Pse janë trembur Rama dhe Basha?

Analizë Opinion

Nga Spartak Ngjela

As Rama dhe as Basha nuk pranojnë ndërrimin e sistemit zgjedhor.

Po Reformën në Drejtësi?

Reforma në Drejtësi dhe ndryshimi i sistemit zgjedhor janë dy anët thelbësore të drejtësisë dhe demokracisë shqiptare, e cila tani dihet se aktualisht është në proces reformimi.

Po procesi i reformimit?

Procesin e reformimit në institucionalizimin modern të shtetit dhe të drejtësisë shqiptare, e ndihmoi në mënyrë të fuqishme akti Merkel për çeljen e negociatave me BE: shtatë kushtet e vendosura prej saj për t’u zbatuar pas çeljes.Të shtatë kushtet janë strukturë e re politike antikorrupsion.

Basha shumë i trembur nga kushtet. Rama me shqetësimin, të cilin nuk e fsheh dot me gëzimin e rremë që shpreh.

Kjo është situata e ngarkuar me emocion frike, që bllokoi sot tryezën e reformës zgjedhore.

l.

Këtë tregoi sot tryeza e mbledhur për Reformën zgjedhore, e thirrur nga OSBE: as Rama dhe as Basha nuk e pranojnë ndërrimin e sistemit zgjedhor. Sepse kanë frikë për veten. Asnjëri prej tyre nuk del dot deputet me një sistem mazhoritar: sepse nuk i do popilli individualisht.

Për këtë arsye ndërkombëtarët, por sidomos politika amerikane, duhet ta ketë të qartë se të korruptuarit e Shqipërisë nuk e pranojnë Shqipërinë institucionale.

Politika amerikanë tani e di mirë se këta individë që luajnë për interesin e tyre vetjak, nuk kanë lidhje fare me interesin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Madje janë në armiqësi të hapur me interesin e shqiptarëve.

ll.

Në fakt kjo ka qenë pjesa më e errët e historisë së Shqipërisë. Të korruptuarit liderë të Shqipërisë kanë qenë lakej të fqinjëve pushtues territoresh shqiptare, sepse kështu, me anë të tyre, këta ose kanë ardhur në pushtet, ose kanë mbajtur pushtetin.

Të gjithë, në njëqind vjet, kanë tentuar ose nga Beogradi e Moska, ose nga Athina. Njëlloj si edhe sot. Dhe fatkeqësia e Shqipërisë dhe e shqiptarëve gjithmonë ka qenë fakti i hidhur që pushteti politik është paguar nga fqinjët kundër shqiptarëve.

Histori kombëtare e fshehur, aktivitet kombëtar i gjymtuar, shqiptarë të mëdhenj dhe patriotë të shquar të vrarë nga pushtuesit me anë të veglave të tyre në pushtetet politikë të Shqipërisë: kjo ka qenë historia e trishtë e shqiptarëve pas vitit 1912. Asnjëherë në përkrahje të Interesave të tyre: kjo është historia njëqindvjeçare e Shqipërisë dhe shqiptarëve.

lll.

Korrupsioni i grykësisë së liderëve të shitur, ka qenë dhe mbetet ende fenomemi i rregresit dhe dëshpërimit shekullor të shqiptarëve.

Kështu edhe sot.

Prandaj, edhe në këtë kohë historike Rama dhe Basha që janë bashkë kundër Reformës në Drejtësi, kërkojnë bllokim të çdo reforme demokratike në Shqipëri.

Ku konsiston sot si spikatje e prekshme qëllimi prishës i Ramës dhe Bashës?

Rama, Basha dhe i gjithë korrupsioni shtetëror shqiptar po ka tani qëllim deri në tmerr për arritjen e dy aspekteve në ndalimin reformues të shoqërisë shqiptare:

Moslejimi i aplikimit të Reformës në Drejtësi; dhe, moslejimi i ndryshimit të sistemit zgjedhor në mazhoritar apo në proporcional me lista të hapura.

Në këto momente dallon se antireforna po punon me KED dhe drejtuesin e saj, Gent Ibrahimi, për të krijuar zvarritje dhe bllokime të kota proceduriale për emërimin e prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme. Gjithçka ka të bëjë me SPAK. Se këtu është mbështjellë frika Rama-Basha. Këta po duan që më çdo kusht të zvarriten emrimet në Prokurorinë e Posaçme dhe në Byronë Kombëtare të Hetimit.

Por e kanë të kotë. Është krejt e krejt një ndërmarrje e dështuar, edhe pse ka shenja që në këtë zvarritje po merr pjesë dhe edhe Gent Ibrahimi, kryetar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Drejtuesi Ibrahimi u duk se u kërcënua dje ndërkombëtarisht që ktheu aq shpejt mendimin e tij të parë për emërimet në SPAK, kur theksoi në tërheqje se Prokuroria e Posaçme mund të konstituohet edhe me një numer prej më pak se 10 prokurorë.

Për këtë arsyre, politika amerikane që kontrollon gjendjen në Shqipëri duhet të jetë shumë e vëmendshme me Ramën dhe Ibrahimin, se po kuptohet që kanë një lidhje të nëndheshme për zvarritjen e SPAK-ut.

Gjithsesi, edhe reforma zgjedhore edhe SPAK do të triumfojnë më sukses. Dhe ky është në fakt fati i madh i Shqipërisë së mileniumit të ri.

Share: