisat e rëndë të dheut që, edhe unë, gëlltita e lëshova
Si një shpresë të vrarë në fjetoren tënde të përjetshme.
Tingulli i tyre i mbytur si jehona e mortit
Në dërrasat e perëndimit fizik troket fatal
Kujtimin që valë-valë dalëngadalë përmbyt
Ultësirat e shpirtit ku vajtojnë ankimtare ujërat funebre
Nga rremat e Karontit përcjellës i Tokave pa Kthim.
Në gjysmëterr të dhomës tënde treten aromat
e dashura prej tymit të heshtur të qirinjve të zbehtë
Që digjen adagio pa lutje, pa dritë, pa flakë,
E fotot e heshtura si pikëllimi i dallëndyshes
që lëshohet pa shpresë, në fluturim të fundit drejt honit,
Rendin pas muzgut të kujtimeve të sfumuara mjegullisht.
Muret e vjetra të shtëpisë duket se duan të rrokin
Kumbimin mungues të zërit të trishtë, të gëzuar, kritik,
Që përplasej kundrejt barrikadash indiference, keqkuptimesh, moskuptimesh,
e kore lotësh, e pendesash, e enigmash, si gjeratore ciklike
yshtin me mallkimin e një magjie okulte këtë shtëpi-mort.
Në një varg të Eseninit, Cvetajevës, Majakovskit,
Në një rresht të Gogolit, Tolstoit a Dostojevskit të rigjej,
si një metaforë kujtimi në ndijim metafizik;
Sa më mungon, babushka, moya golubka[1]!
Trashëgimtarja e mësuesja e trishtimit rus.
Mungesa përqafon dhembjen e notave të Elegjisë së Rachmaninov-it,
Në revoltë ndaj ndarjes së papranueshme e mizore,
E ndërgjegja pështjellohet mes ëndrrës dhe makthit,
Ku prekja mohon ndijimin dhe asgjësimi kujtimin.
Sa e sa biseda me aromë kafeje të ngrohtë, ironie të ëmbël,
Gazi përqafues e tmerri spitalor, në kolltuk të butë të dhomës,
Humbasin formë, e humbasin jetë, e humbasin krejt.
E në mendje gozhdohet shikimi i fundit plot vetëdijen
e dallgëve të një deti shpirtëror që përcjell disfatën, lamtumirën.
Por unë-mohues nuk mund të të fal përshëndetjen finale,
Bashkudhëtare e dashur e rrugëtimit tonë drejt Hades-it.
Në një varg, a rresht, a tingull të lirikës ruse,
Do shtrëngoj shallin e ngrohtë që më pështillte qënësia jote,
E përditë në fëshfërimë sharpa e zezë rrëshket e më zhvesh
Në humbjen e përdhunshme prej imazhit të shpërfytyrimit fizik,
Që më mbërthen me darën e një kombi jerm të zi sterrë.
[1] Gjyshe, pëllumbesha ime (shënim i autorit)
Filii Dei
Ekoja e pikëzave të gjakut në deltat e Gjeas
Një profeci këndon, të lashtë sa vetë Kaosi,
Zhurmshëm. E sirenat zhyten befasisht
Në kujtim të largët të ditëve pa peshë,
ku burgosur në placentën e Kronosit,
shëtisja në liri mbi traktorin e vogël blu,
e oborri i shtëpisë me trëndafila të kuq pa vrasje
Ishte mbretëria ime, qiellore,
Shëtitore ëndrrash ku nimfat më puthnin me petkat e Heliosit;
Dëshira ishte mundësi, e ardhmja përjetësi,
E moskokëçarja ime ishte mosqënësia ime
Ekoja e pikëzave të gjakut në deltat e Gjeas
Gjëmon profecinë e froneve të rrëzuar.
Copëtohet traktori blu, në muret e oborrit
Dhe shtëpia e fëmijërisë tretet si një ankim i largët.
Urani i trishtë më përcjell mallkimin atësor
Në arenë gladiatorësh ku sundojnë Ciklopët, Erinitë, Gjigandët.
Dëshira pjalmon Absurdin, e ardhmja Nulin,
E shqetësimi ekzistencial më anullon në qënësi.
Tirani, me një gjest të gishtit shenjon fundin tim,
e turma, pas tij, e pamëshirtë si vdekja, brohoret rrëzimin
Ekoja e shirave të gjakut në honet e Gjeas
Pëshpërit profecinë makabre të trinitetit tim.
Në asgjësim do të të gllabëroj, të qeshur e të pafaj,
Dhuratë një motorr blu, derisa të hedhësh rrënjë në fronin zi,
E në emër të njerëzimit, do të të kryqëzoj në vetmi.
A do të mundesh, si unë, të mbretërosh këtë çmenduri?
Ku nga pikat e gjakut tim do të lindin Erinitë e Gjigandët,
E lumenjtë pa Apokalips do të mbeten një kujtim i largët…
A do të mundesh?[1]
[1]Miti i Uranit dhe Kronosit jep idenë e kalimit ciklik nga fëmija te i rrituri dhe nga i ati te i biri. Sipas mitit, prej pikave të gjakut të Uranit të rrëzuar nga froni lindën Erinitë dhe Gjigandët; e përdor këtë detaj për të theksuar përgjegjësinë që merr mbi supe kur nuk je më fëmijë.