E vjetra sundon, sa kohë që nuk janë shkulur rrënjët e saj

Analizë Opinion

Nga Fatos Tarifa

Rreth 40 për qind e popullsisë që jeton aktualisht në Shqipëri ka lindur pas vitit 1990. Kjo pjesë e popullsisë, që shumë shpejt do të përbëjë pjesën më të madhe të qytetarëve të këtij vendi, nuk ka asnjë eksperiencë jetësore të drejtpërdrejtë që lidhet me diktaturën e proletariatit. Të rinjtë e lindur pas vitit 1990 e njohin atë sistem politik kryesisht nga rrëfimet e prindërve të tyre, nga filmat dhe dokumentarët e prodhuar në atë periudhë, si dhe nga ato çfarë vazhdojnë të shkruhen e të thuhen për atë periudhë (kryesisht për ngjarje e figura politike të saj) në shtypin dhe në mediat tona.

Këto të fundit janë të mbushura, thuajse çdo ditë, me kujtime e histori të së shkuarës, me përshkrime jetësh e bëmash të gjithfarëlloj personalitetesh të vërtetë e të rremë, heronjsh të vërtetë, kallp e të imagjinuar.

Në kushtet e një krize të thellë identiteti dhe të mungesës thuajse të plotë të kritereve për t’i vlerësuar objektivisht ngjarjet historike të së shkuarës dhe gjithçka që është thënë e shkruar—ose që vazhdon të thuhet e të shkruhet—për gjysmëshekullin komunist, shoqëria shqiptare, politikanët e këtij vendit, opinioni publik dhe studiuesit tanë të historisë e të shoqërisë janë polarizuar në ekstrem dhe janë ngujuar në transhetë e tyre si të ishin ushtri armike në kohë lufte.

***

Diktatura e proletariatit në Shqipëri u përmbys tridhjetë vite më parë. Kjo është një periudhë shumë më e gjatë sesa periudha mes dy luftërave botërore.

Tridhjetë vite janë një periudhë më e gjatë edhe sesa ajo që ndau krijimin e Shqipërisë si një shtet i pavarur më 1912 nga pushtimi fashist i saj më 1939.

Tridhjetë vite në një shoqëri të çliruar nga format më të këqija të sundimit politik—monarkia zogiste, pushtimi fashist e nazist dhe diktatura e proletariatit.

Tridhjetë vite që duam e përpiqemi të krijojmë një shoqëri shqiptare të re, mbështetur në një kontratë shoqërore që mundëson e garanton liri e të drejta për të gjithë shtetasit, kushte e mundësi të barabarta zhvillimi për këdo dhe respektimin e dinjitetit të çdo individi.

Kjo do të duhej të ishte—dhe këtë dëshironim e prisnim të bëhej—Shqipëria pas përmbysjes së diktaturës së proletariatit. Dhe nuk e kemi bërë dot, sado të mendojmë e të themi se jemi përpjekur.

Nuk kemi ditur? Nuk kemi mundur? Jo. Edhe kemi ditur e dimë, edhe kemi mundur e mundemi. Por nuk kemi dashur dhe vazhdojmë të mos duam.

Kur flas në shumës e në vetë të parë nuk nënkuptoj se nuk kemi dashur e nuk duam të ndërtojmë një Shqipëri të re, të drejtë e demokratike ne, qytetarët e këtij vendit. Këtë nuk e kanë dashur e nuk e duan një pjesë e madhe—ndoshta pjesa më e madhe—e racës së politikanëve që kemi votuar e zgjedhur për tridhjetë vite me radhë që të administrojnë punët e shtetit tonë e të drejtojnë vendin, duke pasur në dorë fatet tona.

Duke ushtruar të drejtën tonë demokratike për të zgjedhur njerëzit që do të duhej të përfaqësonin interesat tona në parlament dhe në organet vendimmarrëse të qeverisë, ne, qytetarët e lirë të këtij vendi, jemi po aq përgjegjës për cilësinë mjerane të shumë prej tyre, si dhe për shpërdorimin e pushtetit që u kemi dhënë në mirëbesim njerëzve të tillë sa edhe vetë ata.

***

Ka pasur dhe ka mes përfaqësuesve tanë në parlament dhe në institucionet qeverisëse të vendit edhe njerëz e politikanë të ndershëm e të zotë, nga çdo parti politike e të çdo moshe. Gjithnjë do të ketë njerëz të tillë dhe politikanë të tillë, të ndershëm e të zotë. Por, në këta tridhjetë vitet e fundit ka pasur e ka më shumë politikanë mediokër, të paditur—frikshmërisht të paditur e të pazotë—të cilëve ne, qytetarët e këtij vendi, nëse do ta gëzonim e ushtronim realisht të drejtën tonë për të zgjedhur, nuk do ua kishim besuar kurrë përgjegjësitë (e papërmbushura) dhe privilegjet (e pamerituara) që u ka dhënë mandati i deputetit, si ushtarë të vijës së parë në listat e partive të tyre. Petrit Vasili, Klevis Balliu, Flamur Noka, Taulant Balla janë veç disa prej tyre—epitoma të atij lloj politikanësh që përmenda më sipër. Politikanë të tillë i kemi krijuar ne; ata janë pjellë e kulturës sonë politike dhe e mefshtësisë sonë qytetare.

Përse shquhen këta njerëz, të cilëve—indirekt, përmes partive në të cilat ata militojnë dhe të cilat ne i mbështesim—u kemi besuar të bëjnë ligjet nga të cilat udhëhiqen e varen jetët tona?! Çfarë kanë bërë këta njerëz—dhe shumë të tjerë si ata—për këtë vend dhe për këtë popull?!

Politikanë të tillë janë një e keqe e madhe për shoqërinë, për rendin demokratik, për mirëqenien tonë. Një e keqe edhe më e madhe janë monstrat që ka pjellë në këto tridhjetë vite politika shqiptare, disa prej të cilëve ende ua shohim fytyrat e ua dëgjojmë zërin, kur duhej t’i kishim harruar me kohë. Sali Berisha, fatkeqësia më e madhe e këtij vendi, Fatmir Mediu e ndonjë tjetër kryesojnë listën e kësaj kategorie politikanësh monstruozë, të cilët, gjithashtu, janë pjellë e kulturës sonë politike dhe e mefshtësisë sonë qytetare.

Mendoni, për një çast: 40 për qind e popullsisë që jeton aktualisht në Shqipëri, pra kushdo që është lindur pas vitit 1990, nga dita e parë e jetës së vet deri më sot i ka parë dhe i sheh këta njerëz thuajse çdo ditë në sallën e Kuvendit të Shqipërisë, në mitingje e në emisione televizivë. Ky është një tmerr orwellian për brezin e ri dhe për qytetarët e kësaj republike.

Dy breza shqiptarësh u lindën dhe u rritën me Enver Hoxhën në krye të shtetit të tyre. Ai ishte kudo. Omnipotent. Me një pushtet total mbi çdo gjë e mbi këdo. Në këta tridhjetë vite të një sistemi demokratik formal, elektoral, brezi i ri i shqiptarëve dhe një brez tjetër që po vjen në jetë kanë njohur e njohin po të njëjtat fytyra politikanësh, që po plaken në pushtet e në politikë, që kanë sunduar si autokratë dhe që s’kanë ndërmend të largohen nga politika e të tërhiqen nga ambiciet dhe lufta për pushtet.

Kjo gjendje politike patologjike e ka dëmtuar shumë shëndetin e demokracisë sonë të brishtë dhe rrezikon ta degradojë edhe më tej atë. Rumunët, bullgarët, sllovenët, çekët, sllovakët, hungarezët, polakët i kanë harruar me kohë—siç edhe është normale dhe siç duhej të kishte ndodhur edhe me ne—ato figura politike, që tridhjetë apo njëzetë vite më parë ishin kryeministra ose presidentë në shoqëritë e tyre postkomuniste; ne shqiptarët i kemi ende nëpër këmbë Berishat, Meditë, Dulet, të cilët, të kapur pas pushtetit dhe privilegjeve të tij, nuk duan në asnjë mënyrë të shkulen prej tyre.

Dhe ne i bëjmë sehir, i pranojmë, i falim për çfarë kanë bërë—duke qenë në pushtet ose në opozitë—kundër interesave të qytetarëve dhe interesave të këtij vendi, i ftojmëtë flasin në studiot televizive dhe i dëgjojmë. Një pjesë vazhdojnë ende t’u shkojnë pas, në vend që t’u kishim mbërthyer me kohë gozhdën e fundit qefinëve të kufomave të tilla politike.

***

Dëmi më i madh që i ka shkaktuar shoqërisë sonë kjo gjendje politike e pashëndetshme dhe e tejzgjatur është deformimi i strukturës karakteriale të njerëzve dhe, sidomos, i strukturës së karakterit të brezit të ri. Gjurmët e së kaluarës, prej së cilës klasa jonë politike nuk ka mundur të shkëputet dot, janë ende të pranishme në mentalitetet dhe në sjelljet e shqiptarëve, madje edhe të brezit të ri, që nuk e ka njohur të kaluarën si eksperiencë jetësore të drejtpërdrejtë.

Strukturat shtetërore e ato shoqërore—institucionet qeverisëse, partitë politike, shkolla, familja—vazhdojnë të jenë, në thelbin e tyre, autoritariste. Ato janë mbërthyer pas realiteteve të vjetra duke e bërë të vështirë—dhe deri më sot të pamundur—një transformim të vërtetë demokratik të shoqërisë shqiptare. Ekzistenca e mëtejshme e këtyre strukturave autoritariste do ta dëmtojë e deformojë edhe më tej strukturën karakteriale të brezit të ri, duke e bërë më të vështirë, më të zgjatur e më të dhimbshëm procesin e transformimit të shoqërisë sonë.

Nuk mund të shpresojmë që rinia shqiptare të zhvillohet si një rini e shëndetshme në një mjedis të pashëndetshëm, prandaj edhe një pjesë e saj zgjedh të largohet nga vendi në kërkim të kushteve e mundësive më të mira për shkollim, punësim e jetesë. Do të ishte veç një utopi të shpresonim se nga një e kaluar dhe një e tashme e sëmurë mund të krijojmë një të ardhme të shëndetshme për brezin e ri. Problemi i shoqërisë sonë nuk janë të rinjtë, të cilët kaq shpesh dhe pa të drejtë i fajësojmë e i kritikojmë. Problemi i vërtetë jemi ne, prindërit dhe mësuesit e tyre dhe—mbi të gjitha e në radhë të parë—kjo klasë politike që e ka marrë dhe e mban peng të ardhmen e rinisë sonë dhe të shoqërisë sonë.

Kjo klasë politike nuk ka asnjë të drejtë morale dhe as dituritë e nevojshme që të vendosë për të ardhmen e brezit të ri të Shqipërisë. Ajo as e kupton dhe as e do një të ardhme për brezin e ri të ndryshme nga e shkuara dhe e sotmja e vetë kësaj klase./Dita

Share: