Nga Çapajev Gjokutaj
Ka një paradoks: perditë e më shumë vende po kalojnë në gjendje emergjence përballë pandemisë, përditë e më tepër shtohen të infektuarit dhe të vdekurit, por kjo s’ndalon që përditë e më shumë të buisë humori në rjetet sociale.
Është një krijimtari masive që të kujton folklorin, me autorë të shumtë e anonimë, me përkthime, marrje, rimarrje, përshtatje e modifikime, me një përhapje spontane, të shpejtë, madje edhe … virale. Me sa duket kanë të drejtë ata që thonë se qasjet me humor po përhapen më shpejt se lëngata e re. Aktualisht në botë ka rreth 342 mijë raste infektimesh aktive, por ata që bëjnë humor, krijojnë e shohin meme, lexojnë e rishpërndajnë statuse të këtij zhanri janë pa frikë qindra miliona.
Siç është e kuptueshme humori i rjetit është i shumëllojshëm dhe i të gjitha standardeve. Fillon nga batuta ngjyrosur me pak arkaizëm të tipit ‘laj duart, nëse s’do të të lajë hoxha’ dhe hera-herës ngjitet në nivelet e ironisë intelektuale të tipit : ‘virusi erdhi për të na kujtuar se ka më shumë të sëmurë mendorë në ekrane e në rjet, sesa në spitale’.
2.
Arsyet pse njerëzit janë të prirur nga humori në një situatë të tillë plot vështirësi, kufizime e frikë duket se janë të shumta. Ndër të parat që të vjen në mend është ngeshmëria. Në kohë kur, siç e thoshte një batutë e këtyre ditëve, qeveria nuk të thërret në luftë, por të detyron të rrish në divan, koha është me bollëk dhe mbushja e saj kthehet në problem më vete. Që ngeshmëria e cyt njeriun nga batutat dhe shakatë, e dëshmon dhe fakti se tradicionalisht humori më i shumtë gojor ka qenë pjellë kafenesh, mejhanesh a pazaresh levantine.
Në kohë pandemish, kur njeriu është jo vetëm i ngeshëm, por edhe gjithë ditën i bombarduar nga lajme drithëruese për virusin, për të infektuarit e të vdekurit, për mbyllje kufijsh, pasiguri furnizimesh dhe kolaps të sistemit shëndetësor në vendet më të zhvilluara të botës etj. etj, e pra në kohë të tilla, lind vetiu reaksioni shpesh i pavetëdijshëm për t’i ikur informacionit të ububushëm dhe, për ta bërë këtë, humori shfaqet si shtegu më i volitshëm.
Por duket se humori në kohë karantine rritet e lulëzon edhe mbi një arsye tjetër: izolimi, distanca, mungesa e një bisede të shkujdesur në kafe apo e një thashethemi me zë pëshpëritës në një kënd të korridorit të zyrës, të gjitha këto e të tjera si këto gjenerojnë nevojën për afërsi shpirtërore, nevojë që nuk e konsumon dot tërësisht me njerëzit e paktë të familjes moderne që, për më tepër në kohë izolimi të bëhen në mos ferrë, të paktën bozë. Ndaj nisesh monopateve të rjeteve sociale dhe aty zgjedh me përparësi shakanë, batutën, anekdotën, sepse një nga funksionet universale të humorit është të shkrijë akujt e zyrtarizmit e të konformizmit, të shmangë moçalet e rutinës dhe t’i bëjë njerëzit më të çiltër e më komunikues me njeri-tjetrin. Humori duke hapur dritaret e të qeshurës, çel portat e zemrës.
Të gjitha këto janë arsye te forta që humori të gëlojë në kohë pandemish e karantinash. Megjithatë, arsyeja kryesore duket se është fakti që humori mbetet mjeti më efikas për të zbutur frikën e rreziqeve ekzistenciale si dhe ankthin e vdekjes, që në kohë të tilla ngjan se i thithim bashkë me ajrin.
3.
Këtu lind një pyetje e natyrës etike: A është normal ky lloj reagimi? Më saktë, a është njerëzore që lëngata e qindra mijëra njerëzve dhe vdekja e shumë të tjerëve të përcillet me të qeshura? Për më tepër se humorin e rjetit e bëjnë dhe e përjetojnë të shëndoshët, kurse ata që lëngojnë spitaleve a karantinave mezi marrin frymë, pa le më të qeshin e të relaksohen.
Kjo kontradiktë të kujton rastin e të qeshurit në ksodh. Shumë vetëve u ka rastisur ta përjetojnë këtë dukuri. Të hipën e qeshura në varrim a në ksodh dhe ti, i frikësuar se po koritesh, përpiqesh ta shmangësh, por sa më shumë ngulmon, aq më e fortë bëhet fontana e gazit.
E qeshura në raste të tilla, thotë dr. Gail Saltz, psikiatër njujorkez, është e çuditshme dhe njerëzit nuk e pëlqejnë por, parë pak më thellë, rezulton të jetë një veprim normal, që nuk tregon çrregullime mendore a psikologjike, por një reaksion të shpjegueshëm të mendjes njerëzore.
E qeshura në funeral s’është veçse një mekanizëm i pavetëdijshëm për të zbutur frikën që ngjall vetiu prania e vdekjes. Si të mos mjaftonte trysnia e vdekjes, frika dhe stresi rriten, ngaqë duke mos e mbajtur dot të qeshurën, do të bënim figurë të keqe e mund të na merrnin o për gdhë o për të roitur. Me vetëdije e logjikë duam ta shmangim, por përtej vullnetit tonë fontana e gazit rritet e shton edhe më trysninë.
Rasti i gajasjes në ksodh tregon se ekziston një lidhje organike dhe e vetvetishme mes frikës e ankthit dhe të qeshurës. Që kjo lidhje është e drejtpërdrejtë dhe automatike e dëshmon edhe fakti se për të shmangur të qeshurën në situata të tilla mjafton të ndërmarrësh disa veprime që zbusin momentalisht tendosjen e stresit, të tilla si frymëmarrje e thellë, disa goditje suksesive të faqeve me pëllëmbë etj.
Me sa duket në raste pandemish e karantinash rreziqet e shtuara dhe sidomos frika e vdekjes i shtyjnë njerëzit të bëjnë humor, ta përhapin e ta shijojnë atë si rrallë herë. Dhe shumica e atyre që nxisin e përjetojnë qeshjen, buzëqeshjen, gajasjen, nënqeshjen ironike a përqeshjen sarkastike nuk e dinë dhe as e mendojnë se të gjitha këto reagime janë instrumenta për të zbutur frikën e rrezikut e tmerrin e vdekjes dhe për të hequr nga shpina e të përditshmes mbingarkesat e epidemisë e të karantinës.
4.
Ngeshmëria, alergjia që krijojnë lajmet e ububushme, nevoja e rritur për komunikim shpirtëror në kohë epidemish, frika ndaj rreziqesh ekzistenciale si dhe ankthi që ngjall prania e dendur e vdekjes janë shkaqe që nxisin shpërthimin e humorit në kohë të tilla. Gjithsesi ka edhe një faktor tjetër që, në mos e gjeneron humorin, të paktën e mundëson. Fjala është për ekzistencën e rjeteve sociale.
Në kohët paramoderne epidemitë i nxisnin njerëzit dhe shoqëritë të veçoheshin e të mbylleshin shumë-shumë brenda familjes a në grupe të vogla. ‘Dekameroni’ i Bokaçios që sjell rrëfenjat e një grupi të vogël të rejash e të rinjsh të izoluar në provincë gjatë një epidemie murtaje shtatë shekuj të shkuar, dëshmon se humori ka qenë i pranishëm edhe në kushtet e izolimit mesjetar, vetëm se mbetej përgjithësisht brenda grupit dhe seleksionohej e përhapej më pas, kur rreziku kalonte e fillonte jeta normale.
Sot rjetet sociale e bëjne të mundur qarkullimin e humorit në çast, pa pyetur për karantinë a izolim, madje as për kufizime kohe, vendi a gjuhe. Kjo është e vërtetë, sidomos kur reagimet janë për shqetësime globale si pandemia e tanishme.
Ti psh je i izoluar në shtëpi, por një kinez në Wuhan, i ndarë prej teje nga hapësira kontinentale, të cilit ti s’ia di as gjuhën, përcjell në rjet një meme humoristike se si dikush i maskuar, pasi heq tapën e maskës, pi duhan dhe në sekuencën tjetër kthen edhe ca gllënjka alkool. Miku yt virtual në Toronto e merr memen e kinezit, i bën disa përshtatje të vogla dhe e riposton, për të buzëqeshur ti e qindra të tjerë në Europë e gjetkë. Parë kështu thenia se humori përhapet globalisht shumë më shpejt se virusi, nuk është metaforë, po realitet.
Veç thyerjes së pengesave të kohës, vendit, gjuhës, kulturës etj., rjeti krijon dhe nje lehtësi tjetër: ofron mori modelesh për meme, anekdota, barcaleta, batuta, proverba. Rjeti bën që vitaliteti i krjimit anonim të shfaqet i shumëfishuar, nëpërmjet tij zhanret humoristike merren, rimerren, përkthehen, përshtaten, modifikohen jo nga banorët e një krahine etnografike, siç ndodh në folklorin tradicional, por nga mijëra e mijëra njerëz thuajse në gjithë rruzullin.
5.
Po ta përmblidhnim në një thënie popullore, humori në kohë karantine “ësht’ ilaç e ësht’ shërim”. Vetëm se si çdo ilaç ka edhe efekte anësore, mund të bëjë mirë për hallin që të ka zënë, por të të dëmtojë në gjëra të tjera.
Dhe humori anonim, sidomos humori i njerëzve të ngeshëm, por thellë-thellë të frustruar e të tutur, preston shumë për efekte anësore si përqeshja dhe përçmimi i tjetrit, dukuri këto që gjatë kësaj pandemie po shfaqen kryesisht në trajta seksizmi e ksenofobie.
Po qarkullojnë jo pak meme, batuta, barcaleta etj. që vënë në lojë gratë. Dhe kjo e ka një arsye racionale. Më njerën anë mbyllja në shtëpi vetëm me gruan e fëmijët, më anë tjetër mungesa fizike e ‘antagonistit’ të përditshëm si shefi, konkurrenti, fqinji etj. bëjnë që agresiviteti i humorit maskilist të derdhet mbi gruan.
Kësaj arsyeje rrethanore i shtohet edhe fakti që në arsenalet e humorit gojor ka shumë krijime që qeshin, përqeshin e përçmojnë gruan, jo gruan në tërësi dmth në gjithe rolet sociale të saj, por gruan si bashkëshorte. Siç është logjike mungojnë thuajse tërësisht nënqeshjet, përqeshjet a stigmatizimet për nënën.
Nuk ka gjë të keqe pse bëhet humor me gruan/bashkëshorten, janë të panumërta edhe rastet kur qeshet e përqeshet burri si njeri i lidhur fortë me kafenenë, stadiumin, shoqërinë dhe distant me familjen. Problemi fillon kur humori me gratë merr ngjyra të theksuara seksiste, e paraqet gruan jo si qënie humane, por si qenie inferiore, si përfaqësuese të seksit të dobët, si pasardhëse të Evës, aleate të satanait, leshgjatë e mëndjeshkurtër etj. etj.
Mentaliteti që ushqen këtë lloj krijimtarie i shërben vazhdimit të patriarkatit, ruajtjes së pushtetit të burrit, por thellë-thellë e përgjithësisht në mënyrë të pavetëdijshme nuk shpreh fuqinë dhe supremacinë e burrit, përkundrazi fsheh frikëra dhe frustrime maskiliste.
6.
Afërsisht të njëjtën fizionomi kanë edhe një mori batutash, memesh, barcaletash që përqeshin kinezët, jo si qenie humane dmth si të përngjajshmit tanë, por si perfaqësues të një qytetërimi demode dhe të një race inferiore. Ky mentalitet që ka ekzistuar tradicionalisht dhe njihet me emrin sinofobia, merr trajta agresive në kushtet e pandemisë, kur bëhet shumë më aktiv një mekanizëm psikologjik vetëmbrojtës.
Në situata rreziku e frike njeriut i duhet që, për t’i dhenë kurajo vetes të identifikohet fort me grupin, etninë, racën, qytetërimin ku bën pjesë, të qëmtojë dhe ekzagjerojë vlerat e këtij grupi, por edhe të nxijë e pështyjë mbi të tjerët, jo se janë vërtetë inferiorë, të prapambetur, të pistë etj., por sepse kontrasti imagjinar rrit vlerat e grupit tënd dhe, rrjedhimisht edhe të tuat e të ndihmon keshtu të gjesh forcë për t’u përballur me rreziqet e shtuara të pandemisë.
Kjo frymë ksenofobe e raciste që buron thuajse natyrshëm nga psikologjia e individit dhe e grupit, vjen e rritet dhe mund të bëhet e rrezikshme në kushtet kur thuajse të gjitha vendet po mbyllin kufijtë, po kufizojnë rëndshëm shkëmbimin e njerëzve dhe të mallrave, duke nxitur dashje padashje veçimin dhe nacionalizmin.
Historia e pandemive në shekuj dëshmon se periudha të tilla gjenerojnë armiqësi virulente e shpesh edhe absurde. Murtaja e Zezë e mesit të shekullit të 14-të, psh, mbahet si më vdekjeprurësja, por njëkohësisht kujtohet edhe për shpërthime histerike e shtazarake kundër hebrenjve, lebrozëve, lypësve, madje edhe kundër maceve e qenve.
Në fakt seksizmi dhe ksenofobia kanë qenë e do të jenë rreth nesh edhe pa ndihmën e humorit dhe të pandemisë. Problemi është se këto -izma kur përcillen nga humori bëhen shumë më të fuqishme ngaqë batutat, memet, barcaletat etj. i paraqesin si shaka, si gjëra për të qeshur dhe jo si plagë që infektohen e mahisen fare lehtë.
Kush bën humor seksist, ksenofobik a racist diskriminon tjetrin nëpërmjet qeshjes e përqeshjes, për të demonstruar superioritetin e vet, suoerioritet që i ka rrënjët në komplekse inferioriteti. Këto e të tjera kusure si këto kanë qenë arsyet pse mendje të mëdha të njerëzimit, duke nisur nga Platoni e duke ardhur tek Frojdi e kanë parë me skepticizëm rolin pozitiv të humorit.
Në anët tona gjasat që humori të përdoret për të diskriminuar e denigruar tjetrin janë edhe më të mëdha. Jetojmë në Ballkan, një rajon ku, siç thoshte Kazanzaqi, çdo fshat ka të çmendurin e vet, edhe po nuk e pati, e bën. Natyrisht duke tallur e përbuzur më të dobëtin, thjesht për t’u engledisur.