Gënjeu autoritetet për hyrjen në Shqipëri, rezulton me koronavirus 51-vjeçari në Durrës. Izolohet

Aktualitet Kryesore Sociale

Një 51-vjeçar ka rezultuar pozitiv ndaj testit për Covid 19, duke e çuar në 6 numrin e të infektuarve në Durrës, përfshirë dhe viktimën e parë të këtij virusi.

I diagnostikuari është dërguar mbrëmjen e kaluar në spitalin infektiv të Tiranës për trajtim të specializuar.

Dy netë më parë pacienti ishte paraqitur me simptoma pneumonie në urgjencën e spitalit të Durrësit dhe nuk ka treguar datën reale të hyrjes në Shqipëri.

Përmes sistemit TIMS është konstatuar se 51-vjeçari ka gënjyer duke dhënë një datë më të hershme, ndërsa rezulton se ka më pak se dy javë që është kthyer nga Gjermania dhe e shoqja nga Milano.

Pasi i është nënshtruar testit të tamponit, përgjigjja e të cilit ka rezultuar pozitive, ai është dërguar në spitalin e infektivit në Tiranë.

Ndërkohë burime spitalore bëjnë të ditur se edhe një tjetër pacient mashkull që ndodhet në urgjencë me simptoma të ngjashme me Covid 19 është në pritje të përgjigjes së testit.

Mjekët e urgjencës së Durrësit apelojnë për më shumë përgjegjshmëri nga ana e pacientëve dhe familjarëve të tyre mbi lëvizjet jashtë vendit dhe kontaktet e pacientëve, si dhe të mos paraqiten direkt në spital.

Share: