Nga Fatos Çoçoli
Me lehtësimin e kufizimeve në lëvizje dhe aktiviteteve ekonomike dhe me ikjen gradualisht të rrezikut për jetën nga pandemia, ka shumë prej nesh që shprehen se “E mo, kot u mbyllëm! Njësoj do ishte. Rrënuam ekonominë!”. Pyetjes “A ishte e ekzagjeruar mbyllja e shteteve nga koronavirusi?”, mjekja reanimatore Sarah Mann, e spitalit Elmhurst në Nju Jork i përgjigjej dje në forumin virtual botëror “Quora”: “Fatkeqësisht nuk është kështu. Është gjithçka e vërtetë. Unë kam trajtuar me qindra pacientë në gjendje kritike nga COVID-19 deri më tani. Kam humbur dhjetëra prej tyre, disa në moshë 30-40 vjeç, disa në të 20-tat e tyre. Na mbaruan aspiratorët dhe na u desh të shpiknim mënyra t’i mbanim të sëmurët në jetë. Lidhëm tre-katër prej tyre me një aspirator. Gjendja nuk kuptohet kollaj nga të gjithë. Janë me qindra, me mijëra që kanë vdekur në shtëpi. Që nuk janë testuar. Kur gjithçka të kalojë, mendoj se për nga vdekshmëria, kjo është pandemia e tretë më vrastare që ka njohur njerëzimi. E para, Vdekja e Zezë (Murtaja Bubonike-në anglisht ‘Bubonic Plague’) në shekujt 15-16 mori nga 35-60 për qind të popullsisë së Evropës. E dyta, Gripi Spanjoll 98 vjet më parë mori jetën e rreth 50 milionë njerëzve në vitin 1918. Kjo e treta është më agresivja, epidemia më vrastare që kam njohur. E dëmton trupin në mënyra që ne as nuk mund t’i kuptojmë. Situata me koronavirusin mund të deformohet dhe politizohet sa të duash, por përfundimisht nuk është e ekzagjeruar”. Vetëm ata që përjetuan në gjendje klinike vuajtjet e sëmundjes: pamundësinë për t’u mbushur me frymë, madje edhe për të marrë frymë, humbjen e shijes për ushqimin dhe pijet, ndjesinë e pafuqisë ekstreme, temperaturën e lartë e dinë se çfarë kanë kaluar dhe mund të dëshmojnë për ne të tjerët se çfarë mund të kalonim, po të mos mbylleshim.
Qeveria bëri mirë që na mbylli herët dhe ne bëmë mirë që respektuam ndjesinë dhe psikozën tonë kolektive si komb i mësuar me të keqen, që në situata rreziku real na bën të bindur e të dëgjueshëm si qengja. Televizionet tona do të bëjnë mirë të marrin të tilla dëshmi nga të shëruar që kanë përjetuar tmerrin. Kështu mësojmë të mos krihemi shumë këto ditët e fundit, duke sharë mbarë e prapë ata që na mbyllën brenda. Sa për ekonominë, ajo vërtet do të vuajë shumë. Qeveria ndihmoi me sa para gjeti në buxhet më të varfrit, por i duhet shumë punë me më të prekurit nga biznesi. Për biznesin dha një paketë prej çerek miliard dollarë, që sipërmarrjet në vështirësi për të paguar punonjësit e tyre, të merrnin kredi bankare me interes zero. Këto para i vendosi si garanci, që u quajt sovrane. Dhe të 12 bankat tregtare u angazhuan të zbatonin këtë program. Pra, sipërmarrjet me probleme parash letër (likuiditeti) për të paguar punonjësit mund të merrnin kredi bankare dhe në rast se nuk i kthenin, bankat do t’i drejtoheshin Buxhetit të Shtetit, pasi ky po shërben tashmë si kolateral. Nga të dhënat prej bankave tregtare del se deri tani është përdorur apo jo rreth 19 për qind e fondit total, ose vetëm 38 milionë euro. E kanë përdorur kryesisht nga ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në tregti, shërbime dhe prodhim, përfshirë fasoneri, turizëm dhe tregti me pakicë. Ky program nuk ngjiti te sipërmarrjet e mëdha. Dhe sot kemi 61 mijë të papunë më shumë. Ose 40 për qind më shumë nga sa kishim përpara pandemisë. Qeveria duhet të gjejë urgjent rrugë dhe mënyra të tjera për të ndihmuar sipërmarrjet realisht në nevojë dhe hall të madh. Me rënien e pritshme të konsumit për mallra dhe shërbime jothemelore për jetën, do të jenë me qindra, ndoshta me mijëra sipërmarrjet në prag të falimentimit. Dhe afro 60 mijë punonjës të tjerë në rrezik për të përfunduar në mes të katër rrugëve. Qeveria do të jetë realisht shpresa e vetme për shtatë muajt e ardhshëm qershor-dhjetor. Të cilët, sado që të mbushur me politikë boshe nga të dyja krahët (pozitë dhe opozitë) do të jenë më të vështirët për ekonominë dhe shoqërinë tonë, që nga marsi i vitit të mbrapshtë 1997.