Aksidentet rrugore, përfshi dhe ato me pasoja në jetë të humbura të shkaktuara nga përdorimi i telefonave dhe tabletave në rrugët shqiptare, mbeten një shqetësim i lartë.
Burime nga Policia Rrugore për Report Tv bënë me dije se nga 10 drejtues automjetesh të përfshirë në aksidente dhe të ndëshkuar, 6 prej tyre rezultojnë për përdorim telefoni. Ky bilanc bëhet me i rëndë kur këta shoferë rezultojnë të gjobitur më shumë se dy apo deri në tre herë.
Prej më shumë se një viti Sektori i Parandalimit të Aksidenteve depozitoi në parlament projektligjin për rritjen e masës ndëshkuese për cilindo që teksa i jep makinës përdor telefonin.
Sipas këtij projektligji dhe strategjisë të Policisë Rrugore gjoba ishte parashikuar nga 5 mijë deri në 10 mijë lekë si dhe heqje e pesë pikëve nga patenta, ndërsa sot gjoba është më e ulët sa dhe parkimi i gabuar. Për përdorim telefoni gjobitesh nga 500 deri në 1500 lekë kundrejt 2 mijë lekë për parkimin e gabuar apo 15 mijë lekë për mospërdorimin e rripit tw sigurimit.
Kjo kërkesë nuk gjeti pëlqimin e deputetëve të cilët vendosën të rrisin masën ndëshkuese për rripin e sigurimit por jo për përdorimin e telefonave, ku pasojat e aksidenteve pa rrip sigurimi janë minimizuar sipas statistikave të Policisë Rrugore.
Sipas relacionit të Policisë Rrugore kjo masë përafronte legjislacionin me vendet e BE-s, ku fqinji ynë Italia, parashikon që sanksioni për telefonin të arrijë në 1700 euro.
Më tej, thonë ekspertët, rritja e gjobës për përdorimin e telefonit do të sjellë uljen e pasojave tek të dëmtuarit, jo vetëm shoferët që vetë përfshihen në aksident por edhe tek personat e tjerë që goditen nga këto automjete.
Veç masës ndëshkuese me gjobë ky propozim i Sektorit të Parandalimit të Aksidenteve parashikonte edhe heqjen e patentës nga 1 në 3 muaj për shoferët që brenda 12 muajve gjobiten tre herë për përdorim telefoni.