Historia e restorantit shqiptar që ka tërhequr shtypin amerikan

Shkencë & jetë Sociale

Kur emigroi në Amerikë, në vitin 2001, Bobian Demçe ëndërronte që një ditë të kishte biznesin e vet.

U deshën disa vite, por e realizoi ëndrrën e tij.

Sot, është një vjetori i restorantit “Dua Kafe”, një restorant tradicional shqiptar, për të cilin kanë shkruar edhe media të njohura amerikane, si Nju Jork Times dhe CBS News.

Bobian Demçe, rrëfeu rrugëtimin e tij në biznes për VOA, nga momenti kur nuk kishte fare klientë e deri sot në një vjetorin e hapjes së restorantit, kur po përjeton suksesin dhe ëndrrën amerikane.

Ky restorant i vogël në qytetin e madh të Nju Jorkut, shërben ushqime tradicionale shqiptare.

“Ushqimi këtu është tipik tradicional shqiptar. Jemi munduar që të fusim pjata nga jugu, nga Shqipëria e mesme dhe nga veriu. Kur thuhet veriu, përfshihet Kosova sepse aty nuk ka kufi. Prandaj doja që të sillnim komplet ato pjata tipike që janë, si sallata e katunarit, tava e dheut, fërgesa e Tiranës, flija e Kosovës, qebapat e veriut apo kërrnackat e Korçës. Pra, jemi munduar të përmbledhim pak a shumë gjithë shqiptarinë”, tha ai.

Jo vetëm ushqimi të kujton trojet shqiptare.

Muret e brendshme të lokalit janë të zbukuruar me portrete të figurave të njohura të kombit shqiptar.

Realizimi i kësaj ideje, në qytetin prej 8 milionë banorësh, me një pafundësi restorantesh, nuk ishte e lehtë, thotë Bobian Demçe.

“Nuk ishte e lehtë, nuk ishte aspak e lehtë. Në fillim fare mbaj mend kur e kemi hapur, unë kam qenë ulur diku te një tavolinë këtu. Dhe po shikoja në laptopin tim. Çfarë do bëj, çfarë do bëj sepse njerëzit nuk e dinin ende se ne ekzistonim”, tha Bobiani në intervistë për Zërin e Amerikës.

Ndër klientët e parë të “Dua Kafe” ishte edhe Robert Sitsema, një kritik i njohur i ushqimit.

Ai radhiti biznesin shqiptar në mesin restoranteve më të mira të Nju Jorkut për vitin 2019.

 “Vetëm kur marrin në telefon dhe thonë ‘Nju Jork Times këtu, kemi qenë tek restauronti tre-katër herë, na ka pëlqyer shumë ushqimi’. Ata e dinin se çfarë donin. Më thanë që duan të provojnë pesë pjata, speca me mazë, flinë, tavën e Elbasanit e të gjitha. Unë ngela i befasuar. Faktikisht fillimi, mu duk si ëndërr sepse bëhej fjalë për Nju Jork Times. Pastaj e lamë një ditë që të vinin të bëjnë fotografitë dhe kështu ndodhi. Kështu erdhi edhe Nju Jork Magazine, kështu ka ardhur edhe CBS News”, thotë ai.

Artikujt e publikuar në shtypin amerikan, e bënë të njohur “Dua Kafe”, i cili është sot restoranti i vetëm ku mund të gjesh kuzhinën shqiptare në Manhatan.

“Më vjen shumë mirë që ne kemi rritur emrin e shqiptarisë. Sepse kur vijnë amerikanët dhe porosisin tavë elbasani, sepse e dinë çfarë është tashmë, apo speca në mazë, apo qebapet, apo flinë më bëhet zemra mal. Jo vetëm që hanë ushqim të mirë nga të gjitha viset, por ata ikin edhe të informuar, se kush jemi ne. Kështu që jam shumë krenar për atë, të gjithëve ua them historinë siç ka qenë”, thotë Bobian Demçe, pronar i Dua Kafesë.

Ndërsa një vit më parë ai ishte në dyshime nëse do të kishte sukses, përvjetori i parë e gjen Bobianin me plane për të zgjeruar biznesin e tij.

Share: