Më ardhjen e kohës së nxehtë, kanë nisur të shfaqen edhe mushkonjat e para. Këto insekte, përveç bezdisë që shkaktojnë me pickimet, dihet që janë bartës të viruseve, baktereve dhe parazitëve, që shkaktojnë sëmundje serioze: mendoni pak malarien, infeksionin Zika, ethet e verdha, etj.
Gazeta ‘Corriere della Sera’ i jep një përgjigje kësaj pyetje munduese. Edhe pse aktualisht nuk ka prova specifike shkencore, studiuesit, bazuar te elementët e njohur të këtyre insekteve, përjashtojnë mundësinë që të transmetojnë edhe koronavirusin.
Sipas tyre, mushkonjat nuk janë një vektor i ngjitjes së Sars-CoV-2.
Në fakt, sipas njohurive të deritanishme, ky është një virus që nuk transmetohet përmes vektorëve pasi është një virus i frymëmarrjes që transmetohet përmes pikave të pështymës.
Që të jenë në gjendje të infektojnë, mushkonjat duhet ta replikojnë patogjenin brenda dhe kjo nuk ndodh në rastin e koronavirusit. Mushkonja nuk është e infektuar dhe për këtë arsye nuk mund të infektojë të tjerët.
Studimet tregojnë se disa viruse transmetohen përmes mushkonjave. Sidoqoftë, ekzistojnë shumë viruse që nuk mbijetojnë te mushkonjat ose nuk e infektojnë atë. Mes tyre është Ebola dhe HIV. Kjo për shkak se disa përbërës infektues nuk janë në gjendje të përshtaten me organizmin e tyre, madje kanë nevojë për një kohë inkubacioni më të gjatë se vetë jeta e mushkonjave.
Duhet mbajtur mend mirë se rruga kryesore e transmetimit të këtij koronavirusi janë pikat e pështymës, nga kollitja, teshtima apo e folura pranë dikujt tjetër. Kurse indirekt, virusi mund të merret nga kontakti me sipërfaqet e kontaminuara.
E rëndësishme është të lani duart dhe të mos prekni fytyrën.
Sidoqoftë, mushkonja është një insekt i rrezikshëm që shkakton miliona vdekje.