Nga Enver Robelli
Para 75 vitesh përfundoi Lufta e Dytë Botërore. Çfarë ndodhi mes 1 dhe 8 majit 1945, ditës kur kapitulloi Gjermania naziste? Dhe pse më 30 prill Adolf Hitleri porositi dhjetë bidonë me benzinë? Historiani gjerman Volker Ullrich ka shkruar një libër brilant mbi tetë ditët e fundit të Rajhut të Tretë.
Para 75 vitesh Gjermania ishte një vend i rrënuar, ndërsa gjermanët një popull i mbështetur për muri. Më së largu në fund të prillit të vitit 1945 ishte e qartë se mposhtja e regjimit nazist të prirë nga Adolf Hitleri ishte çështje ditësh apo javësh. Më 8 maj 1945 Gjermania nënshkroi kapitullimin. Por çfarë ndodhi mes 1 dhe 8 majit? Kësaj jave të fundit të sundimit nazist historiani i njohur gjerman Volker Ullrich i ka kushtuar një libër, i cili titullohet “Tetë ditë në maj” (Acht Tage im Mai, botoi C. H. Beck Verlag). Ullrich është autor i një biografie të Adolf Hitlerit. Si gazetar shumëvjeçar i të përjavshmes “Die Zeit” ai shquhet për formulime elegante dhe përshkrime panoramike. Kjo vërehet edhe në librin e tij më të ri mbi javën e fundit të sundimit nazist – një libër brilant, ku përfshihen kronologji, portrete të shkurtra protagonistësh, citime nga ditarët e njerëzve që kanë përjetuar Luftën e Dytë Botërore, paraqitje të anëve edhe më absurde dhe brutale të sundimit nazist.
Më 1 maj, mes orës 21:00 dhe 22:25, radioja gjermane paralajmëroi tri herë një lajm të rëndësishëm. Pas muzikës klasike të Richard Wagnerit dhe Anton Brucknerit u dëgjua zëri i një folësi: “Nga shtabi i fyrerit (Führer) njoftohet se fyreri ynë, Adolf Hitleri, sot pasdite u flijua për Gjermaninë në komandën e tij duke luftuar deri në frymën e fundit kundër bolshevizmit”. Radioja po ashtu njoftoi se Hitleri e kishte caktuar për pasardhës admiralin Karl Dönitz. Sa i përket rrethanave dhe kohës së vdekjes opinioni gjerman ishte dezinformuar qëllimisht. Hitleri kishte bërë vetëvrasje një ditë më herët, më 30 prill. Atë ditë ai kishte urdhëruar vartësit e tij që të sigurojnë dhjetë bidonë me benzinë. Hitleri dhe gruaja e tij Eva Braun, të cilën diktatori e kishte martuar natën mes 28 dhe 29 prillit 1945 në shenjë falënderimi për lojalitetin e saj, bënë vetëvrasje në dhomën e punës të Hitlerit. Pastaj kufomat e tyre u dogjën në kopshtin e selisë së Hitlerit. Çfarë mbeti nga trupat e tyre, u hodh në një gropë në kopsht.
Armata e Kuqe sovjetike tashmë i ishte afruar frikshëm Berlinit. Hitleri e dinte se nuk mund të priste mëshirë nga rusët. Ushtria naziste kishte sulmuar Bashkimin Sovjetik dhe kishte vrarë e plagosur miliona civilë e ushtarë rusë. Para se të vriste veten Hitleri e luti adjutantin e tij që të betohet se do t’ia djegë kufomën. Satrapi gjerman donte me çdo kusht t’ua bënte të pamundur rusëve që kufomën e tij ta ekspozonin në Moskë. Po ashtu Hitleri mund të jetë frikësuar se do të pësonte të njëjtin fat si Benito Mussolini, i cili ishte arrestuar në fund të prillit 1945 nga partizanët italianë dhe ishte vrarë. Kufoma e tij dhe e të dashurës së tij u varën në një pikë karburanti në Milano.
Historiani Volker Ullrich thekson që në hyrje se datat 1 deri 8 maj përbëjnë vetëm një kornizë, ndërsa ngjarjet që përshkruan lidhen me kohën para 1 majit dhe me të ardhmen pas 8 majit. Pas pushtimit të Berlinit dhe vendosjes së flamurit sovjetik mbi Reichstag, në kryeqytetin gjerman filloi një periudhë e tmerrit. Ushtarët sovjetikë dhunuan mijëra gra, plaçkitën çfarë gjetën, mbretëronte një lakmi e madhe sidomos për orë.
