Shtohen rastet me COVID 19 në Shqipëri. Zv/ministrja Mira Rakacolli tha në një dalje për mediat se në 24 orët e fundit janë shtuar 4 raste te reja, duke e cuar në 42 raste numrin e të prekurve. Rakacolli tha se 3 prej tyre janë në terapi intensive.
Deklarata e plote:
Në 24 orët e fundit nga ana e Institutit të Shëndetit Publik në bashkëpunim me epidemiologët e Njësive Vendore të Kujdesit Shëndetësor, ka vazhduar pa u ndalur puna në terren, për identifikimin e rasteve dhe për gjurmimin e kontakteve të rasteve të konfirmuara tashmë me Covid-19.
Janë testuar 27 persona të dyshuar, qytetarë dhe personel shëndetësor, prej të cilëve janë konfirmuar 4 raste të reja me COVID-19. Deri në këto momente janë testuar 532 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 42 raste:
Nga rastet e konfirmuara pozitivë:
Tiranë 26 raste
Durrës 5 raste (njëri prej të cilëve ka ndërruar jetë)
Lushnje 2 rast
Elbasan 2 raste
Fier 5 raste
Rrogozhinë 2 raste
Prej tyre:
17 janë të shtruar në spitalin Infektiv (nga Tirana, Durrësi, Fieri, Lushja dhe Rrogozhina).
Tre prej tyre janë në terapi intensive, një 66 vjeçar nga Lushnja dhe një 61-vjeçare nga Fieri dhe një 50 vjeçar nga Tirana.