Nga Anne Applebaum
Bolonja, Itali – Ndodhem në mes të këtij qyteti të Italisë Veriore, 2 orë me makinë nga qytetet lombardiane që janë vendosur nën karantinë. Deri në këtë moment, Bolonja nuk ka pasur një shembull të vetëm të koronavirusit të ri. Një ose dy persona me këtë sëmundje, të njohur si COVID-19, janë shpërngulur në një spital këtu nga rajone të tjera.
Por askush rreth meje, nuk është i sëmurë. E megjithatë, në universitetin amerikan, ku jam e ftuar si pedagoge, po flasim për diçka tjetër. Ndoshta kjo ndodh, pasi nuk dimë më se çfarë të mendojmë:Shumica prej nesh nuk janë prekur kurrë nga një sëmundje e shpejtë, e pashërueshme, dhe që madje nuk është shumë vdekjeprurëse.
Ne nuk jemi aq të moshuar sa ta mbajmë mend Gripin Spanjoll. Jemi mësuar me idenë që gjithmonë ka vaksina ose ilaçe, që janë duke u testuar. Tani këshillohemi – në njoftimet në stacionet e trenit, në tabela në vendet publike, në postën tonë elektronike – që të lajmë duart, një masë paraprake që nuk është as e mjaftueshme, dhe as shumë siguruese.
Ndërkohë, Universiteti i Bolonjës, institucioni më i vjetër akademik në Evropë, është mbyllur. Muzeumet janë mbyllur. Ndeshjet e futbollit dhe konferencat janë anuluar. Rrugët mesjetare, dëshmitare të shumë epidemive të kaluara – Vdekja e Zezë që shfarosi gjysmën e qytetit në vitin 1348 – janë çuditërisht të zbrazëta, pasi njerëzit i dëgjuan paralajmërimet dhe po qëndrojnë në shtëpi.
Rreth gjysma e kolegëve të mi, mendojnë se këto masa janë të tepruara. Ca të tjerë, se këto masa nuk janë të mjaftueshme. Një pjesë e problemit, është se rreziku ndaj këtij virusi nuk mund të shihet:”Murtaja nuk ka dimensione njerëzore, kështu që njerëzit i thonë vetes se ajo është joreale si sëmundje, se është një ëndërr e keqe, e cila herët a vonë do të përfundojë”- shkruan shkrimtari francez Albert Kamy në romanin e tij “Murtaja”.
Natyrisht ky pasazh, e përshkruan shumë situatën aktuale:Shumë njerëz, nuk mund ta përtypin dot idenë se diçka e padukshme, mund të ndryshojë planet e tyre. I botuar në vitin 1947, “Murtaja” shpesh interpretohet si një alegori, një libër që ka të bëjë realisht me pushtimin e Francës, ose le të themi me gjendjen njerëzore.
Por ai është gjithashtu një libër shumë i mirë mbi epidemitë, dhe mbi mënyrën sesi njerëzit reagojnë ndaj tyre. Një kategori e tërë e sjelljes njerëzore, të cilën ne e kemi harruar. Në roman, një pjesë e qytetit të futur në karantinë “vazhdoi nornmalisht aktivitetin, duke bërë plane për udhëtime, dhe duke dhënë mendime”.
E përse duhet ta vrasnin mendjen për Murtajën, e cila të mohon të ardhmen, të mohon udhëtimet dhe disktimet e përditshe? Ekuivalentët e tyre modernë në qytetin e Milanos, kanë nisur tashmë fushatën “#Milanononsiferma” (Milano nuk ndalet). Qytete të tjera, kanë ndjekur të njëjtin shembull.
Mediat sociale, janë mbushur me postimet e sipërmarrëseve të ndryshëm dhe menaxherëve të hoteleve, që denoncojnë qeverinë për masat parandaluese të panevojshme. Por padukshmëria, krijon ndërkohë pasiguri, dhe kjo e fundit mund të manipulohet në mënyrë që t’u shërbejë qëllimeve të tjera.
Për shembull, një nga personazhet e Kamysë është një prift, që e shfrytëzon Murtajën për të shtuar grigjën e tij të besimtarëve:Ai u thotë atyre, se epidemia është mënyra sesi Zoti ka zgjedhur të ndëshkojë ateistët. Në Italinë e sotme, personi i parë që tentoi të manipulonte ankthin e krijuar nga koronavirusi ishte Mateo Salvini, lideri i ekstremit të djathtë në Itali. Ai bëri menjëherë thirrje që qeveria të mbyllte kufijtë e vendit, të ndalonte të gjitha veprimtaritë publike, dhe t’i mbante njerëzit mbyllur në shtëpi.
Pa dyshim që ai do të kishte vazhduar këtë linjë, po të mos kishin ndodhur disa ngjarje të tjera në terren. Virusi u shfaq për herë të parë në Lombardi dhe Veneto, dy provinca italiane ku partia e tij, Lega e Veriut, është më e fortë. Ai e kuptoi se një mbyllje e kufirit, do të shkaktonte një dëm të madh ekonomik atje.
Ndaj kaloi në një argument tjetër:i bëri thirrje qeverisë të “mbrojë Italinë dhe italianët” nga refugjatët afrikanë. Nuk ka asnjë provë që refugjatët afrikanë e bartin koronavirusin, por lidhja e të huajve me papastërtinë dhe sëmundjet, është një skemë e vjetër.
Marin Lë Pen, drejtuese e ekstremit të djathtë në Francë, i ka bërë gjithashtu thirrje qeverisë franceze të mbyllë kufirin me Italinë, edhe pse kjo masë është po aq e pakuptimtë, pasi rastet e para në Francë, duket se kanë ardhur kryesisht nga diku tjetër.
Disa vitë më vonë shkova në Londër, dhe pashë me kujdes tabloidët britanikë të krahut të djathtë, për të vlerësuar nivelin e tyre të histerisë. Deri më tani, ai ka qenë relativisht e ulët – mediat janë marrë kryesisht me kryeministrin Boris Xhonson dhe të dashurën e tij shtatzënë – dhe kjo do të thotë se avionët do të vazhdojnë të fluturojnë.
Pasi të përqendrohen tek korovirusi, jam e sigurtë se do të ketë thirrje për të bllokuar të gjitha kontaktet me Italinë, dhe po aq e sigurtë se qeveria britanike e varur nga tabloidet, do të dëgjojë apelin e tyre. Por jo të gjithë do të sillen keq. Historia e Kamysë ka edhe heronj, edhe pse ata nuk janë lloji i heronjve që gjenden në shumicën e romaneve të tjerë.
Përkundrazi, këtu heronjtë janë mjekët, vullnetarët që i ndihmojnë ata, dhe madje edhe një nëpunës civil, zoti Grand, që kërkon të merret me Murtajën duke e regjistruar çdo gjë që ndodh. Grand, Dr.Rië, dhe disa të tjerë përpiqen të përdorin shkencën, transparencën dhe saktësinë, për të mbajtur nën kontroll sëmundjen, dhe për të shpëtuar sa më shumë njerëz që të jetë e mundur, pa iu dorëzuar histerisë apo dëshpërimit:”Mund të tingëllojë një ide qesharake, por mënyra e vetme për ta luftuar Murtajën, është vendosmëria kundër saj”.
Këta janë lloji i njerëzve, që do të jenë heronjtë edhe në epokën tonë. Shkencëtarët dhe studiuesit e shëndetit publik, që përpiluan menjëherë informacione për numrat dhe rastet; ekipet që nisën menjëherë punën për krijimin e vaksinës; infermierët dhe mjekët të cilët qëndrojnë brenda rajoneve të karantinës, siç kanë bërë shumë prej tyre në Itali, apo në Vuhan të Kinës.
Jo të gjitha gjykimet e tyre do të jenë të sakta, dhe jo gjithmonë ata do të bien dakord me njëri-tjetrin. Në Itali, ka pasur tashmë disa debate publike midis virologëve, që kanë vlerësime të ndryshme se sa serioze do të jetë situata e shkaktuar nga kjo sëmundje.
Por të paktën, ata kanë për zemër interesin e publikut. Ja kush është rregulli i duhur, që duhet zbatuar javët e ardhshme:Gjykojini politikanët nga ajo sesa dallojnë nga njerëzit që na thonë se dy plus dy bëjnë katër. Pra ajo që dëshironi është informacioni i saktë, dhe jo i politizuar.
Dhe sa më shumë informacion, aq më mirë.
Pasi dëgjuam për 4 vjet një politikan britanik të thoshte se “kemi shumë ekspertë”, ky është momenti kur është bërë befas e qartë vlera e ekspertizës. Papritur, faktet kanë shumë rëndësi.
Epidemitë, ashtu si katastrofat natyrore, kanë mënyrën e duhur të zbulimit të të vërtetave bazike të shoqërive që godasin.
Kinezët, e kanë paguar tashmë një çmim të lartë për fshehtësinë që e karakterizon sistemin e tyre, si dhe për kulturën burokratike nga lart-poshtë, që nxiti fshehjen fillestare të sëmundjes. Nga ana tjetër, një nga arsyet pse italianët nuk po janë aq shumë në panik, është se ata kanë besim në sistemin e shëndetit publik, dhe në fakt tek sistemi në kuptimin më të gjerë të fjalës, megjithë Salvinin dhe fushatat e tij të dezinformimit.
Italia ka testuar tashmë mijëra njerëz për virusin, dhe kjo është një nga arsyet, pse shifra e të prekurve është më e lartë atje se diku tjetër. Ndërkohë SHBA-ja nuk po bën asgjë të tillë. Unë druaj se sistemi ynë shëndetësor publik, dhe as “sistemi” ynë në përgjithësi, nuk e ka kuptuar se si të ndërtojë ndjenjën e besimit tek qytetarët.
Edhe pse kemi sistemin e kujdesit shëndetësor të teknologjisë më të lartë në botë, ndonëse kemi kirurgët më të mirë dhe pajisjet më të mira, nuk kemi krijuar ende një kulturë të shëndetit publik, që të krijojë besim. Ç’është më e keqja, në vend se të synojmë të ndalojmë teoritë e komplotit, ka gjasa që qeveria jonë t’i krijojë vetë ato.
Presidenti Trump, e ka quajtur tashmë koronavirusin një “mashtrim”. Në një fjalim të vetëm mbi koronavirusin, Trump deklaroi se ai “do të zhduket një ditë si me magji”. Megjithëse ky nuk është lloji më i keq i epidemisë së imagjinueshme, është mirë që po i mësojmë këto gjëra tani, pasi koronavirusi i ri mund të jetë vërdallë për një kohë të gjatë.
Pasi edhe kur këto lloje virusesh zhduken, ato jo domosdoshmërisht largohen përgjithmonë. Përkundrazi, mund të pësojnë mutacione, ata mund të strehohen në kafshë të tjera, dhe mund të rishfaqen. Kjo gjë ishte parashikuar edhe nga dr.Riëja i Kamysë.
Ai e dinte që “bacili i Murtajës nuk vdes kurrë, ose nuk zhduket për fare, se ai mund të qëndrojë i fjetur për vite e vite në mobilje, dhomat e gjumit, bodrume, rrobat tona dhe raftet e librave; dhe se ndoshta do të vinte dita kur do të rishfaqej sërish tek minjtë”.
Ne mund të jemi me fat këtë herë. Por duhet ta shfrytëzojmë rastin për t’u përgatitur, mendërisht, por edhe aspektin mjekësor, për epideminë që vjen më pas, dhe për atë tjetrën pas saj. / “The Atlantic” – Bota.al