Kryeministri Giuseppe Conte i premtoi italianëve se së shpejti do të lejohen të shëtisin nëpër parqe dhe të vizitojnë të afërmit pasi vendi do dalë nga bllokimi më i gjatë në botë, shkaktuar prej koronavirusit.
Udhëheqësi italian gjithashtu u zotua se do të rihapë shkollat deri në shtator dhe shumicën e bizneseve gjatë tre javëve të ardhshme.
Por ai paralajmëroi që njerëzit do të duhet të mbanin maska në fytyra në vendet publike dhe të respektojnë me rigorozitet masat e distancimit shoqëror, kur të hiqen kufizimet aktuale në 4 maj.
Italia po hyn në një epokë “përgjegjësie dhe bashkëjetese me virusin”, i tha Conte kombit në një dalje televizive. “Nëse e doni Italinë, mbani distancën nga të tjerët”.
Dëmtim i pakthyeshëm
Njoftimi i Contes pasoi një fundjavë të furishme debatesh mes drejtuesve rajonalë dhe të biznesit që synojnë të vendosin se si një komb prej 60 milionësh do të dalë nga përvoja e tij më traumatike që nga Lufta e Dytë Botërore. Numri zyrtar i vdekjeve së koronavirusit në Itali është 26.664, i pari në Evropë dhe i dyti në botë pas Shteteve të Bashkuara. “Ne nuk mund ta vazhdojmë më këtë izolim – rrezikojmë të dëmtojmë shumë strukturën socio-ekonomike të vendit,” tha Conte. “Dëmi mund të jetë i pakthyeshëm,” paralajmëroi ai.
Kthimi në shkollë
Italia gradualisht mbylli gjithçka gjatë gjysmës së parë të marsit. Shkencëtarët tani besojnë se infeksionet e Italisë ndoshta filluan që në janar – në mos më herët. Por sistemi i kujdesit shëndetësor në Itali arriti t’ia dalë dhe Conte tani duket se ndjehet mjaft i sigurt për t’u përqëndruar në rimëkëmbjën e një ekonomie, që pritet të tkurret me tetë përqind këtë vit.
Conte tha që qeveria e tij do të lejojë që një grup i përzgjedhur i kompanive “strategjike” të rifillojnë punën sot. Restorantet mund të hapen dhe dyqanet për blerjet me shumicë mund të rinisin biznesin në 4 maj. Të gjitha dyqanet e tjera do të fillojnë tre javë më vonë – siç do të jenë muzetë e shumta të Italisë.
Shkollat e Italisë u mbyllën para shumicës së bizneseve të tjera dhe tani do të jenë ndër objektet e fundit që do lejohen të rifillojnë. Conte tha se kthimi në shkollë ishte me rrezik të madhë sepse shumë mësues janë të moshuar dhe kanë rrezik më të madh për të kapur virusin. “Shkollat janë në qendër të vëmendjes sonë dhe do të hapen përsëri në shtator,” tha Kryeministri.
Maska 50 cent
Shumë italianë u shfaqën më të shqetësuar se kur do të lejohej të dilnin të ecnin nëpër parqe pa u ndalur dhe gjobitur nga policia. Conte sqaroi se shëtitjet në park dhe ushtrimet në natyrë do të lejohen duke filluar nga data 4 maj.
Italianët gjithashtu do të lejohen të vizitojnë të afërmit e tyre – por me kushte. “Ne do t’i lejojmë njerëzit të vizitojnë të afërmit, por vetëm nëse respektojnë distancën dhe veshin maska,” tha Conte. “Dhe nuk do të ketë mbledhje (të mëdha) familjare,” tha ai. Conte tha që qeveria e tij do të mbante çmimet e maskave në 50 cent. / bota.al