Ka shkuar në 383 numri i personave të prekur me koronavirus në vendin tonë.
Shifrat e reja janë bërë publike sot nga Ministria e Shëndetësisë, e cila raportoi të dhënat më të fundit pas testimeve që janë bërë në personat e dyshuar gjatë 24 orëve.
Një ditë më parë numri i të prekurve ishte 377 persona dhe 22 numri i pacientëve që gjetën vdekjen për shkak të koronavirusit.
Informacioni i plotë i Ministrisë së Shëndetësisë
Në vijim të komunikimit të përditshëm, Ju bëjmë me dije se vazhdon puna në terren për identifikimin e rasteve të reja dhe gjurmimin e kontakteve të rasteve, të konfirmuara pozitive.
Në 24 orët e fundit janë testuar 182 persona të dyshuar, prej të cilëve janë konfirmuar 6 raste të reja me COVID-19.
Deri në këto momente janë testuar 2753 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 383 raste.
Betejën me këtë sëmundje e kanë humbur deri tani 22 qytetarë, megjithë përpjekjet e jashtëzakonshme të personelit shëndetësor.
Gjatë 24 orëve të fundit, 15 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 131.
Ju informojmë se, në shërbimin infektiv aktualisht janë 67 të shtruar. 5 prej tyre janë në terapi intensive.
Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 7 pacientë të shtruar gjithsej. 6 pacientë janë në terapi intensive, ndërsa 3 pacientë janë të intubuar.
Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 74 pacientë.
Harta e të prekurve nga COVID-19 zgjerohet në Tiranë, Elbasan, Korçë.
Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive, është si vijon:
– Tiranë 181 raste
– Durrës 38 raste
– Lushnje 5 raste
– Elbasan 11 raste
– Fier 26 raste
– Kavajë 8 raste
– Rrogozhinë 4 raste
– Korçë 17 raste
– Vlorë 5 raste
– Shkodër 44 raste
– Lezhë 14 raste
– Berat 2 rast
– Has 12 raste
– Krujë 5 raste
-Tropojë 4 raste
– Pukë 4 raste
– Mirditë 3 raste
Siç shihet, sot kemi një ulje të ndjeshme të numrit të rasteve të prekurve nga COVID-19 që tregon se hetimi epidemiologjik dhe gjurmimi i rasteve të reja apo kontakteve të tyre ka funksionuar në mënyrën e duhur dhe është kryer sipas protokolleve të përcaktuara.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i kërkon qytetarëve të vijojnë të respektojnë masat e distancimit social. Sic e tregojnë edhe shifrat e ditëve të fundit, ku ka raste brenda të njëjtës familje, është e rëndësishme që masat e kontrollit të infeksionit të respektohen maksimalisht edhe brenda rretheve familjare duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye për të parandaluar transmetimin e COVID-19.
Ministria e Shëndetësisë Nëse keni shenja të sëmundjes COVID19 telefononi numrin e urgjencës 127. Për çdo pyetje apo informacion rreth COVID19 telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40.