Forum / Pse e fituan Aleatët Luftën e Dytë Botërore?

Aktualitet Histori Kulturë Libri

A ishte një faktor vendimtar ndërhyrja e tepruar e Hitlerit në punët e ushtrisë, superioriteti detar i Aleatëve, apo ekspertët që arritën të thyenin kodin e komunikimeve gjermane? Gjashtë historianë ushtarakë, shpjegojnë arsyet pse planet e mëdha të fuqive të Boshtit, përfunduan me disfatë

Ben Shepard, lektor i historisë në Universitetin Kaledonian në Glasgou, dhe autori i librit “Ushtria gjermane në Rajhun e Tretë”: Nazistët humbën për shkak të vetëbesimit të tepruar që kishin

Fuqia industriale, detare dhe ajrore e Aleatëve perëndimorë, ishin thelbësore për shkatërrimin e makinerisë gjermane të luftës. Por që të fitosh, duhet të pushtosh territore dhe të eleminosh forcat që i kontrollojnë ato. Dhe në këtë aspekt, ishte Fronti Lindor, ai që i dha goditjen më të rëndë Vehrmahtit.

Për mua, faktori më vendimtar në disfatën e Gjermanisë naziste, ishte nënvlerësimi që Hitleri dhe gjeneralët e tij i bënë Ushtrisë së Kuqe sovjetike, e shoqëruar kjo me vetëbesimin e tepruar që patën tek epërsia e tyre, dhe që imponohej kryesisht nga ideologjia e nazizmit.

Reagimi fillestar katastrofik i Ushtrisë së Kuqe ndaj pushtimit, u duk sikur i dha të drejtë qasjes së tyre. Por përparimi i gjermanëve, u shoqërua me humbje gjithnjë e më të rënda përballë rezistencës të fortë sovjetike. Kur gjermanët mbërritën në periferinë e Moskës në dhjetorin e vitit 1941, Blitzkrieg (lufta rrufe) e kishte humbur vrullin, duke djegur edhe shansin e gjermanëve për një fitore vendimtare.

Gjatë 18 muajve të ardhshëm, Vehrmahti u përpoq vazhdimisht të mposhte sovjetikët, por pa sukses. Dhe pas disfatës së rëndë në Kursk në korrikun e vitit 1943, Ushtria e Kuqe nisi revanshin e saj të pandalshëm, dhe e ndali frymën në Berlin.

 

Xhejms Holland, historian. Aktualisht është duke shkruar një libër të ri në lidhje me fushatën e Siçilisë në vitin 1943: Aleatët kishin kapacitete më të mëdha operacionale

Kohët e fundit kam parë një foto të tankeve të ngarkuara në anijet amfibe, para pushtimit që Aleatët i bënë ishullit italian të Siçilisë në korrikun e vitit 1943. Ajo ishte dëshmi e një fuqie

të madhe materiale. Dhe është befasues fakti që në fillim të luftës, as Britania dhe as Shtetet e Bashkuara nuk kishin ndonjë ushtri të madhe.

Por në 4 vjet, ata e rritën në mënyrë eksponenciale fuqinë e tyre ushtrake, duke arritur të luftonin në mënyrë të barabartë në ajër, tokë dhe det, në një shkallë të vërtetë globale. Këto dy vende, ofruan mbështetje të madhe materiale edhe për Bashkimin Sovjetik.

Ndërkohë, forcat e Boshtit nisën të vuajnë shpejt nga mungesat ushqimore, materiale dhe për karburant. Për këtë arsye, Japonia nuk fundosi dot aeroplanmbajtëset amerikane në Pearl Harbour, ndërsa Gjermania nuk e fitoi Betejën e Britanisë.

 

Maks Hastings historian dhe gazetar: Fati i luftës, u vendos nga pushtimi gjerman i Bashkimit Sovjetik

Pushtimi që Hitleri nisi në qershor 1941 ndaj Bashkimit Sovjetik- i njohur si Operacioni Barbarossa – ishte momenti vendimtar i luftës. Pasi pësoi një kosto njerëzore të jashtëzakonshme, Ushtria e Kuqe arriti të ringrinte krye. Në fillim, ajo e frenoi avancimin e gjermanëve, dhe në fund i mposhti ata.

Furnizimet nga ana e SHBA – nga alumini, çizmet e ushtarëve, kamionët dhe kabllot e linjave telefonike – dhanë një kontribut të rëndësishëm për fitoren e sovjetike. Unë kam menduar gjithmonë, se nëse Hitleri në vend që të niste Operacionin Barbarossa, do të kishte përforcuar me trupa Ervin Romelin, dhe do të kishte përfunduar pushtimin e Mesdheut dhe Lindjes së Mesme, siç besoj se mund ta arrinte, qeveria e Uiston Çërçillit nuk do të kishte mbijetuar.

Ajo mund të ishte zëvendësuar nga një administratë e re e konservatorëve, që do të kërkonte

një paqe kompromisi me Gjermaninë. Pas përvojës së Luftës së Parë Botërore, nuk mendoj se populli britanik (më shumë sesa ai francez), kishte oreks për një tjetër luftë të egër.

 

Nik Hjuit, kreu i departamentit të koleksioneve dhe hulumtimeve në Muzeun Kombëtar të Marinës Mbretërore në Britani: Aleatët dominuan detrat

Në thelb, ishte fuqia më e madhe detare e Aleatëve, ajo që siguroi humbjen e Gjermanisë naziste. Gjatë ditëve të errëta të viteve 1940-1941, anijet luftarake aleate por edhe ato tregtare i shpëtuan asgjësimit, duke u evakuuar fillimisht nga Norvegjia, më pas nga Franca përmes Dankirkut, dhe më në fund nga Greqia dhe Kreta.

Pasi Franca kapitulloi, ishte Marina Mbretërore, ajo që e shpëtoi Britaninë e Madhe nga pushtimi gjerman. Anijet luftarake mbronin nga sulmet anijet tregtare, duke garantuar furnizimet jetike që vinin nga Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe gjithë pjesa tjetër e botës, pavarësisht përpjekjeve të vendosura të Boshtit për t’i ndërprerë ato.

Kjo mbajti në luftë në fillim Britaninë, dhe më pas Bashkimin Sovjetik. Pasi SHBA-ja hyri në luftë në dhjetorin e vitit 1941, fuqia e madhe detare garantoi ndërtimin e një force të madhe ushtarake dhe ajrore amerikane, që ishte e nevojshme për ndryshimin e fatit të luftës në kontinent. Në 6 qershor 1944 në Normandi, 7.000 anije të të gjitha madhësive, zbarkuan në brigjet franceze një ushtri prej mbi 1.5 milionë trupash. D-Day e detyroi Gjermaninë naziste të angazhohej në një luftë me dy fronte, të cilën nuk mund ta fitonte dot kurrë.

 

Meri Barbier, profesore e historisë në Universitetin Shtetëror të Misisipit, SHBA: Ndërhyrjet e gabuara të Hitlerit në punët e ushtrisë

Faktori i vetëm më i madh në fitoren e Aleatëve ndaj Gjermanisë naziste dhe aleatëve të saj në Evropë, ishte roli që luajti Adolf Hitleri në drejtimin e ofensivave të ndërmarra nga ushtria gjermane. Në shumë raste, vendimmarrja e Hitlerit ishte e gabuar.

Ndërsa një lider politik në përgjithësi, ka një ndikim në angazhimet ushtarake të kombit të tij, Hitleri shpërfillte shpesh rekomandimet e këshilltarëve të tij ushtarakë. Ai urdhëroi operacione të mëdha, të cilat në fund patën pasoja të mëdha negative, dhe ndikuan shumë në aftësinë e Gjermanisë për të arritur fitoren përfundimtare.

Hitleri i dha dritën jeshile pushtimit të Bashkimit Sovjetik më 20 qershor 1941, dhe pushtimi nisi 2 ditë më vonë. Megjithë sukseset fillestare, operacioni përfundon brenda pak muajsh. Në vend se të mposhtnin lehtësisht sovjetikët, siç e kishin parashikuar, gjermanët vetëm sa zgjuan nga gjumi “ariun e pëgjumur”, që nuk pranoi kurrësesi pushtimin e Moskës apo Stalingradit. Ndonëse BRSS nuk ishte pushtuar ende, më 11 dhjetor 1941, Hitleri iu bashkua Musolinit, duke i shpallur luftë Shteteve të Bashkuara.

 

Peter Kadik-Adams, historian ushtarak: Vendimtarë ishin thyerësit e kodeve të komunikacionit të ushtrisë gjermane

Kur atdheu i tyre u pushtua në shtatorin e 1939-ës, disa matematikanë polakë u arratisën në Perëndim, bashkë me sekretet e pajisjes gjermane të kriptimit të mesazheve “Enigma”. Nga pushtimi i Francës në majin e vitit 1940 e tutje, raportet gjermane që transmetoheshin përmes makinerisë “Enigma” përgjoheshin dhe dëshifroheshin në Bletchley Park në Britaninë e Madhe.

Kuptimi i funksionimit të “Enigmës”, ndihmoi në fitoren e Betejës së Britanisë, teksa ajo ishte veçanërisht e rëndësishme gjatë Betejës së Atlantikut, nga e cila u var mbijetesa e Britanisë në vitet 1941-1942. Është e vështirë të matet vlera e saktë e punës së bërë në Bletchley Park, ku gjithashtu u dekoduan edhe komunikimet e ushtrisë italiane dhe asaj japoneze.

Por më 12 korrik 1945, gjenerali dhe presidenti i ardhshëm amerikan DuajtAjzenhauer shkroi një letër sekrete, ku e falënderon kreun e grupit të ekspertëve të dëshifrimit, Sër Stjuart Menzis. Në të, ai deklaronte ndër të tjera:”Të dhënat tuaja inteligjente, para dhe gjatë kësaj fushate, kanë pasur një vlerë të paçmuar për mua … Ato kanë shpëtuar jetën e mijëra britanikëve dhe amerikanëve, dhe bënë që armiku të tërhiqej, dhe në fund të dorëzohej”.

Marrë me shkurtime nga HistoryExtra – Bota.al

Share: