Jonida Vokshi festoi 33- vjetorin pak ditë më parë në Londër, në shoqërinë e një mikeshe, ndërkohë që mori shumë urime nga të afërmit dhe ndjekësit në “Instagram”.
“Ma keni mbushur shpirtin plot me urimet tuaja. Jam me fat!” ishte mbishkrimi, me të cilin Jonida shoqëroi foton ku shfaqej e lumtur në rrugët e Londrës. I vetmi që nuk e uroi për këtë ditëlindje ishte Sardi Shehu, i konfirmuar si i dashuri i saj prej disa muajsh.
Nuk dihet se çfarë ka ndodhur konkretisht, por xhelozia është bërë shkak për konfliktet mes tyre, duke qenë se Sardi është shumë i lakmuar nga vajzat në jetën e natës. Jonida festoi ditëlindjen disa javë pas Sardit, i cili bëri 31 vjeç, dhe me një status e konsideroi moshën thjesht një numër, pasi ndihet ende si fëmijë.
Kujtojmë, që pak muaj më parë mediat zbuluan se Jonida Vokshi dhe Sardi Shehu kishin zyrtarizuar me fejesë lidhjen e tyre brenda një kohe shumë të shkurtër. Aktorja dhe prezantuesja Jonida Shehu u fotografua në premierën e filmit “Lorik” e pashoqëruar nga ai, por të pranishmëve nuk u shpëtoi një detaj i rëndësishëm, pikërisht një unazë fejese në dorën e Jonidës.
Mesa duket, zyrtarizimi i lidhjes e shpjegonte edhe faktin që ata dilnin hapur si çift, pasi shiheshin gjithmonë e më shumë bashkë nëpër Tiranë. Miqtë e tyre flisnin për një histori shumë romantike dhe të bukur mes tyre, të cilën ata nuk e fshihnin aspak. Përveç përkëdheljeve në publik, ata shkëmbenin dhe mesazhe të bukura në fotot e njëri-tjetrit në “Instagram”, komente që tashmë mungojnë.
Nuk dihet ku u njohën ekzaktësisht, por thuhej se Jonida ishte fanse e muzikës që Sardi luan në jetën e natës dhe në një nga clubet, ku ai është rezident fundjavëve, janë takuar privatisht. Ata nisën të shoqërohen vetëm pak ditë pasi Sardi u komentua për ndarjen nga balerina e “Klan”-it, Jora Hodo, të cilën e njohu gjatë spektaklit “Dance with me”.
JONIDA DHE SARDI, BASHKË PASI HARRUAN HISTORITË E VJETRA ME ISH-ËT VIP
Jonida Vokshi dhe Dj Sardi u bënë çift pasi kishin hedhur pas krahëve histori të tjera VIP me partnerë të njohur. Megjithëse ai asnjëherë nuk e kishte pranuar publikisht lidhjen e dashurisë, të gjithë miqtë e rrethit të ngushtë e dinin se balerina e njohur e “Tv Klan” Jora Hodo dhe Dj Sardi ishin tre vjet në një romancë.
Dashuria që kishte lindur në “Dance with me” vijoi edhe jashtë skenës së baletit, madje në pak raste, Sardi dha edhe sinjale nga llogaritë e tij sociale, me ndonjë foto e me mesazhe të koduara për balerinën.
Një vit më parë, i ftuar te “Rudina”, pyetjen për raportin e dashurisë, Sardi e anashkaloi, madje, duke përgjithësuar dashurinë, ai tha se është gjithmonë i dashuruar: “Jeta është shumë e shkurtër për të mos dashuruar…“, tha ai dhe shtoi se të dashurosh është një ndjenjë pozitive, edhe pse e përgjithëson ndjenjën, duke thënë “duhet të dashurosh çdo gjë”.
Ndërsa konkretisht, për një foto të postuar të Jorës, refuzoi të pranonte se ishte në një lidhje me të: “Nuk është e dashura ime, është një mikesha ime shumë e ngushtë…”. Por, pavarësisht këtij refuzimi për ta pranuar në publik, të gjithë e dinin se Sardi ishte në një lidhje me Jorën, deri sa i dhanë fund lidhjes së dashurisë.
U tha se një prej arsyeve të kësaj ndarjeje mund të ketë qenë edhe një kontratë profesionale e Jorës në Amerikën Latine. Para lidhjes me Jorën, Sardi ka pasur një histori disavjeçare me një modele, e cila nuk shihet tashmë të angazhohet në botën e modës. Nga ana tjetër, edhe Jonida Vokshi ka pasur historitë e saj me djem VIP.
Lidhja e saj më e përfolur ka qenë me regjisorin Iv Tase, me të cilin madje edhe u fejua. Pas ndarjes së bujshme, ajo u përfol për një lidhje dashurie me reperin e njohur nga Kosova, Capital T. Ndërkohë që me nipin e Ardit Gjebresë, Tasen, ajo kishte një lidhje publike, me Capital T u përpoq ta mbante të fshehtë.
Ishin mediat online ato që publikuan një foto nga pushimet e saj me reperin, pasi ishin parë në momente intime në Londër, ku kishin prenotuar një dhomë luksoze hoteli. Në këtë udhëtim, u tha se Jonidën dhe reperin i shoqëronte Elvana Gjata, e cila besohej të ishte “kumbara” e bashkimit të tyre, pasi Capital T bashkëpunoi me Elvanën për këngën “Lejla” dhe ruanin miqësi të ngushtë në vazhdim.
Panorama Plus