Nga Preç Zogaj
Të gjitha organizatat e biznesit, sindikatat dhe organizimet e tjera të grupeve të interesit në vend po i kërkojnë Qeverisë të rrisë mbështetjen financiare për përballimin e pasojave të pandemisë së koronavirusit. Mbështetje më të madhe sot për sot dhe për nesër në një afat të arsyeshëm, duke patur parasysh se rinisja e ekonomisë së ndaluar ka koston e saj.
Kërkesave të tyre të specifikuara u ka paraprirë apo u është bashkuar opozita, Partia Demokratike, politikanët e saj të fushës së ekonomisë, ekspertët më të njohur që ka vendi, pavarësisht kahjeve politike.
Po të ishim vend i mbyllur, propaganda qeveritare do të guxonte më shumë se sa po guxon për t’i kryqëzuar si “qiqrra në hell” e si “përralla nga divani” këto kërkesa. Njeherësh do të gjente nëpër Shqipëri shumë më tepër militantë të verbuar që i mbajnë ison në stilin e “ një yll drite ka sot në botë” apo të asaj socialistes së famshme nga Berati që kishte vetëm hallin që shokët e udhëheqjes lart të ishin mirë e të mos ziheshin.
Mirëpo jemi vend i hapur, për fat. Infomacioni shkon e vjen lirisht, nga çdo vend i Europës dhe planetit, kemi rreth gjysmën e popullsisë jashtë vendit të cilët janë subjekte të qeverive të vendeve ku janë vendosur, që komunikojnë ditë për ditë me të afërmit e tyre në Shqipëri.
Sa për ilustrim, Greqia, një vend fqinj më i zhvilluar se ne sigurisht, por me një ekomomi akoma në fazën e rimëkembejes pas kolapsit të gjatë që ka përjetuar në dekadën e shkuar, u çon me zarf punonjësve me dokumente të rregullta që nuk shkojnë në punë për shkak të mbylljes së sipërmarrje një pagë prej 800 eurosh në muaj, të cilën nuk e quan “pagë lufte”- askujt nuk i shkon mendja të kuturisë në paketime dhe etiketime që kanë si synim efektin e jashtëm.
Pa i rënë gjatë, është shumë e qartë se qeveria shqiptare është e fundit në Europë. Kosova, një shtet i ri siç e dimë, me një ekonomi më të vogël se ne dhe me qeveri në krizë prej shumë muajsh, llogaritet të ketë dhënë për pandeminë afërsisht trefish me shumë se ne. Edhe Maqedonia e Veriut ka destinuar deri tani rreth 400 milion euro për popullsinë dhe 200 milion euro për industritë në risk, pra një shumë që e lë pas dukshëm Shqipërinë.
Me vendet e zhvilluara të Perëndimit nuk krahasohemi, është e vërtetë. Por nëse nuk ka kuptim krahasimi i shumave, ka një tregues ku krahasimi ka kuptim: sa përqind të Prodhimit të Brendshëm Bruto jep çdo vend.
SHBA ka destinuar deri tani për pandeminë dy trilion dollarë që llogaritet të jetë 10 % e PBB-së; Gjermania, 800 miliard dollarë , afësisht 21 % të PBB-së, Italia ne total rreth 500 miliard euro, nga këto 200 miliard në mbështetje të ekonomisë dhe 200 miliard të tjera në mbështetje të sipërmarrjeve eksportuese. Spanja, Greqia kanë dhënë shuma që përfaqësojnë respektivisht 13 % dhe 7 % të PBB-së.
Shqipëria, sipas ekspertëve duhet të japë rreth 600 milion euro për të arritur 5 % të PBB-së, e konsideruar si shumë dysheme në gjendjen e fatkeqësisë natyrore.
Përse nuk ka dhënë së paku shumën dysheme Shqipëria në këtë fatkeqësi që nuk ka të ngjashme?
Pyetjet që shtrohen janë këto: I ka paratë, por i jep me nikoqirllëk nga frika e të panjohurave të pandemisë dhe këtu, si vend me ekonomi të brishtë, do të binim dakord për të mos rrezikuar me “ku rafsha mos u vrafsha”?
I ka por shpreson të dalë matanë dhe t’ja hedhur me kaq duke shpresuar se pandemia është në kurbën e rënies? Në këtë rast qeveria në një anë do të evitonte problemet e frenimit të financimit të projekteve në proces dhe nga ana tjetër do t’ia linte në kurriz sipërmarrjes së rinisur të lëpinte sa të mundte plagët e krizës, çfarë përveçse cinike duket edhe e llogaritur me laps të trashë, pasi rinisja pa asnjë mbështetje do të jetë shumë e vështirë.
Nuk i ka paratë e mjaftueshme edhe po të vendosë, në një skenar të përkeqësuar, të ndërpresë financimin e koncensioneve ende aktive? Po të jetë kjo, do të thotë se koronavirusi, duke larguar mjegullnajën progandistike, ka nxjerrë në dritë brutalisht më qartë se sa e dinim krizën reale të ekonomisë sonë të brishtë plot me probleme dhe e goditur pambarim nga mungesa e konkurrencës së ndershme dhe informaliteti i lartë.
Shumë shpejt zhvillimet do të nxjerrin në dritë për të gjithë, edhe për ata që nuk janë të fushës, të vërtetën e ekonomisë në vendin tonë. Të shohim. Për momentin jemi vendi që po shënon një sukses në frenimin e përhapjes ekstensive të pandemisë, falë masave të qeverisë së Ramës, bashkuar në këtë rast në një martesë pozitive me vetëdijen qytetare dhe me instiktin e vetëruajtjes, shumë i lashtë dhe përcaktues për ekzistencën tonë.
Në të njëtën kohë jemi vendi, qeveria e të cilit ka shpenzuar më pak dhe bën kontrast të madh me gjithë vendet e tjera në këtë pikë. Jemi vendi ku biznesi i madh nuk ka dhënë thuajse asgjë për të ndihmuar pandeminë, pavarësisht thirrjeve dhe shembujve që ka përmendur kryeministrit Rama nga bota për t’i vënë në sedër.
Pa përjashtuar natyrën cingune të gobsekëve arkaikë të këtij vendi, ka shumë gjasa që biznesi i madh të jetë jo vetëm zgjatimi, por vetë zemra e lëngimit të ekonomisë shqiptare. Ka shumë mundësi që Rama, duke e ditur më mirë se gjithkush tjetër çfarë ka në thes, siç thotë fjala, u ka mëshuar më forcë masave mbrojtëse edhe për të shmangur kolapsin e lehtë të sistemeve në qeverisjen e tij.
Ekonomia nuk gënjen. E vërteta e saj nuk mund të nxirret si zogu nga mënga. /Gazeta Liberale