Pasardhësi i caktuar nga Hitleri, admirali Karl Dönitz, vendosi që selia e qeverisë të jetë në Flensburg në Gjermaninë veriore. Si Hitleri edhe Dönitz e dinte se rusët do të godasin pamëshirshëm, andaj Dönitz u përpoq të arrijë një armëpushim të veçantë me trupat amerikane, britanike dhe franceze, të cilat po depërtonin nga perëndimi. Qëllimi ishte që kështu të futej një pykë mes këtyre shteteve dhe Bashkimit Sovjetik dhe – rrjedhimisht – të mundësohej ikja e sa më shumë civilëve dhe ushtarëve gjermanë nga Europa Lindore në territoret gjermane të kontrolluara nga fuqitë perëndimore. Qindra-mijëra gjermanë arritën të shpëtojnë nga rusët, por gjenerali amerikan Dwight Eisenhower nuk pranoi të nënshkruajë një armëpushim me nazistët duke përjashtuar sovjetikët. Kapitullimi u nënshkrua në Reims në verilindje të Francës (në natën mes 6 dhe 7 majit), por për Stalinin ishte me rëndësi që ceremonia e kapitullimit të Gjermanisë të nënshkruhet edhe në Berlin, në kryeqytet. Aleatët lëshuan pe dhe e përsëritën ceremoninë sërish (në natën mes 8 dhe 9 majit). Ceremonia u mbajt në ndërtesën e një shkolle ushtarake të Berlinit (Pionierschule në Karlshorst). Aleatët perëndimorë si përfaqësues të tyre dërguan mareshalin britanik të forcave ajrore Arthur Tedder, gjeneralin amerikan Carl Spaatz dhe gjeneralin francez Jean de Lattre de Tassigny. Nga pala gjermane morën pjesë: mareshali Wilhelm Keitel, shefi i komandës së Vehrmahtit (Wermacht, ushtria gjermane), gjeneral admirali Hans-Georg von Friedeburg (përgjegjës për marinën) dhe gjeneral koloneli Hans-Jürgen Stumpff (përgjegjës për forcat ajrore). Pak para ceremonisë gjenerali Keitel i tha një oficeri sovjetik se ishte tronditur kur kishte parë shkatërrimin e Berlinit, por oficeri sovjetik ia ktheu: “A nuk keni qenë ju, zoti mareshal, i tronditur kur me urdhër tuajin u bënë rrafsh me tokë mijëra qytete dhe fshatra sovjetike, vende nën rrënojat e të cilave gjetën vdekjen miliona bashkëkombës tanë, mes tyre dhjetëra-mijëra fëmijë?” Pak pas mesnatës krerët nazistë nënshkruan kapitullimin dhe gjenerali sovjetik Georgi Shukov i urdhëroi ata të braktisin sallën. Ndërsa fitimtarët po festonin me vodkë dhe shampanjë dhe po shijonin ushqimin, delegacioni gjerman u dërgua në një vilë të vogël. Por pala sovjetike nuk i kishte harruar gjermanët. Atyre iu servua po ashtu një darkë e shijshme. Më vonë, kur gjendej në burgun e Nürnbergut, gjenerali Keitel shkroi se si desert rusët u kishin shtruar edhe dredhëza të ngrira, por të freskëta.
Dredhëzat e freskëta – ky nuk është detaji i vetëm në këtë kronikë të historianit Volker Ullrich. Paraditen e 7 majit të vitit 1945 lejtënanti britanik Arnold Horwell, i cili sapo kishte marrë kontrollin mbi kampin nazist të shfarosjes Bergen-Belsen, takoi një vizitore të papritur. Ajo u prezantua si “Captain Dieterich” dhe tha se po e kërkonte motrën e saj Liesel. Horwell pas pak e kuptoi se kush gjendej para tij: ishte Marlene Dietrich, aktorja gjermane që ishte bërë yll në Hollywood dhe nuk kishte pranuar të kthehet në Gjermani nën nazistët. Ishte kthyer tani – si pjesëtare e forcave ushtarake amerikane. Në Bergen-Belsen nazistët vranë mijëra njerëz, mes tyre edhe Ana Frankun dhe motrën e saj Margot. Në Bergen-Belsen Marlene Dietrich takoi motrën e saj Liesel (emri i plotë: Elisabeth Will), por aktorja u neverit kur kuptoi se Liesel nuk kishte qëndruar në kamp si viktimë: ajo bashkë me burrin e saj mbante një kinema për argëtimin e ushtarëve nazistë. Marlene Dietrich e luti Liesel që kurrë të mos tregojë se është motra e aktores së madhe. Dietrich turpërohej për rolin e motrës së saj.
Në librin e tij Volker Ullrich përmend edhe Klaus dhe Erika Mann, dy fëmijët e shkrimtarit nobelist gjerman Thomas Mann, i cili jetonte në ekzil në SHBA. Klaus Mann ishte pjesëtar i ushtrisë amerikane, Erika Mann raportonte për mediat amerikane. Në München Klaus Mann mësoi se në vilën e të atit, që ishte konfiskuar nga nazistët në vitet 1930-të, ushtarët nazistë kishin ngjizur fëmijë të racës ariane. Në një letër dërguar më 16 maj 1945 Klaus Mann e porosiste të atin që të mos kthehej në Gjermani, sepse ky komb i “mjerë dhe i tmerrshëm” me gjenerata të tëra do të mbesë sakat. Erika Mann ishte e vetmja grua që u lejua të vizitojë 52 udhëheqësit nazistë (“Big 52”), të cilët forcat aleate i kishin futur në burg në kampin “Ashcan” në Luxemburg. Këtu gjendeshin edhe nazistët prominentë si Hermann Göring dhe Karl Dönitz. Pak para vetëvrasjes Hitleri kishte vendosur ta caktojë si pasardhës admiralin Dönitz dhe jo Hermann Göringun, siç pritej. Tani këta dy, ndonëse të burgosur, shtyheshin se cili ishte shefi i madh, se cili kishte përparësi për të hyrë në sallën e ushqimit dhe cili duhej të ulej në krye të tavolinës. Një situatë absurde. Dönitz dhe Göring nuk u morën vesh, por kjo nuk ishte aq e rëndësishme, sepse shumica e krerëve nazistë së shpejti do të përfundonin para gjyqit në Nürnberg, ku disa do dënoheshin me vdekje, të tjerët me burg.
Volker Ullrich përshkruan me ton kritik sjelljen e shoqërisë gjermane pas pushtimit nga forcat aleate. Befas askush nuk pranonte se ka ditur çfarë kanë bërë nazistët (“Nuk kemi ditur gjë”, ishte njëra ndër fjalitë më të shpeshta), befas shumë gjermanë thoshin se u kanë ndihmuar hebrenjve, u kanë dhënë bukë etj. “Nuk kemi ditur gjë” – kjo fjali, sipas një gazetareje amerikane të asaj kohe, tingëllonte si një “melodi nacionale gjermane”. Një kohë të gjatë pushtimi nga aleatët u perceptua si poshtërim i kombit gjerman, madje këtë nuk e thoshin vetëm ish-nazistët, por edhe “gjermanët e rëndomtë”. Tek në vitin 1985 presidenti Richard von Weizsäcker në fjalimin e famshëm në Bundestag tha se 8 maji i vitit 1945 ka qenë edhe ditë e çlirimit të gjermanëve nga barbaria naziste, e cila përmes makinerisë industriale të vrasjes shfarosi pothuaj plotësisht komunitetin hebraik në Gjermani, i cili përbënte një pjesë të rëndësishme të elitës gjermane.
Më 10 maj 1945 shkrimtari Thomas Mann iu drejtua gjermanëve përmes radios nga Kalifornia e largët: “Kjo është një orë e madhe – jo vetëm për botën ngadhënjimtare -, por edhe për Gjermaninë – një orë kur kuçedra u mposht, ai përbindësh i shkretë dhe i sëmurë, i quajtur nacionalsocializëm, i cili po ngordh dhe Gjermania së paku është e çliruar nga mallkimi që të quhet vendi i Hitlerit. Nëse do të ishte çliruar vetë, më herët, kur kishte kohë për këtë, ose edhe vonë, në çastin e fundit; nëse me ushtimën e kambanave dhe muzikën e Beethovenit do të kishte kremtuar çlirimin e vet, kthimin në mesin e njerëzimit, në vend se tani fundi i hitlerizmit të jetë edhe shkatërrim total i Gjermanisë, – natyrisht kjo do të ishte më mirë, kjo do të ishte më e dëshirueshmja”.
Më e dëshirueshmja: u arrit, megjithatë. Ndonëse ndarja e Gjermanisë nuk u evitua dot, falë përkrahjes së aleatëve perëndimorë, e sidomos amerikanëve, Gjermania perëndimore u bë shtet demokratik me ekonomi prosperuese dhe kështu, pas gati një gjysmë shekulli ndarjeje, dy shtetet gjermane u bashkuan. Gjermanët patën fat të madh. Por ata ishin edhe farkëtar të fatit të tyre. Ndërtimi i vendit, ndërtimi i demokracisë dhe ballafaqimi me të kaluarën (sidomos nga fillimi i viteve 1960-të) ndikuan që Gjermania të kthehet në mesin e kombeve të civilizuara. Para 75 vitesh, kur Hitleri porositi bidonët me benzinë, pakkush besonte se mbi rrënojat e politikës së tij do të ndërtohej një shtet funksional.