Marko La Piana (1883-1958) ishte gjuhëtar arbëresh nga Hora e Arbëreshëve (Piana degli Albanesi) pranë Palermos (Sicili). Studioi në Universitetin e Palermos dhe u mor me studime albanologjike. Më 1912 zbuloi dhe ribotoi veprën e L. Matrangës (shih) me shënime gjuhësore me interes.
Ka shkruar një varg studimesh, nga të cilat botoi: “Intorno al riflesso della vocale o lunga dall’Indoeuropeo e dal latino nel’Albanese”, Palermo, 1937 (“Rreth reflektimit të zanores o të gjatë nga indoeuropanishtja dhe latinishtja në shqipe”); “Studi linguistici albanesi I”, Palermo, 1939 (“Studime gjuhësore shqiptare I”); “Studi linguistici albanesi: Varia”, Palermo, 1949 (“Studime gju-hësore shqiptare – Të ndryshme”) etj. Në këto studime ai ka trajtuar çështje të fonetikës dhe të morfologjisë historike të gjuhës shqipe, të etimologjisë dhe të marrëdhënieve të saj me rumanishten. Me interes është sidomos trajtimi i elementit kentum dhe satem në shqipen e lashtë. Studimet e tij sjellin të dhëna edhe për të folmet arbëreshe të Sicilisë. Studimet e M. La Pianës shquhen për me-ndime origjinale dhe për qëndrime kritike ndaj disa zgjidhjeve të mëparshme. Ka lënë dorëshkrim dy vepra të vëllimshme: “Gramatikë e krahasuar e gjuhës dhe e dialekteve të shqipes” (rreth 2000 faqe dorëshkrim) dhe “Thesaurus linguae albanensis” (rreth 30 mijë skeda). Vdiq më 20 prill të vitit 1958.