WhatsApp ka vendosur një kufizim përsa i përket përcjelljes së mesazheve midis përdoruesve – kjo për të luftuar lajmet e rreme. Ky aplikacion, do të kufizojë mesazhet që dërgohen në shumë përdorues (forward).
Nëse një përdorues merr një mesazh forwarded – i cili është përcjellë më shumë se pesë herë në platformë – do të jetë në gjendje ta dërgojë mesazhin vetëm te një person. Sigurisht që ky ndryshim i vetëm nuk parandalon plotësisht përhapjen e informacioneve të rreme, sepse mesazhi mund të kalojë gjithsesi nga njëri përdorues të tjetri, megjithëse nga ana tjetër kufizohet dukshëm përhapja e tyre.
WhatsApp ka një përmbajtje të vazhdueshme të informacioneve të rreme, të cilat zakonisht vijnë si mesazhe zanore ose tekst. Duke qenë se mesazhet në këtë app janë të koduara – është shumë e vështirë të kontrollohen nga zyrtarët e shëndetit publik dhe autoritetet e policisë – dhe të merren masa.
Përmes bllokimit të mesazheve forward, WhatsApp synon të kufizojë sa më shumë të jetë e mundur përhapjen e informacioneve të rreme.