“Komedia njerëzore” e Balzakut, thesar i çmuar i letërsisë botërore

Kritikë Letrare

Nga Klio Evangjeli

 

«Një koleksion romancierësh francezë pa Balzakun do të ishte si tragjedia Hamlet po t’i hiqej Hamleti», – ka thënë një bashkatdhetar i shkrimtarit. Këto fjalë mund t’i kuptojnë lehtë të gjithë ata që i njohin veprat e tij, të gjithë ata që kanë ndierë fuqinë e çuditshme të penës së tij, thellësinë e mendimeve, përsosurinë e pikturimit të karaktereve, realizimin e subjekteve që janë tablo të gjalla, prekëse të jetës; ata që kanë shijuar poezinë e hollë e të merme që ka derdhur Balzaku në romanet e tij.

***

Balzaku ka zhvilluar një krijimtari të gjerë letrare.

Ai nuk është kufizuar vetëm me pasqyrimin e disa anëve të realitetit të kohës së tij dhe të përshkruajë vetëm disa tipa njerëzish; ai ka nxjerrë përpara lexuesit një botë të tërë që jeton, lëviz, vepron, vuan: ai ka treguar të gjitha tragjeditë e panjohura që zhvillohen brenda mureve të shtëpive parisiane dhe provinciale; «të gjitha dramat e errëta që ndodhin në familje e që të mbeten të fshehura, nuk janë të tmerrshme», siç e ka thënë vetë Balzaku; ai ka përshkruar të gjitha ngjarjet që prej Revolucionit e këndej; ka pasqyruar gjithë shoqërinë borgjeze të lindur pas këtij revolucioni, me gjithë karakteristikat dalluese të saj, me lakminë e pamposhtur për pará, me dëshirat, qëllimet, idetë drejtuese të jetës së saj, që përqendrohen rreth idhullit të kohës: parasë, vetëm parasë, së cilës në shoqërinë e kohës i nënshtrohen të gjitha ndjenjat fisnike, për të cilën zhvillohen gjithë llojet e hipokrizisë, vihen në veprim të nëndheshëm të gjitha dinakëritë, bëhen krime dhe padrejtësi.

Balzaku, me intuitën e tij të rrallë e me syrin e mprehtë ka depërtuar në gjirin e kësaj shoqërie, së cilës i ka zbuluar të gjitha plagët, të metat dhe shëmtitë e saj. Vështrimi i tij ka hyrë edhe në zemrat e individëve e disave u ka parë veset dhe ndyrësitë në përpjesëtime të tmerrshme, të tjerëve cilësitë, të rrahurat fisnike të zemrës dhe natyrën engjëllore që strehohet në thellësi të shpirtit. Ai ka studiuar karaktere, ndjenja, temperamente të ndryshme, duke përfshirë tipa njerëzish të të gjitha zakoneve, por ka theksuar më tepër karakteret borgjeze që përcaktojnë kohën e tij, ku borgjezia sundonte e plotfuqishme me skeptrin e parasë.

Megjithëqë veprat e Balzakut kanë ngjyrë lokale dhe të sjellin ndërmend menjëherë atdheun e tij, figurat që i ka përshkruar me penelat prej mjeshtri gjenial e që skaliten në kujtesën e lexuesit, janë të çdo kohe dhe vendi, janë universalë: këtu qëndron rëndësia e veprave të tij dhe kjo i bën të pavdekshme. Të tilla janë: xha Grandei, i përbuzshëm dhe qesharak, koprrac e i neveritshëm, i cili i shërben si një pasqyrë ku duken shëmtitë morale të të gjithë koprracëve; Evgjenia me ndjenja fisnike e plot vetëmohim në rolin e bijës dhe të dashnores; xha Gobzeku që u thith gjakun dhe i bën të dridhen ata që bien në kthetrat e tij. E shoqja e kolonelit Shaber – simboli i degjenerimit moral. Zonjat dë Reste dhe Nysigen, bijat e xha Gorioit – pasqyra e mosmirënjohjes më të shëmtuar ndaj prindit dhe të grave të shthurura, dhënë pas luksit të shfrenuar: Avokati provincial Vine-Fushe, që mishëron vesin e për të kënaqur ambicien e tij i jep shkelmin çdo pengese dhe vepron pa skrupuj; zonjusha Rogron, të cilën e sundon zilia dhe vepron verbërisht, e shtyrë nga një instinkt i pamposhtur për të plotësuar dëshirën e saj etj. Kështu me radhë vazhdojnë gjithë karakteret e ndryshme në veprat e tjera. Vihet re se përveç heronjve kryesorë në romanet e Balzakut, edhe ata që janë planin e dytë dhe të tretë dallohen në tiparet e tyre morale; gjithë njerëzit fiktivë janë të ndryshëm njëri nga tjetri dhe fare të ngjashëm me njerëzit realë.

«Komedia njerëzore» është si një familje e madhe dhe çdo vepër është një pjesë përbërëse e së tërës dhe rëndësia e vlera e saj kuptohen më mirë po të lexohet e gjitha, sepse heronj që i ndeshim në një vepër i gjejmë dhe në vepra të tjera – kjo është një karakteristikë e Balzakut që nuk e hasim në shumë shkrimtarë të tjerë. Por Balzaku mund të shijohet edhe në romane të veçanta po të lexohet me vëmendjen e posaçme që kërkojnë veprat e tij klasike. «Komedia njerëzore» ka një karakter universal, ajo ka hyrë në thesarin e letërsisë botërore dhe është bërë pronë e mbarë njerëzimit.

 

Share: