Nga Dritan Hila
Në orët e para të mëngjesit të 17 majit mori fund edhe historia e godinës që për dekada ishte pikë referimi për Tiranën, Teatrit Kombëtar.
Personalisht më erdhi keq për shembjen e një copëze të kujtesës sonë historike. Kam qenë ndër ata që kam shkruar pse nuk duhej të prishej stadiumi, por të kthehej në identitetin e parë; që të mos prishej teatri, ku shkaku i simpatisë ishte fakti i qenies së tij pikërisht si pjesë e kujtesës sonë, sesa për cilësinë si godinë apo nakatosje oligarkësh në këtë histori. Besoj ka qenë një kontribut modest, krahasuar me shpjegimin shterues të Aurel Plasarit për vlerën e atij kompleksi.
Tani nuk është më dhe nuk është as faji i shëmtisë apo bukurisë së tij, por e njerëzve që e keqpërdorën.
Kauza e teatrit, me kalimin e viteve erdhi dhe u rrudh. Nga një pjesë e mirë e inteligjencës së Tiranës që e mbronte, një dorë individësh pa emër, nxituan të bëheshin dikush, filluan ta degradonin kauzën.
Përzierja e tyre në çështje jashtë objektit; agresiviteti me të cilin sulmonin njerëz me mendim ndryshe qofshin këta edhe kolegë të tyre, bëri që shumë simpatizantë të kauzës të largoheshin e madje t’i harronin.
Shfaqja e empatisë nga opozita për këtë kauzë, bëri që këta të mendonin se ishte edhe një rast qe të projektonin të ardhmen e tyre politike. Dhe filluan të përçaheshin, të largonin këdo që kishte një farë emri dhe përkrahte paprekshmërinë e godinës, por që shfaqte një mendim ndryshe. Abrazivë dhe agresivë, nuk nguronin të futeshin edhe në ujëra që nuk u takonin dhe e zhvendosën kauzën nga kulturore në politike, duke mbetur kështu çdo ditë e më pak. Ata dhe përkrahësit e tyre gjatë periudhës së përplasjes me qeverinë, në vend se të përpiqeshin të shtonin mbështetësit e tyre, nuk nguruan të sulmonin Robert Ndrenikën, Viktor Zhustin, e të tjerë ikona që publiku i lidh edhe me atë godinë.
Fundin e tyre publik mbrojtësit e teatrit e shënuan kur vajtën para disa ditësh në selinë e PD-së dhe që andej bënë deklarata kërcënuese për gjak apo si varrmihës të Edi Ramës. Dolën në fushën që po i priste Edi Rama, në atë politike dhe aty nënshkruan shembjen e teatrit, pasi çështja nuk ishte më mes kulturës dhe politikës, por mes pozitës dhe opozitës. Publiku i thjeshtë nuk shikonte më një grup aktorësh, por një grusht opozitarësh që donin të përdoreshin dhe të përdornin politikën.
Ndaj mund të thuhet se ia bënë vetë gropën teatrit dhe në ora 4 të mëngjesit kur lëshonin mesazhe në fejsbuk që po sulmoheshin, askush nuk ishte pa gjumë që t’iu shkonte në ndihmë. Duke çuar kështu në prishjen e një godine, e cila për shumë e shumë vite do të mbetet në memorien e tiranasve të vjetër e të rinj./dritare.net