Paga e luftës 400 mijë lekë, Drejtoria e Tatimeve nxjerr udhëzimin: Ja si të aplikoni dhe kush përfiton

Aktualitet Ekonomi Kryesore Sociale

 

Pas miratimit të paketës së dytë ekonomike, në të cilën u përfshinë disa kategori që do të marrin pagën e luftës prej 400 mijë lekësh, Drejtoria e Tatimeve ka nxjerrë udhëzimin, që tregon në lidhje me procedurat e aplikimit.

Teksa shumë sektorë të bizneseve në vend janë pezulluar për shkak të situatës me COVID-19, Tatimet kanë bërë publike sot procedurat që duhet të ndjekin të gjithë ata që do duan të përfitojnë nga kjo paketë, për të cilën drejtoresha Delina Ibrahimaj tha se do të lancohet të martën.
Kujtojmë se ‘paga e luftës’ prej 40 mijë lekë mbulon periudhën prill-qershor 2020 dhe përfitohet vetëm një herë si shumë e vetme.

DEKLRATA E PLOTE E TATIMEVE
Paketa e ndihmës financiare nr.2
Në bazë të VKM nr.305 datë 16.04.2020 “ Për përcaktimin e procedurave, të dokumentacionit dhe të masës së përfitimit të ndihmës financiare për të punësuarit aktualë dhe punonjësit e larguar nga puna si pasojë e covid-19”, aplikimi do të kryhet nga subjektet, të cilët do të plotësojnë të dhënat e punonjësve të tyre, përfitues sipas kritereve të VKM së sipërcituar.

Të punësuarit e subjekteve me të ardhura vjetore mbi 14 000 000 (katërmbëdhjetë milionë) lekë, të mbyllura sipas Urdhrit/ave të MSHMS, të cilët kanë qenë në punë në datën e hyrjes në fuqi të Urdhrit/ave të MSHMS, përfitojnë ndihmë financiare prej 40.000 (dyzetëmijë) lekë.
Të punësuarit e subjekteve të lejuar për të ushtruar aktivitet, të cilët janë larguar nga puna nga data e hyrjes në fuqi të Urdhrit/ave të MSHMS deri në datën 10 Prill 2020, përfitojnë ndihmë financiare prej 40.000 (dyzetëmijë) lekë. Data e dorëzimit të formularit E-sig 027, nuk duhet të jenë më e vonë së 10 Prill 2020.
Të punësuarit e subjekteve me të ardhura vjetore deri në 14 000 000 lekë, të lejuara për të ushtruar aktivitet sipas Urdhërit/ave të MSHMS, të cilët kanë qenë në punë që në datën e hyrjes në fuqi të Urdhrit/ave të MSHMS, përfitojnë ndihmë financiare prej 40.000 (dyzetëmijë) lekë. (Nuk përfshihen punonjësit përfitues sipas pikës 2)
Të punësuarit e subjekteve që ushtrojnë aktivitet në sektorin e strukturave akomoduese, të cilët figurojnë në listëpagesat e subjekteve, deri në datën e Urdhrit/ave të MSHMS, përfitojnë ndihmë financiare prej 40.000 (dyzetëmijë) lekë. Nëse subjekti ushtron disa lloje aktivitetesh, përfitojnë vetëm të punësuarit në aktivitetin e strukturës akomoduese.
Për të dorëzuar formularin “Kërkesë për Përfitim të Ndihmës Financiare 2”, tatimpaguesit të cilet plotësojnë kriteret e mësipërme, do të njoftohen në llogarinë e tyre të deklarimit elektronik në e-filing dhe do t’iu jepet mundësia të aplikojnë nëpërmjet kësaj llogarie duke filluar nga data 21 Prill e në vijim. Formulari nr.2 do të plotësohet me të dhënat e kërkuara vetëm 1 herë.

Kujdes:

Aplikimi për të përfituar ndihmë financiare do të kryhet nga subjekti i të punësuarit/ve dhe punonjësi/it, të cilët figurojnë në më tepër se në një listëpagesë, përfitojnë si ndihmë financiare vetëm një pagesë.
Të dhënat e llogarisë bankare, bëjnë pjesë në të dhënat e detyrueshme për t’u plotësuar në Formularin e përfitimit të ndihmës financiare 2. Ato duhet të disponohen nga individët përfitues dhe duhet t’i vihen në dispozicion subjektit, përpara kryerjes së aplikimit elektronikisht në llogarinë e deklarimit elektronik.
Subjektet që do të plotësojnë kërkesën, duhet të sigurohen që të plotësojnë të dhënat e sakta të individëve përfitues, ku banka dhe IBAN i llogarisë bankare janë të dhëna shumë të rëndësishme. Plotësimi jo i saktë i këtyre të dhënave bllokon procesin e kalimit të pagesës në llogarinë e individëve përfitues.
Individët, me status i vetëpunësuar, përfitues sipas VKM-së 305, datë 16.04.2020, në plotësimin e Formularit për përfitimin e ndihmës financiare, nëse nuk disponojnë një llogari personale, mund të përdorin të dhënat e llogarisë bankare të hapur për qellim të biznesit. Nëse nuk e disponojnë një llogari biznesi, do të duhet të paraqiten pranë një prej bankave të niveli të dytë, për të bërë të mundur hapjen e një llogarie bankare personale apo biznesi.
Individët përfitues (punonjësit e papaguar të familjes të personit fizik tregtar; të punësuarit në personat fizikë tregtarë; të punësuarit në personat juridikë), të cilët nuk disponojnë një llogari bankare aktive, duhet të paraqiten pranë një prej bankave të nivelit të dytë që operojnë në vendin tonë, për të bërë të mundur hapjen e një llogarie bankare.
Subjektet me status i vetëpunësur, të cilët mund të jenë nën masa të mbledhjes me forcë të detyrimeve tatimore (bllokim llogarie bankare), duhet të hapin një llogari personale bankare, (e cila nuk mund të përdoret për qëllime te tjera), për të bërë të mundur përfitimin e ndihmës financiare.

Nuk përfitojnë ndihmë financiare sipas VKM nr. 305 datë 16.04.2020:

Individët e punësuar, të cilët për vitin 2019 kanë realizuar të ardhura bruto nga paga mbi 2.000.000 (dy milionë) lekë.
Punonjesit e institucioneve shtetërore si dhe të punësuarit në shoqëritë me kapital shtetëror.
Organizatat jofitimprurëse.
Individët e subjekteve me objekt veprimtarie: tregti të produkteve ushqimore, fruta – perime, aktivitetet farmaceutike. Gjithashtu, nuk përfitojnë edhe individët e dypunësuar, ku njëri prej aktiviteteve bën pjesë në këtë kategori subjketesh.
Individët e subjekteve të regjistruara si persona fizikë, të cilët ushtrojnë aktivitet sipas profesioneve të tilla si: avokat, noter, mjek i specializuar, farmacist, infermier, veteriner, arkitekt, inxhinier, mjek-laborant, projektues, ekonomist, agronom, ekspert kontabël i regjistruar, kontabilist i miratuar dhe vlerësues i pasurisë, që lejohen të kryejnë aktivitetin sipas urdhrit/ve të MSHMS. Gjithashtu, nuk përfitojnë edhe individët e dypunësuar, ku njëri prej aktiviteteve bën pjesë në këtë kategori subjektesh.
Punonjësi/it të cilët përfitojnë sipas VKM nr.254, datë 27.03.2020, “Për përcaktimin e procedurave, të dokumentacionit dhe masën e përfitimit të ndihmës financiare për të punësuarit në subjektet e biznesit me të ardhura vjetore deri 14 milion leke, ndihmës ekonomike dhe të pagesës të të ardhurës nga papunësia gjatë periudhës së fatkeqësisë natyrore të shpallur si pasojë e covid-19”.

Share: