Nga Klodian Tomorri
Një nga tezat më qesharake që po përdoret për relativizimin e epidemisë së koronavirusit është krahasimi i vdekjeve nga koronavirusi me shkallën e vdekshmërisë normale në Itali.
Ideja është kjo; në Itali, vdesin mesatarisht 1800 vetë në ditë, në kohë normale. Kaq është mesatarja e viteve të kaluara. Dhe meqë nga koronavirusi vdesin 400 apo 800 vetë në ditë, kjo nuk është asgjë, sepse ky numër është prapë brenda shifres së vdekjeve normale.
Kjo është të krahasosh arin me dollarin. Nëse këtë gabim e bën një nxënës në klasë të pestë, normalisht duhet të ngelet në klasë.
Tani krahasimi i vdekshmërisë bruto është ky:
Në javën nga 9-16 mars të vitit të kaluar në qytetin e Bergamos kanë vdekur 23 vetë. Ne javën nga 9-16 mars të këtij viti në Bergamo kanë vdekur 330 vetë. Plot 14 herë më shumë. Burimi: Bashkia e Bergamos.
Në Alzano Lombaro, për periudhën 25 shkurt-15 mars 2019 gjithsej 8 vdekje. Për të njëjtën periudhë të këtij viti 50 vdekje. Burimi: Bashkia.
Në Nembro, nga fillimi i marsit deri tani 120 vdekje. Për të gjithë marsin e vitit te kaluar, vetëm 14 vdekje. Burimi: Bashkia.
Në Dalmine 1 mars-20 mars këtë vit 70 të vdekur. Për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar 8 të vdekur.
Sot, është e dielë dhe nuk doja të bëja një shënim si ky. Por, tezat e gabuara që ulin përgjegjshmërinë e qytetarëve dhe relativizojnë rrezikshmërinë e epidemisë duhen çmontuar sa më shpejt. Numrat, kur përdoren keq janë të rrezikshëm.
P.S. Rrini në shtëpi, nëse nuk doni të rrisni të ardhurat nga taksat që qeveria mbledh nga kompanitë e funeraleve.