Në Kalabri, te vëllezërit arbëreshë me Dritëro Agollin

Kulturë
Nga prof. Agim Vinca
(Kujtime për poetin që i jepte shpirtit shpirt)
Tre vjet më vonë do të shkonim bashkë në Kalabri. Dritëroi me Sadijen, si gjithnjë, profesor Nasho Jorgaqi, poeti Xhevahir Spahiu dhe unë. U bëmë bashkë në Tiranë, morëm aeroplanin në Rinas dhe zbritëm në aeroportin e Barit, ku na prisnin vëllezërit arbëreshë. Do të merrnim pjesë në përurimin e librit me poezi të poetit të shquar arbëresh Vorea Ujko. Poeti Agostin Jordani, studiuesi Italo Fortino dhe gruaja e tij poete, Kate Xukaro, ishin kujdesur për botimin e plotë të veprës së Voreas në një vëllim prej 777 faqesh. Takimi u mbajt në Fermë, ku Vorea kishte punuar si prift. Arbëreshët i thonë priftit “zot” dhe secilën herë kur e përmendnin Vorean, thoshin: “Zoti”. Takimi u bë në një kishë të shekullit XIV, një mjedis vërtet ekzotik, shumë i përshtatshëm për të folur për poezinë. Secili nga ne të ardhurit nga “Arbëria”, me Dritëroin në krye, mbajtëm nga një fjalë. Folëm për Vorean si poet, por edhe si njeri e atdhetar. Pas konferencës, organizuar nga Bashkia e Fermës, vizituam vendlindjen e poetit, Frasnitën, shtëpinë ku ka lindur dhe jetuar poeti i shquar, ku na pritën me shumë bujari nipi i tij me të shoqen.
Vorea kishte qenë i vetmi njeri që kishte hyrë në Shqipëri pa vizë në vitet ’70. Kishte ardhur me anije nga Italia në Mal të Zi dhe pas disa ditësh qëndrimi në Ulqin ishte nisur për në Shqipëri. Në doganën e Hanit të Hotit i kishin thënë: “Nuk ka mundësi, zotëri, nuk keni vizë”. “Merrni në telefon Tiranën, ua kishte kthyer ai, kryetarin e Lidhjes së Shkrimtarëve, shokun Dritëro Agolli”. Dritëroi kishte bërë çmos që miku të mos kthehej prapë dhe ia kishte arritur qëllimit. Ishin miqësuar bashkë, kishin ngrënë e kishin pirë si dy bohemë. Vorea i kishte rënë kryq e tërthor Mëmëdheut, nga Jugu në Veri, kishte rënë në dashuri me një këngëtare të njohur dhe kishte shkruar shumë poezi për të dhe për Shqipërinë. Në qoftë se në kufi e kishin toleruar, për martesën me këngëtaren, të cilën ai ishte i gatshëm ta merrte me vete, duke zhveshur rrobën e priftit, i kishin thënë se ishte e pamundur.
Ishte pajtuar me fatin dhe nuk ishte hidhëruar me Dritëroin. Përkundrazi. E kishte dashur fort si poet dhe si njeri. Dritëroi bënte shaka me veten dhe Vorean. “Në qoftë se Akademia Suedeze nuk ta jep ty Çmimin Nobel – i kishte thënë Vorea Dritëroit – unë do ta djeg Suedinë! Do t’i vë zjarrin!”.
Pas familjes Belliçi shkuam te Bellushi (At Antonio Belushi), në shtëpinë e tij, që i ngjan një muzeu. Ai u gëzua shumë dhe nuk dinte ku të na vinte. Vazhdimisht përsëriste fjalët, të cilat ia thoshte të motrës: ”Këta janë më të mirët çë ka Shqipëria!”. Na dha nga një komplet të revistës “Lidhja” dhe kërkoi të shkruanim diçka në fletoren e përshtypjeve. Secili nga ne lamë fjalë miradije për njeriun që nuk la cep të Shqipërisë, asaj të lashtës, të tërës, pa e shkelur me këmbët e tij në kërkim të rrënjëve shqiptare.
Sadija kujdesej për Dritëroin në çdo hap. Kishte merak të mos pinte shumë. I rrinte pranë kur hanim drekë e kur pinim kafe dhe i fliste vazhdimisht. Në një rast e pashë Dritëroin të revoltohej dhe t’i bërtiste: “Mjaft më se më mërzite!”. I kisha përballë në tavolinë dhe e vërejta skenën. Sadija nuk e bëri veten.
Profesor Qosja, në ditarin e tij të luftës, Tronditja e shekullit, Dritëroin dhe Sadijen i quan “çift emblematik”. Sepse Sadija, e cila gati tërë jetën punoi si gazetare, nuk ishte vetëm gruaja e Dritëroit, por edhe lexuese e parë e shkrimeve të tij dhe shoqëruese e tij në udhëtimet nëpër botë.
Ishte amator i fotografisë. Më ka pasë thënë njëherë se një kohë ishte marrë, bashkë me Sadijen, me radhitjen e fotografive nëpër albume. (Ia pata lakmi). Të gjitha fotografitë që bëmë bashkë gjatë qëndrimit në Kalabri m’i dërgoi me një zarf të posaçëm mbi të cilin kishte shkruar me shkrimin e tij të dridhshëm: “Mikut tim të madh, poetit dhe studiuesit të shquar të letërsisë shqiptare Agim Vincës, ia ruaj këto kujtime me arbëreshët e Italisë në maj të 2004-s. Dritëroi”.
Share: