Shumë kohë e kaluar para ekranit, ngadalëson zhvillimin e fëmijëve?

Shkencë & jetë Sociale

Lejimi i një fëmije 2-3 vjeç, që të kalojë shumë orë para një tableti, smartfoni apo televizori, mund të vonojë zhvillimin e aftësive themelore njohëse për gjuhën, zgjidhjen e problemeve, marrëdhëniet ndërpersonale, dhe koordinimin motorik.

Një studim kanadez mbi rreth 2.400 fëmijë, dhe i botuar në revistën “JAMA Pediatrics”, rihap debatin rreth numrit të orëve, dhe moshës minimale të ekspozimit të fëmijëve ndaj ekranit, si dhe efektet e atyre të mëpasme në rritjen e tyre. Studimi konstaton se sasia e kohës së kaluar para ekranit në moshën 2-3 vjeçare, ka pasoja negative në performancën njohëse, të shprehur përkatësisht nga fëmijët 3-5 vjeç.

Nga ana tjetër, nuk u gjet asnjë provë që fëmijët me probleme të zhvillimit, liheshin më gjatë para ekranit, për të evituar sjelljet e vështira (një mekanizëm që mund të kishte ndikuar në rezultatet e studimit).

Vetëvlerësimi

Studiuesit nga Universitetet e Vaterlosë në Kalgari, dhe Institutit të Kërkimeve Spitalore mbi Fëmijët në Alberta, pyetën nënat e fëmijëve për të analizuar kohën e harxhuar nga fëmijët e tyre para ekranit (televizor, kompjuter ose pajisje të tjera) që kishin një moshë 2, 3 dhe 5 vjeç, një moshë kjo kritike për neurozhvillimin.

Ndërkohë, nënat duhet të plotësonin pyetësorët standartë, për të vlerësuar rritjen njohëse të fëmijëve të tyre. Për shembull, ato pyeteshin nëse fëmijët e tyre e dinin se si realizonin detyrat e përcaktuara të tilla si vizatimi i formave të veçanta, imitimi i sjelljeve të caktuara ose thënia e frazave të caktuara – detyra që variojnë nga kontrolli motorik, tek aftësitë komunikuese.

Një efekt i stërzgjatur

Mesatarisht, fëmijët kalonin 17 orë në javë para ekranit kur ishin në moshën 2-vjeçare, 25 orë në moshën 3-vjeçare, dhe 11 orë në moshën 5-vjeçare, pas fillimit të shkollës. Por prirja e zbuluar nga shkencëtarët, ishte se ndërsa ata kalonin orët përpara një pajisje, kishin një rënie të rezultateve njohëse gjatë vitit, ose në 2 vitet e ardhshme.

Fëmijët që kishin qëndruar më gjatë para një ekrani në moshën 24 muajsh, dolën më keq në testet njohëse në moshën 36 muajshe, dhe një efekt i ngjashëm, është vërejtur midis 36 muajsh dhe 5 vjeç (60 muaj).

Sa rendësi ka kjo?

Gjithsesi, kjo lidhje është e kufizuar:më pak se 1 përqind e ndryshueshmërisë në rezultatet e testimit të neurozhvillimit. Në praktikë, faktorët e tjerë si cilësia e mirë e gjumit, ose fakti se sa shpesh i lexoni fëmijës, apo nëse nëna ka një natyrë pozitive, do të kishte një ndikim shumë më të madh në rritjen e fëmijëve.

Shpjegime të mundshme

Kur një fëmijë stacionohet përballë një ekrani (sidomos me përmbajtje të një cilësie e ulët), e humbet mundësinë për të ushtruar inteligjencën e tij në detyra që janë më të dobishme për rritjen:ai nuk vrapon, nuk luan, nuk ka ndërveprime të drejtpërdrejta me familjen ose miqtë. Prandaj nuk është e qartë nëse ekrani është “fajtori” i drejtpërdrejtë apo nëse peshojnë edhe faktorë të tjerë, siç është mënyra e organizimit të kohës apo edukimit të fëmijës.

Një testim i shpejtë

Përveç kësaj, studimi nuk specifikon asgjë në lidhje me llojin e programit të parë, dhe as mbi kufirin maksimal të orëve, që konsiderohet si “i sigurt”. Sikurse është rikujtuar nga BBC, në vend se të fokusohemi në një njësi kohore, do të ishte më e përshtatshme të pyesnim nëse familja ka kontroll të kohës së kaluar para një ekrani.

Aktivitetet para ekranit, ndërhyjnë në planet ditore, ose gjumin; nëse ka dhoma (si ajo e gjumit) ose momente të ditës (si darka), ku përdorimi i telefonave celularë dhe tabletave është “i ndaluar”. Nëse përgjigjet janë pozitive, ndoshta s’ka arsye për t’u shqetësuar.

Focus – Bota.al

Share: